Home KRYESORE PS, 48.4%, opozita 39.3%/ Sondazhi i tretë IPSOS-Top Channel për zgjedhjet e...

PS, 48.4%, opozita 39.3%/ Sondazhi i tretë IPSOS-Top Channel për zgjedhjet e 25 prillit

Në emisionin “Open” u publikuan këtë të enjte gjetjet e sondazhit të tretë të realizuar nga IPSOS dhe Top Channel.

Nga data 29 deri më 31 mars, janë intervistuar 1513 votues në 12 qarqet e Shqipërisë. 90% e intervistave janë bërë përmes telefonit dhe 10% përmes panelit online të IPSOS. Ndërsa marzhi i gabimit është vendosur në 2.75 përqind.

Të anketuarit i janë përgjigjur disa pyetjeve, mes të cilave përfshihet se kë do të votonin nëse zgjedhjet do ishin këtë të diel, cili lider apo parti do të donin që t’i drejtonte, kanë bërë vlerësimin e punës së qeverisë dhe opozitës si dhe programit që kanë prezantuar tre forcat më të mëdha politike në vendin tonë.

Vlerësimi i punës së Edi Ramës dhe qeverisë në trajtimin e çështjes së koronavirusit

Puna e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë ka pasur përmirësim të ndjeshëm nga muaji mars në prill në lidhje me menaxhimin e pandemisë dhe trajtimin e çështjes së koronavirusit. Nga muaji shkurt deri në prill, puna e Ramës dhe e Partisë Socialiste është vlerësuar pozitivisht dhe ka pësuar rritje nga 56 në 64%. Nga 32% e të anketuarve, puna e kryeministrit është vlerësuar keq për muajin prill, një rënie e ndjeshme në krahasim me dy sondazhet e realizuara në shkurt dhe mars.

Vlerësimi i punës së Edi Ramës dhe qeverisë për procesin e vaksinimit

Sa i përket vlerësimit të procesit të vaksinimit për të mbrojtur popullatën ndaj virusit Sars-Cov-2, 68% e vlerësojnë mirë punën e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së PS-së, ndërsa 27% e vlerësojnë keq.

11% e vlerësojnë mjaft keq dhe 16% e vlerësojnë shumë keq punën e Edi Ramës dhe qeverisë së PS-së në procesin e vaksinimit.

Pavarësisht se kë votojnë, ja cili mendojnë zgjedhësit se i fiton zgjedhjet e 25 prillit

Në sondazhin e tretë, zgjedhësit janë pyetur se cila parti mendon se do marrë fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, pavarësisht se kujt ia japin votën. Avantazh ka sërish PS që është rritur nga 42 në 48%, ndërsa koalicioni PD-AN i drejtuar nga Lulzim Basha është i dyti por me përmirësim të ndjeshëm nga 27 në 32%.

Sa njihet programi i PS, PD dhe LSI

Zgjedhësit janë pyetur edhe për elementët e programit të tre partive më të mëdha në vendin tonë, PS, PD dhe LSI dhe përgjigjet e tyre janë tërësisht spontane.

Sa i përket përmendjes së të paktën një elementi nga programi i partive, 34% mund të përmendin një element të PS, 31% të PD dhe 9% të LSI. Nga të dhënat rezulton se një pjesë e madhe nuk njohin programin e LSI.

Sa njihet programi i PS

Programi i vaksinimit (20%), rindërtimi pas tërmetit (17%) dhe trajtimi i papunësisë (14%), tre prej temave më të komentuara nga kryeministri Edi Rama në daljet publike i ka ardhur në mendje të intervistuarve për programin e PS në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit.

Ndërsa 44% e të intervistuarve thonë se nuk mbajnë mend ose nuk dinë asnjë nga elementët e programit të PS-së.

Sa njihet programi i PD

Strategjia e taksimit (22%), trajtimi i papunësisë (18%) dhe rritja e rrogave (15%), të cilat janë përmendur shpesh nga kreu i opozitës Lulzim Basha janë tre prej elementëve të programit të PD që i vijnë në mendje të anketuarve.

Ndërsa 48% e të intervistuarve thonë se nuk mbajnë mend ose nuk dinë asnjë nga elementët e programit të PD-së.

Sa njihet programi i LSI

Në programin e LSI, tre elementët që i vijnë më shpejt në mendje të intervistuarve janë strategjia e taksimit, garancia rinore dhe emigrimi/ikja e të rinjve.

17% kanë vënë re më shumë strategjinë e taksimit dhe garancinë rinore (reduktimin e TVSH-së në 5%), ndërsa 11% kanë vënë re më shumë emigrimin dhe ikjen e të rinjve, programin e shëndetësisë, rritjen e rrogave.

Ndërsa 6% kanë vënë re më shumë trajtimin e papunësisë, programin e arsimit, programin e bujqësisë, rindërtimin pas tërmetit, rritjen e pensioneve dhe gjëra të tjera. Pjesa më e madhe e të intervistuarve, 61% thonë se nuk mbajnë mend ose nuk dinë asnjë nga elementët e programit të LSI-së.

Krahasimi mars-prill/ Cilën nga partitë do të votonit nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel

Nga të dhënat, është bërë një krahasim me sondazhin e realizuar në muajin mars. Nga të dhënat rezulton se nga muaji mars në prill, PS ka pësuar zbritje nga 48.7% në 48.4% dhe PD ka zbritur nga 40.6% në 39.3%. Edhe Vetëvendosja ka zbritje nga 2.3 në 0.8%.

Ndërsa LSI ka një rritje nga 4.6% në 5%. Edhe Nisma Thurje ka rritje nga 1 në 1.7%; PSD ka rritje nga 0.9 në 1.7% dhe Lëvizja për Ndryshim ka arritur në 1.6% nga 0.7% që ishte në muajin mars.

Cila parti do fitonte nëse do të votohej këtë të diel

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të dielë, Partia Socialiste do të fitonte zgjedhjet me 48.4%, ndërsa 39.3% e qytetarëve do të votonin për opozitën.

Vetëm 5% do të votonin për LSI, 0.8% për Lëvizjen Vetëvendosje, 1.7% për Nismën Thurje, 1.7% për PSD, 1.6% për Lëvizjen për Ndryshim, 0.9% për Lëvizjen Demokratike Shqiptare, 0.2% për Bindjen Demokratike dhe 0.3% për parti të tjera.

Cili prej liderëve do të donit të drejtonte vendin

Ndërkohë që 45% do të donin që vendi të drejtohej nga Edi Rama në muajin prill, një rritje e ndjeshme nga muaji mars kur 39% donin të drejtoheshin nga Rama. Përmirësim të dukshëm ka pasur edhe PD, e drejtuar nga Lulzim Basha e cila është rritur nga 33 në 38%.

Ekipi më i mirë bazuar në listat e kandidatëve në qarqe

Teksa na ndajnë edhe pak ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, në sondazhin e tretë të IPSOS-Top Channel rezulton se 41% e të anketuarve mendojnë se PS ka ekipin më të mirë bazuar në listat e kandidatëve për deputetë në qarkun e tyre.

31% mendojnë se e ka koalicioni PD-AN dhe 3% mendojnë se e ka LSI.  18% janë asnjëanës ndërsa 3% refuzojnë të përgjigjen.

Sa njihen kandidatët kryesorë të PS, PD, LSI

Në sondazhin e tretë të IPSOS-Top Channel, zgjedhësit janë pyetur për kandidatët që kryesojnë listat e PS, PD dhe LSI në 12 qarqet e vendit.

Nga të dhënat rezulton se njohin më shumë emrat që garojnë në listën e PS. Më konkretisht, 53% njohin kandidatët e PS, 50% njohin kandidatët e PD dhe 27% njohin kandidatët e LSI.

Nga ana tjetër rezulton se 44% nuk njohin kandidatët e PS, 47% nuk njohin e PD dhe 70% nuk njohin kandidatët e LSI.

Si do ta vlerësonit punën e qeverisë në trajtimin e problemeve më të mëdha që ka Shqipëria

Në sondazhin e tretë të IPSOS-Top Channel, zgjedhësit kanë bërë edhe vlerësimin për punën e Partisë Socialiste për problemet me të cilat po përballet vendi ynë.

58% e të anketuarve mendojnë se qeveria po e bën mirë punën në trajtimin problemeve më të mëdha të Shqipërisë ndërsa 38% mendojnë se po e bën keq. Ndërsa 15% mendojnë se po e bëjnë mjaft keq dhe 23% mendojnë se po e bën shumë keq.

Si do ta vlerësonit punën e opozitës në trajtimin e problemeve më të mëdha që ka Shqipëria

Në sondazhin e tretë të IPSOS-Top Channel, zgjedhësit kanë bërë edhe vlerësimin për punën e Partisë Demokratike për problemet me të cilat po përballet vendi ynë.

48% e të anketuarve mendojnë se opozita  po e bën punën keq në trajtimin e problemeve, ndërsa 44% mendojnë se po e bën punën mirë. Ndërsa 23% mendojnë se po e bëjnë mjaft keq dhe 25% mendojnë se po e bën shumë keq.

Top Channel

Share: