Home Gjeo-Ekonomia Çfarë po ndodh?!Valë e re pandemie,katastrofa natyrore, sulme kibernetike…

Çfarë po ndodh?!Valë e re pandemie,katastrofa natyrore, sulme kibernetike…

Valë e re e pandemisë së koronavirusit. Katastrofa natyrore në Kinë dhe Gjermani. Sulme kibernetike, që shënjestrojnë pikat kyçe të Afrikës Jugore.

Këto zhvillime kanë shtyrë zinxhirin global të furnizimit drejt shkatërrimit, duke kërcënuar bartjen e materialeve bazë dhe disa produkte të konsumatorëve, kanë thënë disa kompani, ekonomi dhe specialistë të transportit.

Varianti Delta i koronavirusit ka dëmtuar rëndë disa pjesë të Azisë dhe ka nxitur shumë kombe që të kufizojnë qasjen për marinarët, duke ua komplikuar menaxhimin e punës së ekipeve.

Marrë parasysh se transporti përmes anijeve përbën rreth 90 për qind të tregtisë botërore, krizat e ekipeve të marinarëve janë duke ndikuar në pengesa në furnizim, duke nisur nga nafta, e deri tek ushqimi dhe elektronika.

Kompania gjermane, Hapag Lloyd, e ka përshkruar situatën si “jashtëzakonisht sfiduese”.

“Kapaciteti i anijeve është shumë i vogël, kontejnerët e zbrazur janë të paktë dhe situata operacionale në disa porte dhe terminale nuk është duke u përmirësuar”, ka thënë kompania.

“Ne presim që kjo situatë të zgjasë edhe në çerekun e katërt të vitit – mirëpo është shumë e vështirë që të parashikojmë”.

Ndërkohë, vërshimet vdekjeprurëse në ekonomitë gjigante si Kina dhe Gjermania, kanë dëmtuar edhe më shumë zinxhirin e furnizimeve, që ende nuk është rimëkëmbur nga vala e parë e pandemisë, duke rrezikuar triliona dollarë të aktivitetit ekonomik, që varet nga to.

Vërshimet kineze janë duke kufizuar transportin e thëngjillit nga rajonet ku nxirret lënda, ndërkoha që termocentralet kanë nevojë të përmbushin kërkesat e mëdha gjatë muajve të verës.

Në Gjermani, transporti rrugor i mallrave ka rënë në mënyrë të konsiderueshme.

Më shumë dëme për prodhuesit e makinave
Industritë e prodhimit janë duke u dridhur.

Prodhuesit e makinave, shembull, janë duke u detyruar të ndalin prodhimin për shkak të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i koronavirusit. Kompania Toyota ka thënë javën e kaluar se do të ndalë punën në disa fabrika në Tajlandë dhe Japoni, për shkak se nuk janë siguruar pjesët e nevojshme.

Stellantis ka pezulluar përkohësisht punën në një fabrikë në Mbretëri të Bashkuar, për shkak se një numër i madh i punëtorëve është dashur të izolohen, si pasojë e koronavirusit.

Kjo industri veçse është goditur rëndë nga mungesat globale që sigurohen kryesisht nga Azia.

Më herët gjatë këtij viti, industria e automobilizmit kishte rënë dakord që kriza e mungesës së çipave, të lehtësohet në pjesën e dytë të vitit 2021 – mirëpo disa zyrtarë të lartë ekzekutivë kanë thënë se kjo situatë do të vazhdojë edhe më 2022.

Një zyrtar i pjesëve të makinës në Korenë Jugore, që furnizon kompanitë Ford, Chrysler dhe Rivian, ka thënë se çeliku që përdoret në shumicën e pajisjeve, tani ka çmim më të shtrenjtë, për shkak të çmimit të lartë të transportit.

“Kur fabrikat rrisin çmimin e çelikut dhe transportit, çmimi te ne rritet për 10 për qind për prodhim të pajisjeve”, ka thënë një zyrtar i kësaj kompanie, në kushte anonimiteti, për agjencinë e lajmeve Reuters.

“Ndonëse ne jemi duke tentuar të mbajmë çmimet e ulëta, kjo gjë ka qenë shumë sfiduese. Nuk janë duke u rritur vetëm çmimet e materialeve, por edhe ato të transportit tejet shumë”.

Prodhuesi më i madh i pajisjeve shtëpiake në Evropë, Electrolux, ka paralajmëruar këtë javë për përkeqësim të problemeve me furnizim, të cilat kanë ndalur prodhimin.

Kompania për pica, Domino, ka paralajmëruar këtë javë po ashtu për përkeqësim të problemeve të zinxhirit të furnizimit, gjë që po ia pamundëson krijimin e dyqaneve të reja.

SHBA-ja dhe Kina janë prekur gjithashtu
Problemet me furnizim janë duke goditur Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, superfuqitë e ekonomisë globale, të cilat së bashku realizojnë 40 për qind të prodhimit ekonomik.

Kjo gjë mund të rezultojë me ngadalësim të ekonomisë, bashkë me rritje të çmimeve të mallrave dhe materialeve bazë.

Të dhënat e publikuara ditë në parë në SHBA, kanë treguar se rritja ekonomike do të ngadalësohet në gjysmën e dytë të vitit, pas suksesit në çerekun e dytë, të nxitur nga suksesi i hershëm i vaksinimit.

Varianti Delta i koronavirusit, veçse është duke shtyrë bankat që të analizojnë sërish politikat e tyre, ndërkohë që inflacioni po rritet përtej parashikimeve.

“Na duhet të furnizojmë dyqanet”.

Portet janë duke u përballur me tollovi që nuk është parë për dekada, sipas njohësve të industrisë.

Asociacioni për Porte në Kinë, ka thënë të mërkurën se kapaciteti i transportit vazhdon të jetë i vogël.

“Azia Juglindore, India dhe industria prodhuese e rajoneve të tjera janë të ndikuara nga reagimi ndaj pandemisë, çka ka ndikuar që disa porosi të kalojnë në Kinë”, ka thënë ky Asociacion.

Unioni i Paqësorit, një nga dy operatorët kryesorë të hekurudhave që transportojnë mallra nga portet e Bregut Perëndimor të SHBA-së, në brendësi të territorit amerikan, ka marrë vendim për pezullim shtatëditor të dërgesave fundjavën e kaluar, duke përfshirë mallrat e konsumit, në një qendër të Çikagos, ku kamionët marrin mallrat.

Kjo përpjekje, që synon të lehtësojë “bllokadën” në Çikago, do të shtojë presionin në portet në Llos Angjelles, Oklland dhe Takoma, kanë thënë specialistët.

Një sulm kibernetik, që ka goditur portet jugafrikane në Kejp Taun dhe Durban këtë javë, ka rritur shkallën e problemeve në terminale.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, në Britani, zyrtarë shëndetësorë kanë thënë se qindra mijëra punëtorët duhet të izolohen, pas kontaktit me një person që është infektuar me koronavirus.

Për pasojë, disa dyqane kanë bërë paralajmërime për mungesë të furnizimeve, dhe disa stacione karburanti janë mbyllur.

Richard Walker, menaxher i grupit të dyqaneve Iceland Foods, u ka bërë thirrje njerëzve të mos bëjnë panik të blerjes.

“Ne duhet të jemi në gjendje të furnizojmë dyqanet, raftet dhe të sigurojmë ushqim”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter./REL

Share: