Home KRYESORE Puçshteti i shkurtit ’91 në Shkollën e Bashkuar

Puçshteti i shkurtit ’91 në Shkollën e Bashkuar

Nga Azem PARLLAKU

Me 20 shkurt të vitit 1991 shtatorja e Enver Hoxhës njeriut i cili për më tepër se 45 vjet kishte drejtuar dhe qeverisur Shqipërinë, u shtri rrugëve të Tiranës, duke u tërhequr zvarrë nga po ata njerëz, që vite më parë e kishin duartrokitur. Askush nuk mundi t’a ndalte atë çast. Por, një ndryshim i tillë dhe kaq drastik, që do të sillte shndërrimin e të gjithë sistemit politik në vend, nuk mund të konceptohej njëlloj nga të gjithë qytetarët. Shqipëria ishte përballë një ballafaqimi serioz, i cili mund ta çonte në një luftë të pakontrolluar civile. Lëvizja më e rrezikshme ishte ajo e nisur në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, që mbante emrin e Hoxhës.

Të gjithë pa përjashtim, gjeneralët e sotëm të Ushtrisë, deputetët ish-ushtarakë, edhe ish-presidenti Nishani, ishin aty kur u krijua “Komisioni nismëtar për mbrojtjen e interesave të popullit”, i cili u bënte thirrje partive politike, presidentit Ramiz Alia e popullit shqiptar, duke kërkuar vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës.

Vendosja e bustit të Enverit, që do të zëvendësonte monumentin e bronztë në qendër të Tiranës, vlerësohej si shprehje e besnikërisë për diktatorin dhe partinë e tij. Qindra ish-studentë ushtarakë të frymëzuar nga trupa e pedagogëve të tyre, disa prej të cilëve sot deputetë e gjeneralë, u armatosën dhe ishin të gatshëm t’a merrnin shtatoren e Hoxhës që ndodhej në  oborrin e kësaj shkolle për t’a vendosur, aty në sheshin Skënderbej.

Në ngjarjet e Shkollës së Bashkuar, u përfshinë studentët dhe pedagogët e kësaj shkolle, bashkë me ata edhe kursantët e Akademisë Ushtarake dhe nxënësit e Shkollës së Mesme Ushtarake ‘Skënderbej”, të cilët ndodheshin brenda të njejtit garnizon ushtarak. Me institucionet e arsimimit ushtarak, u solidarizuan pothuaj të gjitha strukturat e mbrojtjes së asaj kohe. Ende deri sot, askush nga ish-drejtuesit e lartë komisarë e komandantë të kohës, nuk ka folur në lidhje me planet e “puçshtetit” të shkurtit ’91.

Në planet ogurzeza të atij shkurti, ishte provokimi i studentëve ushtarakë, si kundërpërgjigje ndaj studentëve të Universitetit të Tiranës, sipas një skenari të sofistikuar, fundi i të cilit do të ishte i përlyer rëndë me gjak. Vetëm një muaj e gjysmë më parë, ishte tentuar që, studentët e shkollave ushtarake të përdoreshin për të mbajtur në rrethim “Qytetin Studenti”, një tentativë kjo të cilën studentët nën uniformë e injoruan.

Në pasditen e 20 shkurtit, postoblloqet e shkollave ushtarake u mbyllën, ç’ka nënkuptonte shkëputjen e kontaktit me rrugët e Tiranës, në të cilat festohej pas rrëzimit të shtatores së Enverit. Në orët e mbrëmjes, kur dhe u pa që, studentët nuk ishin të shqetësuar për çfarë kishte ndodhur, çuditërisht edhe pse garnizoni ushtarak ruhej me roje të armatosur, në sheshin e Akademisë Ushtarake, ku ishte vendosur busti i Hoxhës, u shtuan “rojtarët vullnetarë”. Ndërkohë, atë natë ndryshe nga zakonisht nga qendra e zërit transmetoheshin këngë e marshe të përzgjedhura.

Në mëngjesin e datës 21 shkurt, në kohën kur do të bëhej shpërndarja për fillimin e proçesit mësimor komisari i shkollësKsenofon Çoni duke derdhur lot, u është drejtuar studentëve me thirrjet “Komandantin e rrëzuan”, “Shtatoren e Enverit e rrëzuan, por ai është i pavdekshëm”, etj. Pikërisht në këtë moment, një grup i organizuar i studentëve të vitit të tretë, ka shpërthyer në brohoritjen “Shqipëri-Enver jemi gati kurdoherë”.Sigurisht që, një thirrje e tillë e padëgjuar më parë nuk ishte spontane. Pamjet e ushtarakëve që vringëllonin armët përpjetë në ritmet e këngës “Enver Hoxha tungjatjeta”, apo “Shqipëri-Enver, jemi gati kurdoherë”, të transmetuara nga televizioni i shqiptar, nuk mund të shqiten kollaj nga kujtesa. Kërkesa kryesore e ushtarakëve mbeti vlerësimi i figurës së Enver Hoxhës

Ndërsa siç ndodhte zakonisht pas parakalimit me ceremoni përpara tribunës ku ndodheshin ish-komandanti i shkollës Arseni Stroka dhe komisari Ksenofon Çoni, studentët kanë shkuar në sallat mësimore, ndërsa pjesa më e madhe e trupës së pedagogëve nuk i është bashkëngjitur atyre. Duke përfituar nga mungesa e pedagogëve, studentët kanë lënë sallat e mësimit dhe janë lëshuar në grupe drejt sheshit qëndror të shkollës. Më vonë u mësua se, pedagogët dhe komanduesit e shkollës ndanin qëndrime të ndryshme në lidhje me situatën, çarje kjo që, u reflektua dhe në masën e studentëve.

Ajo ç’ka ka qenë befasuese në ato orët e paradites, ishte armatosja e kursantëve oficerë të Akademisë së Mbrojtjes. Duhet pranuar që kursantët në fjalë oficerë të karrierës, ishin të zgjedhurit e privilegjuar, të cilëve pas kursit akademik u rezervoheshin postet drejtuese të fushës së Mbrojtjes. Armatosja e kursantëve u justifikua, si vetmbrojtje mbasi: “qytetarët e Tiranës, kishin planifikuar të sulmonin Akademinë Ushtarake, për të hequr që andej shtatoren e Enver Hoxhës”. Pas armatosjes së oficerëve të Akademisë, është kërkuar që, të armatoseshin edhe studentët e Shkollës së Bashkuar. Shpërndarja e armatimit ka vazhduar deri në orët e para të pasdites, ndërsa nuk kanë pranuar të armatosen një pjesë e konsiderueshme e studentëve të vitit të parë dhe të vitit dytë, në Fakultetin Gjithëarmësh.

Siç dhe dukej drejtuesi i atëhershëm i vendit Ramiz Alia, nëbashkëpunim me drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe drejtuesit e shkollave ushtarake, po përpiqeshin të gjeninzgjidhje në një situatë të atillë, ndaj dhe me 21 shkurt në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve po ndodhte armatosja me urdhër e studentëve një dukuri kjo e paparashikuar, që krijoi pështjellim te jashtëzakonshëm për të gjithë. Oficerët, jostudentët e shkollave ushtarake u ngritën kundër heqjes së monumentit të diktatorit në sheshin “Skënderbej”. Ata madje guxuan të kërkonim rivendosjen e tij, duke i’u drejtuar vetë Ramiz Alisë, si përgjegjës dhe fajtor që nuk arriti t’a mbronte monumentin. Rebelimi i datës 22 shkurt 1991 ishte organizuar me shtabe që i përkisnin: studentëve dhe drejtuesve të shkollave ushtarake dhe Ministrisë së Mbrojtjes që shpërndanin armë. Në Tiranë kishin lëvizur trupa e mjete ushtarake. Nga rrethet nostalgjike komuniste pritej të vinin forca për të realizuar grushtin e shtetit. 

Tashmë, situata në garnizonin e shkollave ushtarake po bëhej e paparashikueshme. Oficerë e studentë të armatosur u ngjitën në tarracat e godinave ushtarake, duke terrorizuar jo pak, edhe banorët e lagjes. Oratorë të ndryshëm rrokën mikrofonat, duke bërë thirrje se, pikërisht duhet të ishin ushtarakët, ata që duhet të merrnin në dorë fatet e Shqipërisë së atyre ditëve. Çdo pesë minuta lexoheshin telegrame, për të cilat thuhej se vinin nga katër anët e vendit, ndërkohë që dërguesit e tyre ishin solidarizuar me veprimet e studentëve dhe oficerëve të shkollave ushtarake.

Kursantët e Akademisë Ushtarake shpallën edhe një komision të quajtur “Komisioni nismëtar për mbrojtjen e interesave të popullit”, e përmes një peticioni drejtuar presidentit, partive politike dhe mbarë popullit, kërkonin mbajtjen e një referendumi për rivlerësimin e figurës së Enver Hoxhës. Nuk mungonin zërat se qeveria e asaj kohe ishte në anën e oficerëve dhe studentëve ushtarakë, e po të ishte e nevojshme, pse jo dhe do të urdhëronte një grusht shteti, në përpjekje për të qëndruar ende në këmbë.

Në pasditen e 22 shkurtit një grup studentësh kishin mundur të krijonin disa kontakte me qytetarë dhe eksponentë opozitarë të politikës në afërsi të Shkollës 9-vjeçare Bajram Curri, e më vonë edhe në zonën e quajtur “Oxhaku i Shkollës së Bashkuar”. Nëkëto takime kishin ardhur edhe lideri i lëvizjes së dhjetorit Azem Hajdari, Dashamir Shehi, Gramoz Pashko, Neritan Ceka, Arben Imami, e disa përfaqësues të tjerë të opozitës. Studentët e këtyre takimeve, u pikasën dhe në ditët në vijim, ata u anatemuan dhe mbaheshin pandërprerë nën mbykqyrje, përmes masave shtërnguese. Pati në atë kohë edhe studentë dhe skënderbegas, të cilët i ndërprenë studimet me dëshirën e tyre.

Po atë ditë, në mbrëmje pati një takim mes përfaqësuesve të partive politike dhe ushtarakëve, i cili u zhvillua i ashpër, në ndërkohë që, një grup studentësh kish sekuestruar kamerën e RTSH-së, e i kishte bërë presion ekipit që kishte ardhur nga televizioni. Situata u përkeqësua edhe më tej, kur qarkulloi informacioni se, garnizoni i shkollave ushtarake pritej të vihej nën rrethim nga ana e qytetarëve dhe studentëve të Universitetit të Tiranës, të cilët dy ditë më parë e kishin tërhequr zvarrë bustin e diktatorit.

Në fakt edhe brenda Shkollës së Bashkuar nuk kishte një mendim të unifikuar, në lidhje me çfarë po ndodhte. Një pjesë e studentëve thurnin planin për aksionin e heqjes së shtatores së Hoxhës nga ambientet e Akademisë. Grupi i studentëve në fjalë donte t’a kryente vetë këtë akt, pa përfshirë civilët e lagjes, pasi i druhej konfrontimit të këtyre të fundit me pjesën e studentëve ekstremistë. Gjatë këtyre takimeve u është kërkuar drejtuesve të grupimeve civile të mos tentonin të futeshin në garnizonin ushtarak të shkollave, mbasi një veprim i tillë konsiderohej si sulm ndaj objekteve ushtarake, e rrjedhimisht do të sillte reagimin nga ana e studentëve të armatosur. Brenda dy ditësh situata u monitorua nga drejtuesit e lartë të Mbrojtjes, të cilët, u kanë thënë oficerëve dhe studentëve të vetpërmbaheshin, mbasi rreth pikave të peticionit, po diskutohej me nomeklaturën e lartë qeverisëse.

Teksa numri i studentëve të cilët kërkonin heqjen e shtatores së diktatorit, po bëhej gjithnjë e më i madh, drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, e konsideruan  këtë ngjarje si, thyerje të hapur të rregullores ushtarake, e cila në asnjë mënyrë nuk lejonte tubime kolektive dhe aq më tepër në ambientet e brendshme të shkollës.

Kiço Mustaqi ish-Ministër i Mbrojtjes në kujtimet e tij, ka pohuar se ka urdhëruar që, në asnjë mënyrë nuk duhej që studentët të dilnin jashtë garnizonit të shkollave. Ushtria ishte edukuar që ta donte popullin dhe gjithashtu, edhe ajo e priste ndryshimin, madje e pranoi atë. Nëse studentët ushtarakë, do të kishin dalë nga ambientet e shkollës, me siguri do të ishte një katastrofë. Mustaqi fajëson Ramiz Alinë teksa i është referuar atyre ditëve; “Unë as sot e kësaj dite nuk e kuptoj urdhrin për të mobilizuar 15 brigadat që do të marshonin drejt Tiranës. Ashtu sikurse u urdhërua për shumë kompani të specializuara që, erdhën në Tiranë pa asnjë qëllim e objektiv e pastaj u kthyen. Për këto të fundit ekzistojnë urdhra të arkivuar. Të tillë urdhra e lëvizje ushtarake nuk vlejnë as për veprime demonstrative e psikologjike, por ato, ama, vlejnë për të akuzuar”.

Ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Halim Abazi, është shprehur se; “Në orën 21:00 të mbrëmjes thirra Komandantin e Shkollës, Komandantin e Akademisë, Drejtorin e Drejtorisë së Xhenios dhe komandantin e Regjimentit të Fortifikimit në Ministri. U dhashë urdhër t’a hiqnin monumentin, t’a largonin dhe të shmangnin ndonjë incident provokativ. Për çudinë time, të nesërmen në mëngjes busti ishte në vend”. Ato ditë Ministër i Mbrojtjes u emërua, Perikli Teta. Më vonë si Komandant i Akademisë Abazi i ka kërkuar Ministrit heqjen e bustit dhe ai ka pranuar. Busti është hequr me shumë lehtësi gjatë natës, duke i zbërthyer vidat që e mbanin dhe eshtë dërguar në një prej magazinave të ushtrisë. Në mëngjes nuk pati asnjë reagim dhe gjithçka u mbyll me aq.

Ata që, konsiderohen si pjestarët dhe mbështetësit e “Komisionit nismëtar për mbrojtjen e interesave të popullit”, shpresonin që studentët ushtarakë të dilnin jashtë mureve. Enveristët e shumtë ndërmjet oficerëve të shkollave ushtarake, krijuan një atmosferë histerie në mjedisin e studentëve, të cilët, të indoktrinuar nga shefat, kaluan në ekstazë duke brohoritur për udhëheqësin gjenial të PPSH-së, e duke afishuar vendosmërinë e tyre për t’ia rikthyer nderin diktatorit të zvarritur nëpër rrugët e Tiranës.Brohoritjeve brenda shkollës u përgjigjeshin brohoritjet jashtë saj, sigurisht me një përmbajtje të përmbysur. Djemtë e lagjes nisën të qëllojnë me gurë e objekte të tjera studentët që kishin kaluar në gjendje acarimi brenda mureve të shkollës. Pasditen e 21 shkurtit 1991, breshëri breshëri automatiku u zbraz drejt civilëve të lagjes përballë. Motivi i zjarrit ishte thjeshtë një provokacion. Përballë shkollës kishte kaluar një veturë e kuqe dhe nga ajo veturë dikush paskësh qëlluar në drejtim të studentëve ushtarakë. Një oficer, ulur në shtëpinë e tij, u plagos në krah, një fëmijë disamuajsh u plagos në ballë nga një plumb që bëri rikoshetë, kurse një djalë i ri vdiq në spital. Rebelimi i ushtarakëve brenda shkollës, shoqërohej me breshëri të pakontrolluara, ndërsa në muret e shkollës elementi antikomunist ishte tejet i irrituar me masën e verbër enveriste.

Ushtarakët, përgjithësisht një masë, tejet e politizuar, u armatosën, krijuan “Komisionin nismëtar të lëvizjes për mbrojtjen e interesave të popullit” me kryetar Agim Bajraktarin dhe filluan të kërcënojnë në mbrojtje të emrit të diktatorit. Tirana në të vërtetë, i’u nënshtrua një shtetrrethimi dhe në rrethe të tjera filloi mobilizimi i rezervistëve. Port ë mos harrojmë që, në masë studentët ushtarakë u treguan gjakftohtë edhe pse, përmbajtja e thirrjes së “Komisionit nismëtar për mbrojtjen e interesave të popullit”, tingëllonte si ultimatum. Gjyqi, për “neglizhencë në kryerjen e detyrës, për armatosjen e oficerëve, për mosshmangie të zbrazjes së armëve dhe plagosjen e dy vetave e vdekjen e një të treti”, dënoi me burg: ish-ministrin e Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, 5 vjet; ish-komisarin e Shkollës se Lartë të Oficerëve, Ksenofon Çoni, 4 vjet; ish-komandantin, Arseni Stroka, 3 vjet. Për t’i shpëtuar vuajtjes së dënimit ata shkuan ilegalisht në Greqi, provuan jetën e emigrantit dhe u kthyen kur u shpall amnistia e përgjithshme në vitin 1997. 

Peticioni

“Efektivi i shkollave ushtarake Tiranë, bij të punëtorëve, fshatarëve dhe intelektualëve të ndershëm, të shqetësuar seriozisht dhe të indinjuar thellë nga veprimet kriminale dhe forcave të errëta, ndaj të cilëve partitë politike dhe shoqatat e ndryshme me deklarata janë distancuar prej tyre publikisht, por fatkeqësisht jashtë dëshirës dhe kërkesave të panumërta të popullit shqiptar, gjendja në vend jo vetëm nuk po qetësohet, por keqësohet gjithnjë e më shumë, ndaj kërkojmë;

1.Figura e Enver Hoxhës të vendoset menjëherë me anën e një referendumi mbarëpopullor, dhe ajo të vlerësohet ashtu siç e do populli.

2.Në kushte e demokratizimit të mëtejshëm të vendit dhe të pluralizmit politik, kërkojmë departizimin e ushtrisë.

3.Kërkojmë që figura e ushtarakut të mbrohet me ligj, ajo të jetë e paprekshme.

4.Të zbatohet me rreptësi ligji për mbrojtjen e objekteve që kanë vlera ekonomike, sociale, kulturore, historike, që janë ndërtuar me gjakun dhe djersën e popullit.

5.Kërkojmë që sot, më datën 22.2 1991, ora 17.00 përfaqësues të Presidiumit, të partive politike, të Ministrive të Mbrojtjes e të Punëve të Brendshme, si dhe të mjeteve të propagandës, Radiotelevizionit, organeve të shtypit të takohen me studentët dhe kuadrot e shkollave ushtarake. Takimi do të bëhet në sheshin e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”.

6.Radio-Televizioni të kalojë nën drejtimin e Këshillit Presidencial dhe të japë informacion të plotë për gjendjen në shkallë vendi dhe jo vetëm për ato çka zhvillohen në Tiranë.

7.Efektivat e shkollave ushtarake në Tiranë u bëjnë thirrje të gjitha  partive politike, organizatave dhe subjekteve të ndryshme të largohen  nga fjalët e deklaratat e mëdha dhe të ulen me masat e popullit për t’u siguruar atyre qetësinë dhe stabilitetin në vend, për t’i ndërgjegjësuar me qëllim që të kapërcehet pa dhimbje e gjak situata e rëndë që është krijuar.

Share: