Home KRYESORE “Skandali i madh mund të zbulohet në Prokurorinë e Elbasanit”/ Anila Hoxha:...

“Skandali i madh mund të zbulohet në Prokurorinë e Elbasanit”/ Anila Hoxha: Viktor Ymeri mund të hapë kutinë e Pandorës, ja si funksionojnë kartelat fiktive të punësimit

 Nga Anila Hoxha

Dy monumentet e korrupsionit, IEVP Peqin dhe IEVP Fushë Krujë..

Arrestimi i Enkeleida Hoxhës ktheu edhe njëherë sytë nga vendimmarrjet që nxjerrin nga qelia të dënuar të rrezikshëm. Edhe njëherë u diskutua gjatë procedimit disiplinor të saj përfshirja e një vargu të gjatë njerëzish, të angazhuar për të lehtësuar pozitën e tyre, herë duke i dërguar në bibliotekë e herë duke treguar se ata merren me sport, janë të penduar dhe kanë familjarë jashtë atyre mureve, që kanë nevojë për kujdes. E gjithë kjo zbardhje dosjeje krijon kushte komode për një gjyqtar për të dërguar në shtëpi, të dënuar që nga barra e akuzave u hiqet një e nga një ngarkesa, herë me sekretare, herë me psikologe dhe përherë me vula të institucionit.

Por asnjëherë të vërtetës nuk i është shkuar deri në fund, ne kemi parë vetëm fragmente të saj. A ekziston një skemë e mirëfilltë kriminale, ku burgjet bashkëpunojnë së bashku me inspektorët e SHKB pranë Ministrisë së Drejtësisë, nën dijeninë e shefave për të liruar të burgosur, për të cilët ne informohemi në momentin final?

Një hetim i nisur në Prokurorinë e Elbasanit mund të zbulojë një skandal të përmasave të mëdha, në rast se kjo çështje merret seriozisht dhe nuk do të spostohen me punonjës të rolit tretësor në këtë skemë, të cilët kanë kryer lirimet e pamerituara.

Arrestimi i Viktor Ymerit, një ish i dënuar i përjetshëm i cili kreu bashkim dënimesh dhe me mbledhje të tyre përfundoi në 25 vite dosje, nëse ka vullnet mund të hapë kutinë e Pandorës. Nga ana e burgut të IEVP Peqin, thuhet jo zyrtarisht dhe nën zë dhe me frikë se në dosjen penale të vlonjatit gjenden kartela fiktive punësimi. Këto kartela fiktive, me shkresa false janë vulosur fiktivisht nga IEVP Peqin, paçka se i dënuari nuk ka qenë asnjëherë i punësuar. Praktika e punësimit në IEVP funksionon e tillë, ajo përbëhet nga shefi i sigurisë, shefi ligjor, shefi i edukimit, shefi i financës dhe 2 shefat e regjimit dhe në fund fare drejtori e miraton.

Pra gjashtë persona duhet të firmosnin, duhet të vulosnin në rast se Ymeri ishte i punësuar në burg. Dosja tregon se aty ndodhen kartela të vulosura me vulë të njomë të institucionet, pa ekzistuar asnjë ngritje komisioni për punësimin e tij, madje nuk ekziston as kërkesa e të dënuarit për punësim në burg.

Megjithatë, i dënuari sipas një skeme të mirëfilltë falsifikimi ju drejtua gjykatës së Elbasanit për njohje të ditëve të punës. Kjo ndodh në 2019. Dhe IVEP mban qëndrim pozitiv në gjykatë, tund kokën në mënyrë pohuese dhe aprovon “t’i njihen ditët e punës.”

Paçka se i burgosuri nuk kishte punuar asnjë ditë. Por në mënyrë skandaloze, atij ju njohën rreth pesë muaj punësim duke i dhuruar lehtësim pozite. Megjithëse kjo dosje ndodhet e arshivuar në IEVP Peqin dhe ka brenda saj dokumentat e falsifikuara të përmendura sa më sipër, deri më tani nuk ka asnjë zyrtar të vënë para përgjegjësisë për këtë skandal që është vënë në dijeni SHKB dhe DPB.

Ish i dënuari tjetër, që sot është i lirë quhet Elidon Kotorri. Edhe ai u lirua 3 vite para kohe nga IEVP Peqin me të njëjtën skemë skandaloze. Së pari, në Gjykatën e Krujës të dënuarit ju rrëzua kërkesa për përfitim amnistie në vitin 2014, nga e cila mund të përfitonte një vit. Por në kartelën personale të tij, futet me vulë të burgut të Fushë Krujës sikur atij ju miratua nga gjykata amnistia. E vulosur, e firmosur nga burgu. Edhe kjo mund të verifikohet fare lehtë, mbasi dosja është e arshivuar dhe ka një vendim gjykate të Krujës që ka shpallur mos njohje të përfitimit të amnistisë.

Ndërkohë në dosjen e këtij të dënuari ndodhen kartela fiktive punësimi, që në mënyrë false tregojnë e vulosin sikur ky i burgosur ka punuar diçka rreth 1 vit e 3 muaj. Edhe këto të vulosura nga dy institucione konkretisht ajo e Fushë Krujës dhe e Peqinit.

Ndonëse ekzistojnë inspektorët e SHKB pranë MD, ata rezultojnë se shfaqen si kofini mbas të vjelave. Kështu ndodh edhe me të burgosurin në fjalë. Burgu i Peqinit pa vendim gjykate vendos lirimin e Kotorrit me arsyetimin se kishte përfunduar dënimin prej 25 vitesh, bazuar në praktikën e falsifikuar që i dhuroi atij rreth 3 vite lirim. Çelësi për të dalë në liri ju dhurua mbas fletës së lirimit nga institucioni dhe nga grupi i inspektimit të SHKB dhe drejtorisë së përgjithshme. Këta të fundit, mbasi panë dosjen, ndonëse të informuar që Kotorri s’kishte punuar asnjë ditë, që Kotorri s’kishte amnisti me vendim gjykate, aprovuan lirimin e tij dhe e konsideruan dosjen të rregullt.

I dënuari i tretë, quhet Altin Skendaj. Ai u transferua nga IEVP VLORË në IEVP Peqin. Në 2019, me urdhër të ministres ndodh klasifikimi i burgjeve dhe Peqini u cilësua burg i sigurisë së lartë dhe sektori i sigurisë së zakonshme u shpërnda ne burgjet e sigurisë së zakonshme. I dënuari , u transferua për shkak të sigurisë së zakonshme sa më afër vendbanimit. Pra u dërgua ne Fier.

Deri këtu për një sy sipërfaqësor ngjan në rregull.

Por me urdhër DPB, ky person transferohet në Fushë Krujë, pa argument, pa arsye, pa shkak. Në fakt, shkaku mësohet menjëherë mbasi ai lirohet nga Gjykata e Krujës. Për lirimin e tij, dhuratën e kishte dhënë Peqini me kartelë fiktive e kishte punësuar ndonëse ai asnjë mëngjes nuk shkoi në punën e burgut. Edhe në këtë rast, nuk pati asnjë inspektim, asnjë verifikim për ta shkërmoqur këtë zinxhir skandaloz edhe pse strukturat ngjajnë të realizuara dhe duken sikur rigorozisht po kryejnë detyrën.

Raste si këto të treja, me shkresa fiktive dhe dosje të fryra me letra false janë një praktikë shqetësuese që po kryhet haptazi. Që askush nuk i ka inspektuar. JO sepse nuk ka informacion, por nga luga e çorbës së prishur që kanë gëlltitur.

p.s . Skema e punësimit për të dënuarit është e tillë-funksionon në baze të organikës së punësimit e cila afishohet në sektorët përkatës dhe regjistrat e hyrje daljeve në regjimin e brendshëm. Në këtë regjistër shkruhet orari dhe destinacioni i dënuarit ku tregohet nëse shkoi për të punuar në bibliotekë, kuzhinë apo magazinë dhe kur u kthye ai. Vec kësaj kamerat e sigurisë në burg janë funksionale.

Pyetja është, çfarë ndodh me të korruptuarit në burgje?

Top Channel

Share: