Home KRYESORE Ilir Meta përballet me Gjykatën Kushtetuese, shqyrtohet shkarkimi i tij

Ilir Meta përballet me Gjykatën Kushtetuese, shqyrtohet shkarkimi i tij

Pas shkarkimit nga Parlamenti me argumentin për shkelje të Kushtetutës, ditën e sotme në orën 10:00 Presidenti Ilir Meta do të përballet me trupën gjykuese të Gjykatës Kushtetuese.

3 ditë më parë Meta i është drejtuar me një shkresë kryetares së Gjykatës Kushtetuese ku kërkoi t’i vihet në dispozicion procedura e ndjekur për çështjen e shkarkimit të tij, duke thënë se përgjigjet e mëparshme kanë qenë jo përmbajtjësore.

Ndërkohë që më 26 janar Meta i kërkoi Komisionit të Posaçëm të Apelimit (KPA) hetimin disiplinor të relatores së çështjes së zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, Fiona Papajorgji, por edhe anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese.

Në argumentimin e tij ligjor, prej 17 faqësh Meta thotë se Papajorgji dhe gjyqtarët e tjerë kanë konsumuar shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit lidhur me vendimin për 30 qershorin.

Pas këtyre akuzave nuk dihet nëse Meta do të jetë vetë i pranishëm në seancën plenare sot, por kjo nuk e pengon zhvillimin e saj pasi ligji e thotë qartë se mungesa pa arsye nuk është shkak për ndërprerjeje.

Që Presidenti të shkarkohet, pro vendimit të Kuvendit duhet të votojnë të paktën 5 anëtarë dhe duhet patjetër të marrin pjesë në votim 6 anëtarë. Gjykata Kushtetuese ka aktualisht 7 anëtarë nga 9 që duhej të kishte gjithsej.

Meta është shkarkuar nga Kuvendi më 9 qershor 2021 me argumente të tilla si shkelje të rënda të Kushtetutës, provokim të cenimit të marrëdhënieve me SHBA, shantazh ndaj drejtësisë, thirrje për veprime të dhunshme, nxitje urrejtje, cenim të sigurisë publike etj.

Deputetët e Partisë Socialiste në pushtet ngritën Komision Hetimor parlamentar, i cili gjeti 17 shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit.

Kjo ishte nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se “s’do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare” dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor./ Opinion.al

Share: