Home KRYESORE Përballë me – JOZEFINA TOPALLI

Përballë me – JOZEFINA TOPALLI

Nga Miranda Haxhia

Ne vitin 2011, u gjenda në Shkodër në prezantimin e një libri me kujtime burgu. Ejëll Çoba, autori i librit e nuk jetonte më, por mbesa e tij, Jozefina ishte kujdesur që kujtimet të botoheshin.

Dhe jo vetëm kaq. Njoha tërë familjen Topalli që mbartte copëza të atyre mbresave të hershme që vetë Jozefina u kishte përjetuar. Pastaj ishte tërë Shkodra që mblidhte pikë-pikë respektin për veprën e Ejëll Çobës, me shpejtësinë e fuqinë e mrekullueshme të mirënjohjes. Ishte ajo Shkodër që e bën t’i shkëlqejnë sytë Inës, emri me të cilin e njohin familjarë dhe miq.

…sepse di të respektojë

Jozefina Topalli ka fituar respekt, sepse di të respektojë. Për njerëzit me të cilët punon, kujdeset pafundësisht. Shëndeti i tyre bëhet problem i saj. Hallet e tyre janë pjesë e axhendës së saj. Shpesh herë me ekipin me të cilin punon, kuptohet me vështrime.

Linda Ihsani (Ndjesë pastë!) më fliste gjithmonë me tepri për zj. Jozefina Topalli. Ndërsa një ditë, tek ajo më rrëfente, mendoja se gjysmat e fjalëve ishin për t’u resitur nga kujtesa ime. “Linda e tepron!”- mendoja.

Pasi e takova Jozefina Topallin, kuptova që duhej një masë më e madhe fjalësh për të thënë gjënë e duhur. Dhe nuk jam e sigurt në do ta them të gjithën për një grua që shpresoi, guxoi dhe fitoi.

E thjeshtë, e hijshme, gojëmbël, e brishtë dhe bujare.

A mjaftojnë këto cilësi për të ngacmuar kujtesën e lexuesit në rastin kur dua të rrëfej për një kryetare parlamenti, e para grua në një pozicion të tillë, për një luftëtare të zonjën për mbrojtjen te parimeve demokratike; për një mam’ që përkthen në dashuri çdo fjalë që thuhet për fëmijët dhe çdo herë që bie fjala për ta. Ju siguroj se janë pak. Linda më kishte rrëfyer, por…

… Intuita ime thotë se gjeta modelin, të cilin e kam kërkuar në ëndrrat dhe ambiciet e mia prej gruaje. U ka dhënë shpresë dhjetëra grave për të bashkuar kurajën me shpresën në luftën kundër kancerit të gjirit; që prerazi nuk toleron kur ka dhënë porosi të ndiqet një problem dhe nuk e kanë zbatuar.

Nuk është e lehtë të punosh me Jozefina Topallin, sepse ajo shikon tej kufijve të një pune. Idetë e saj krijojnë vetëm konture e përtej tyre ajo sheh realizimin, kur të tjerë nuk kanë filluar ende punën.

Vetëm në mes të territ i kuptohet vlera dhe fuqia dritës. Dritën e së ardhmes, ajo e pa kur ishte në mes të territ të një diktature.

Një grua si ajo nuk hesht me kohën, as ndryshon me kalimin e stinëve. Zemra e një gruaje si ajo lufton shumë, por nuk vdes, ajo është besnike e vetvetes, e qetë dhe e patrazuar, e sigurt në vetvete.

Sa shumë i ka dhënë familja edukimit të Jozefina Çobës.

Shume e dashur “Kira Argunova”e librit “Ne të gjallët”….

Që ta kuptojmë Jozefina Topallin, ju ftoj të kthehemi pas me përfytyrimin tonë…Sa larg? Qysh atë ditë, kur një tetëmbëdhjetë vjeçare mori një shuplakë të fortë nga regjimi, sepse nuk iu dha e drejta e shkollimit. Deri atë ditë, kur për të mposhtur hidhërimin që i “dhuroi” ai pushtet, mori të lexonte në italisht romanin “Ne të gjallët”, libër që në atë kohë qarkullonte fshehurazi, si testament antikomunist. E pikërisht, iu fut përkthimit. Kur përkthente “…Kur të kalojë e gjitha kjo,- tha Kira,- kur gjurmët e republikës së tyre do të dezinfektohen nga historia, ç’marsh i mrekullueshëm funebër do të jetë kjo këngë!..”,

Ina Çoba, tetëmbëdhjetë vjeçare, e privuar nga e drejta e universitetit, po shikonte te Kira e Rusisë së largët vetveten, dëshirën për dije, për të vërtetën, për të bërë mrekullira me mendjen dhe punën e saj në të ardhmen, po kërkonte kurajën për të qënë gjallë!

Ose… ende më tej, kur ishte vetëm një vajzë pesë vjeçe dhe me kokën mbi tavolinë , vështronte xhaxhanë e sapodalë nga burgu. Vështrimi i asaj fytyre të bukur që shtangte këdo që e rrethonte. Ajo merrte nga dijet, mençuria, pasuria e madhe intelektuale që mbartte Ejëll Çoba, një ndër pjesëtarët e familjes së hershme fisnike dhe patriotike shkodrane.

Nuk gjen gjurmë mëshire te Jozefina. Ajo mendon se fëmijëria e saj ishte e bukur, sepse e rrethonte dashuria e familjes. Ajo kujton se nuk e ka dëgjuar kurrë nënën e saj të ankohet. Vetëm punonte. Gazmendi i brendshëm, harmonia që e rrethonte familjen sillte detyrime për vajzën që po rritej. Jo vetëm matematika, por edhe kitara, edhe librat, edhe gjuha e huaj, edhe dëgjimi i muzikës ishin pjesë e edukimit që merrte. Brenda mureve të shtëpisë së Çobajve ishte një botë tjetër, një jetë paralele ku flitej dhe diskutohej për vlera njerëzore, për art, kulturë, histori, dije, cilësi që realiteti shqiptar po i zhvishte një e nga një në përpjekjet për të krijuar modelin e njeriut të ri.

Dhe, pas shumë vjetësh, pas një opozite të gjatë, të vështirë, në vitin 2005 Shqipëria pati një kryetare kuvendi grua. Një nga ato gra që i meriton fjalët e arta të Nënë Terezës: “Kur nga mosha nuk do të vraposh dot më, ec shpejt. Kur të mos të ecësh dot shpejt, atëherë ec. Po s’munde të ecësh, përdor bastunin. Por mos ndalo kurrë”.

Pengu i Inës është fëmijëria e fëmijëve të saj. Fakti që u është ndodhur gjithmonë larg, që nuk ka qënë pjesë e rritjes së tyre e ligështon. Kur filloi detyrën si deputete, djali ishte vetëm nëntë muajsh. E bënte rrugën e Shkodrës për katër orë. Sot janë fëmijët që i ofrojnë ledhe dhe e çlodhin, ato që nuk ua ka dhënë dot kur kishin më shumë nevojë. Por i shkëlqejnë sytë kur rrëfen se Genari, që mban emrin e gjyshit,djali i brishtë, i ëmbël dhe i qetë e mbush me lajka dhe me ledhe, apo Margerita, që ka emrin e gjyshes, kur i beson çdo gjë e i bëhet shoqe dhe mike e ngushtë. “Më nderojnë deri më sot.- rrëfen Jozefina.- Po rriten të mbarë. Kjo më mbush me gëzim, është e natyrshme, çdo nënë besoj se nuk do më shumë nga fëmijët veçse të jenë të mbarë.

E bukur. E denjë. E fortë?!

Jo, nuk është e fortë. Drithërohet edhe ajo si çdo grua, si çdo nënë. Por jeta e ka bërë të fortë për të përballuar sfida të vështira. Është e denjë për punën që bën. E aftë të respektojë dhe vlerësojë njerëzit që bëjnë historinë e vendit. Vëmendja që i kushton figurave historike i vjen nga vëmendja dhe respekti që kishin për shtetin pararendësit e familjes së saj .

Për zonjën Topalli të gjithë shqiptarët gëzojnë respektin e saj. I konsideron njëlloj. Nuk i ndan në të majtë e të djathtë, shqiptarë të Shqipërisë apo të Kosovës.

Dhe ish Zonja e parë e Kuvendit të Shqipërisë që mençurinë e përcjell përmes vështrimit të ngulmët dhe të sigurt, që zellin për punë dhe përkushtimin e përcjell përmes fjalës së thjeshtë dhe të qartë, që dashurinë për familjen e shpërndan përqark si e bën çdo mëmë; që e gjitha është si një pemë me rrënjë të forta e frute të shëndetshme, që ëndërron të ndihmojë njerëzit me dijen e saj, korrektësinë, mirëkuptimin dhe qetësinë – sot kërkon besën e të gjithëve për një Shqipëri ndryshe.

Brishtësia, forca, pagjumësia, lodhja, mundimet, vuajtjet, emocionet, gëzimet, dashuria njerëzore janë hallka që lidhin të gjithë punën dhe jetën e Jozefina Çobës.

Nëse e pyet për lotët, ndërsa është duke folur mes një fjalie, thotë shpejt e shpejt- qaj kur shikoj ndonjë film, por optimizmi e mbulon çdo shenjë tjetër që mund të lexohet edhe pa marrë përgjigje. Ka netë pa gjumë? Si çdo grua.

Pamja dhe trupi i saj nuk kanë nevojë për koment. As ushtrime fizike, as palestër. Gjithë ditën në aktivitet. Në këmbë. Një grua që nuk lodhet, me energji të jashtëzakonshme. Bën një punë që e ka për zemër. Ndoshta i lindi atë kohë kur shiste për dy qindarka dokumente të rëndësishme të financave të familjes në arkivin e shtetit komunist, ndoshta i lindi kur iu desh të punonte në bujqësi për të nxjerrë bukën e gojës; ndoshta iu edukua nga gjithë historia e familjes Çoba.

P. S.
As Diane Julie Aboott e politikës angleze, as Hyllary Clinton e qeverisë së Obamës, as Indira Gandhi, apo Golda Meir, kryeministrja e parë grua e Izraelit, as Angela Merkel, apo Evita Peron dhe as Margaret Thatcher nuk janë afër modelit që kërkoj për të kuptuar atdheun tonë kaq të vogël brenda kufijve të zemrës së një tjetër gruaje, përmes arsyes dhe logjikës së betejave paqësore, përmes fjalës dhe forcës së parezistueshme. Modelin ua jap në pëllëmbë të dorës, është një grua shqiptare, Jozefina Çoba Topalli.

m.h.

Share: