Home KRYESORE Percepsioni seksual, si e rindërton truri

Percepsioni seksual, si e rindërton truri

Nga Fatjona R. Lubonja Ed.D

“Kënaqësia është puthja që i jep natyra të gjallëve” (Mantegazza, 2008, p. 402). Mantegazza i bën një egzaminim holistik dhe estetik perceptimit të kënaqësisë në studimet e tij (Fisiologia del piacere; Fisiologia del dolore; Fisiologia del amore; Fisiologia del odio, 1831-1910) duke e simbolizuar me lumturinë deri në ekstazi. Klimt e ka perceptuar kënaqësinë në pikturat e tij si një version radikal, përgjatë një kombinimi të ndjenjës së kënaqësisë nga erotizmi dhe makabre në të njëjtën kohë (Klimt, C., Judith and the Head of Holofernes, 1901). Perceptimi i kënaqësisë tek figura e femrës e cila qëndron e fuqishme, duke përjetuar një orgazëm ndërsa priste kokën e Holofernes. Gruaja që eksploroi kënaqësinë nga të dy aktet. Ajo ngjallte frikë dhe epsh të ekzagjeruar me një elegancë të brishtë femërore. Nuk kishte gjak në duart e saj, ndërsa gjoksi dhe buzët e saj ishin akoma të kuqe. Magjepse nga thellësia, frika, kënaqësia, ankthi seksual dhe implikimet patologjike që Klimt shkaktoi në imazh. Më tej, perceptimi i një kënaqësie është përshkruar në mënyrën më romantike nga regjizori i shquar Italian, Giuseppe Tornatore në filmin e tij Cinema Paradiso (1988, It./Fr). Ashtu si puthjet romantike të montazhuara në monologun e karakterit të filmit qëndruan në memorjen e tij, ashtu perceptohet dhe një puthje në memorjen e trurit (Lubonja, R., F. 2021).

Si e rindërtoi truri gjithë këtë perceptim?

Truri është një makinë krijuese (Kandel, 2012) dhe si i tillë perceptimi mund të konsiderohet një shpikje e procesit. Psikologia Gestalt ka sygjeruar që në fillim të vitit 1900 (Kohler, Koffka,Hoffman; Asch, S. (2007); Wertheimer, Max) me konfigurimin e tyre të formave që interpretimi ndryshonte në subjektivitetin që perceptohej nga retina. Ndërsa të tjerët kanë argumentuar duke implikuar perceptimin si një metamorfozë në tru, aspak si një mekanizëm i thjeshtë (Etlin, 1998). Perceptimi bën një diskriminim midis procesit të “shikimit” dhe “verbërisë”, në terma të thjeshtë është ajo që vëzhgoni dhe ajo që nuk vëzhgoni.

Edhe pse nuk është arritur konsensus se si të përcaktohet perceptimi, fenomeni ka tërhequr interesin si në fushën e neuroshkencës ashtu edhe në fushën studimore të sjelljes. Janë bërë përpjekje të shumta në studime për të nxjerrë një kuptim të pandryshueshëm të perceptimit universal dhe çfarë kënaqësish estetike nxjerrim prej tij, në bazë të njohurive neurokonjitive. Aftësia jonë për të kuptuar racionalisht veprimet, emocionet dhe ndjesitë varet nga stimulimi, një mekanizëm funksional përmes të cilit veprimet, emocionet ose ndjesitë që ne shohim aktivizojnë përfaqësimet tona të brendshme, të gjendjes së trupit dhe trurit që lidhen me këto stimuj. Një shembull mund të jetë ndjesia, përjetimi i një emocioni, ose experienca të ngjashme.

Gjithsesi, studime të ndryshme sugjerojnë se përgjigjet e trurit ndaj stimujve seksuale përbëjnë një kategori më të gjerë të aktivitetit mendor që dallohet me ndikimin e përgjithshëm dhe shumë-përfshirës i rrjeteve/rrugëtimeve qelizore të shumta të trurit (BASIC, 2020).

Kështu, ato mundësojnë kuptimin e veprimit të të tjerëve me anë të simulimit të mishëruar, duke aktivizuar përfaqësimin motorik të të njëjtit veprim. Ndërsa perceptimi përfshin informacionin që vjen nga të gjitha modalitetet e shqisave, psikologët kanë tendencë të

përqëndrohen në perceptimin vizual. Kjo ndodh sepse shumë aspekte të perceptimit vizual nuk shpjegohen lehtë. Sipas studimeve të fundit (Trautmann-Lengsfeld et.al, 2013) mendohet se përfshijnë një pjese të gjerë të akivitetit të trurit (Lerner & Lerner, 2008).

*Fatjona Rama Lubonja mban titullin Dr. e Shkencave në Edukim, ka studiuar Neuro-Shkencë/Edukim dhe Behavior në Universiteti i Kolumbias (Columbia University) në New York dhe është specializuar në ABA (Applied Behavior Analysis) dhe Rehabilitimi Mendor./Opinion.al

Share: