Home KRYESORE Sputnik fut në sherr Greqinë/ Tsipras akuzon qeverinë që i qëndroi kornizës...

Sputnik fut në sherr Greqinë/ Tsipras akuzon qeverinë që i qëndroi kornizës evropiane dhe nuk bleu vaksina ruse

Vaksina Sputnik ka futur në sherr politikanet grekë. Në një seancë parlamentare për menaxhimin e pandemisë, lideri i opozitës Aleksis Tsipras ka akuzuar kryeministrin Kyriakos Mitsotakis se përveç të tjerash ka dështuar edhe në sigurimin e sasive të kosniderueshme të vaksinave, ashtu si pjesa më e madhe e shteteve të BE.

Ai gjithashtu ka sjellë si shembull Hungarinë dhe Sllovakinë që nuk kanë pyetur për kornizën europiane përballë shëndetit të qytetarëve dhe kanë blerë doza të vaksinës ruse Sputnik dhe se të njëtën gjë po përpiqen të bëjnë dhe vetë Gjermania e Austria.

“Na thatë se askujt në BE nuk i shkon ndërmend të hapë çështjen dhe të bisedojë për blerje vaksinash përveç atyre të kornizës europiane dhe ju referuat veçanërisht vaksinës Sputnik. Me falni por çfarë është kjo përulësi që keni? Përballë kujt? Përballë atyre që vetë shohin nevojën dhe kuptojnë shpejt se këtu nuk bëhet më fjalë për çështje të balancave gjeopolitike?”- tha Aleksis Tsipras.

“Sugjeroni të blejmë vaksina nga Rusia? E sugjeroni? Na e thoni hapur.Çfarë do të thoshte kjo? Që vendi ynë do të shmanget nga korniza europiane. Do të mund ta bënte me kushte të veçanta, por nëse kishte në dispozicion vaksina nga Rusia. E dini që Rusia ka vaksina në dispozicion? E pra mund t’ju them që Rusia nuk ka në këto momente sasi të mëdha të vaksinave”- tha kryeministri grek Mitsotakis.

Por pa kaluar shumë orë nga ky debat me një postim në llogarinë e saj në Twitter kompania ruse i kthen përgjigjen kryeministrit grek duke shkruar:

Sputnik V konfirmon se edhe duke pasur parasysh kërkesat nga 59 vende të tjera, mund të furnizojë Greqinë në maj me vaksina për 500.000 qytetarë. Së bashku jemi më të fortë!

Greqia ka vendosur të hape sezonin turistik në 14 maj, ndaj kërkon të vaksinojë sa më shumë qytetarë, por furnizimi i ngadaltë në të gjithë Evropën për shkak të porosive të vonuara të AstraZeneca-s po shkakton kokëçarje për qeverinë Mitsotakis.

Pavarësisht nga një mbyllje për disa muaj vendi të dhënat epidemiologjike vazhdojnë të jenë negative. Mbi 4300 infektime dhe 79 viktima, rekord për këtë vit, u regjistruan në 24 orët e fundit . 751 pacientë është numri i të intubuarve dhe opozita akuzon qeverinë se nuk përforcon sistemin publik të shëndetit dhe dhjetëra të prekur me Covit-19 presin me dite për të hyrë në dhomat e terapisë intensive, pasi spitalet punojnë përtej limiteve prej disa javësh.

Top Channel

Share: