Home KRYESORE Lulja E Lumës! Nga Aneta Mihali Xhiku

Lulja E Lumës! Nga Aneta Mihali Xhiku

U njoha fare rastësisht me Lulen dhe vajzën e saj, Geraldinën, kur u ndodhën në Sarandë. Sa dëgjova që janë prej Kukësi, i bëra veshët pipëz, se me kuksianët më është puqur ylli qysh në fakultet. Në të shtatëdhjetat, Lulja është një grua e bukur, shtatselvi, sytë kaltëroshë e flokët gërshet ari, si të ketë dalë nga një cep i Ilirisë së Poshtme, në rrëfimet e Kutelit. Fjalët i ka të kursyera por, si malësore e vërtetë, godet në shenjë, me shqipen e kulluar në dialektin verior. Ja se ç’më tregoi:

-Kam lindur në Kolesjan, në zonën e Lumës. Baba im, Nezir Spahia, në kohën e Zogut ishte kryetar komune. Nëna qe lehonë me fëmijën e pestë, kur baba u arratis me 1948-ën, me vëllanë tonë të madh, Pëllumbin. Sa mbërriti në Prizren, e kapërceu prapë kufirin, ndërsa ia la vëllanë mikut të vet. “Nëse s’kthehem, djalin ta kam fal’.” Është i vetmi shqiptar që arriti ta nxjerrë krejt familjen jashtë. Për shumë vjet vuajtëm kampeve në Mitrovicë, Kroaci, e Belgjikë. Kishim 2 muaj në Bruksel, kur rastisëm një autobuz që nisej për në Francë – 43 vende të zëna dhe 7 bosh, si të ishin taksur për ne të shtatë. Ishte 26 gusht 1956. U nisëm ashtu siç qemë, veç me rrobat e trupit, duke përfituar nga mundësia që krijoi qeveria franceze për pranimin e 300 refugjatëve nga gjithë bota. U vendosëm në Creteil, ku, pas 3 vjetësh ndihmuar nga shteti, ia dolëm të mëkëmbeshim. Në 1961-in erdhi mbreti Zog me mbretëreshën Geraldinë e princin Leka I, dhe ndenjtën për muaj të tërë tek ne. Mbretëresha u bë kumbara e vajzës, prej së cilës i vumë emrin. Vite më vonë, Leka II do të luante tenis me Geraldinën tonë. Nëna na vdiq shpejt. Baba em ish fort i hijshëm, bjond me sy blu, e ngjante si Kirk Douglas. Pati shumë kërkesa për t’u martuar rishtazi, por s’pranoi e na rriti vetë. “Grue gjej kollaj, por nanë për fëmit’ e mi s’gjej dot.” Ka vujt’ sa s’thuhet baba em. U lidha shumë pas tij, e krejt botën e kena shëtit’ bashkë. Më 1969 shkuam për herë të parë në New York, ku takuam shumë patriotë shqiptarë. Shpirti i donte të vendoseshim në Amerikë, por nuk e lanë. Ishte liberal e i mençëm, baba em! Feja për të s’kish rëndësi – familja jonë tash numëron 5 fe, e 17 kombësi. Vdiq në 1991-in, 40 e ca vjet larg atdheut, pa arritur të shihte shëmbjen e diktaturës. Gjithmonë na thoshte: “Kur të bjerë regjimi, vendi ka për t’u ba si gjel pa krye, e njerëzit s’kan’ me dijt ç’ka me ba.”

E pyes se si e përjetoi kthimin në atdhe.

“3 ditë s’mujta me fol, isha kaq e emocionuar! Kur shkova për të blerë fruta, shitësi dëgjoi shqipen time pak të çuditshme, e më pyeti:

-Prej nga je? 

-A po m’pyet se ku kam lé, a ku jetoj? 

I thashë se isha 2 vjeçe kur ika prej Shqipnie. Ai ngriti mëngën dhe më tregoi lëkurën që i qe ba’ krejt puprriza. M’fali nji limon.”

Shtëpisë në Kolesjan i kanë mbetur veç pak gurë. Vitin që shkoi, vëllezërit, Ylli e Korabi, shkuan aty për 102-vjetorin e vdekjes së gjyshit, Sali Spahia, dhe 117-vjetorin e betejës historike të Lumës, që udhëhoqi ai vetë, për mbrojtjen e trojeve nga sërbi. Varri i gjyshit është vendosur midis xhamisë dhe shkollës së fshatit, ndërtuar prej tij. “Posta e Shqipnisë” në Shkodër, shkruante në 1917-ën: “Lumjanë! Kjani për Sali Spahinë, se ju hupët nji vëlla, Shqipnia nji atdhetar. Po mos kujto o Sali Spahia se ti hupe, emni yt nuk harrohet kurrë, se asht ndër emnat ma të shquem të historisë kombëtare…”  

Gjashtë muaj më vonë, ndodhemi në Paris dhe Lulja na fton për drekë me familjen, në shtëpinë e madhe, në Creteil. Mikpritja e tyre është vërtet prekëse. Geraldina na bëhet si çupa jonë – njihemi kaq pak, ndjehemi kaq shumë! Familjet e Pëllumbit, Dritës, Korabit, Lules e Yllit, janë pranë me njera-tjetrën, si me qenë në Kolesjan. Emrat e tyre më sjellin aromë bjeshke!

Megjithëse i ka kaluar të shtatëdhjetat, Lulja administron pronat e familjes dhe ndihmon Geraldinën në biznesin e tortave, Cake en l’air. Kur humbi të shoqin, disa vjet më parë, fëmijët, për ta nxjerrë nga dëshpërimi, i blenë bojra e kanavacë. Po ajo paskësh qenë talent i vërtetë! Ndonëse s’kish zënë kurrë penel me dorë, në pak vite pikturoi tablo pafund, me riprodhime të Van Gogh e impresionistëve të tjerë. 

Dje folëm në telefon. Më thotë se korona i ka mbledhur fëmijët e nipat në shtëpinë mëmë. “Biznesi na u dëmtua, por me shëndet jena mirë, e tash kena kohë boll me ndenjt’ me fëmijët.” M’u kujtua shprehja e saj e urtë: “Gjithshkaje i gjendet zgjidhje, përveç vdekjes që s’ka kthim…”

Lulja
Sali Spahija (majtas)
Nezir Spahia
3 brezat e familjes së Lule Granzan

Lulja E Lumës

Share: