Home KRYESORE Dashamir Shehi prezanton platformën politike: Armë e opozitës

Dashamir Shehi prezanton platformën politike: Armë e opozitës

Dashamir Shehi, ka prezantuar këtë të mërkurë një platformë të re politike. Ajo quhet “Po për Shqipërinë”, dhe sipas Shehit me të synohet që të rikthehen në vëmendje disa çështje të rëndësishme ndaj qytetarëve dhe vendimmarrjes së tyre. Një ndër to sipas Shehit është ligji për referendumet.

 “Ka ardhur dita të reflektojmë për mundësitë e reja. Opozita shqiptare ka humbur një betejë më 25 prill. Ky është produkt i gjeneratës së re shqiptare. Unë jam këtu si garant politik, i ndershmërisë së kësaj pune. Ne kemi nevojë të vazhdueshme për mjete demokratike. Distanca mes qytetarëve dhe qytetarëve është rritur vitet e fundit. Askush nuk ka mundësi të kontrollojë votën e vet ku po shkon, a jep rezultat. Do japim një mundësi edhe për votime brenda platformës, si me eksperiencat e tjera në Europë. Qoftë për idetë e reja, apo për ligjet që do të diskutohen”, tha Shehi.

Shehi u shpreh se platforma do të nis më 10 Janar. “Do e fillojmë me datë 10 Janar me ligjin për referendumet sepse e atakon direkt politikën shqiptare. Kjo është e para. E dyta kjo formë referendare është demokracia më direkte dhe më e afërt. Do ta fillojmë me datë 10 Janar. “Po” ja kemi vënë sepse duam të prodhojmë një ide alternative për politikën. Gjithmonë kemi thënë jo. Tani është koha për një shans për Shqipërinë që t’i thotë po një ekonomie të ndershme. Duam ta ndërtojmë imazhin e ri me një formë pozitive. Logon e kemi zgjedhur me dy rrathë se është politika me shoqërinë shqiptare. Nuk mund të jetojë vetëm politika si në një ishull. Platforma “PO” është e hapur për politikën dhe pjesën civile për tema që dominojnë sot në Shqipëri”, tha Shehi.

Më tej në prezantimin e kësaj lëvizje Shehi tha se do të shërbejë si armë e opozitës për të çarë rrethimin ku kemi rënë vitet e fundit.

“Armë e re e opozitës shqiptare për të çarë rrethimin ku kemi rënë vitet e fundit. Filozofia është kjo, të rindërtojmë një marrëdhënie të re me publikun. Unë shpresoj se do ta ndjekin me mijëra njerëz për të bashkëpunuar. Ne si themelues jemi 5 veta por janë me mijëra profesorë dhe shkencëtarë që po i afrohen. Kjo do të dalë në mënyrë elektronike. Për të dhënë garanci maksimale sepse një pjesë e madhe e themeluesve jetojnë jashtë vendit, do e regjistrojmë ligjërisht edhe në disa shtete të huaja për t’iu nënshtruar edhe disa ligjeve që janë puro europiane”, tha Shehi./Opinion.al

Share: