Home KRYESORE Ra ky zjarr, e çfarë nuk pamë!

Ra ky zjarr, e çfarë nuk pamë!

Nga Alma Lleshi

Njerëzit e përjetojnë kohën siç është në të vërtetë. Shpesh herë e përshkruajnë ftohtë, por kur ndjesitë janë shumë të forta atëherë njerëzit përziejnë edhe emocionet.
Emocionet shfaqen automatikisht, si një përgjigje e pavetëdijshme, e menjëhershme sidomos kur përpara vendosen sfida të vështira. Dhe përballë rrezikut dhe sfidave tona, ne nuk mund të jemi pasivë.

Shqipëria jonë në flakë! U dogj, u përvëlua dhe shkatërrimi i ferrtë na i zhbëri ndjenjat përtej.

Sot ishte një ditë ndjesie falenderimi për ministrin tonë të Mbrojtjes. Ai falenderoi publikisht prefektë, gjeneralë, drejtorë e nëndrejtorë, dhe madje nuk harroi as atë ushtarin e thjeshtë, që nuk del në ekran por lufton me zjarret. Shumë mirë bëre ministër!

Por një gjë nuk e bëre mirë. Mbase nuk të takon ty ta bësh, mbase harrove.. por krejt në çastin kur po shprehje ndjenjat e mira ndaj vartësve të tu, pas teje në sfond qëndronte ironikisht një mjet zjarrfikës. Ministër, e harrove fare ekzistencën e tyre, edhe pse mjaftonte të rrotulloje vëmendjen vetëm 180 gradë. Një veprim i vockël ky, por një gjest i mirë më pas.

Mbase mbase, aty në krahun tënd mund të ishte edhe një ministër tjetër, a një kryeministër, që të të hiqte frerët e verbërisë dhe falenderonte edhe një njeri më tepër.

Tani, meqë jemi në ditë falenderimesh, unë po falenderoj më përulje zjarrfikësin e Vlorës, Virjon Lutaj.

Po të quaj edhe unë komandant… Falemnderit!

Falemnderit për këto 25 ditë që dogje shpirtin zjarreve, për orët, minutat dhe sekondat përvëluese që hëngre bukë duke vrapuar maleve.

Falendero komandant edhe zjarrfikësit e thjeshtë, ata që nuk dalin dot në ekran, por shpallen heronj vetëm ditë tërmetesh, përmbytjesh apo zjarresh si këto.

E t’i falenderojmë ata, që përbuzen prej turpit që zhgërryhet shezlongjeve, e të na falin heronjtë jetimë, që nuk i do më as nëna e as njerka.

Njerëzit duhet t’i vlerësojmë ashtu siç janë, pa u shfaqur si fantazma të së shkuarës, as si jetimë të së tashmes dhe as si heronj të së ardhmes së paqenë!

Eh vërtet, ra ky zjarr e çfarë nuk pamë!

Share: