Home Gjeo-Ekonomia Kosova në NATO, një rrugëtim me pengesa që duhet bekuar!

Kosova në NATO, një rrugëtim me pengesa që duhet bekuar!

Nga Azem PARLLAKU

Kosova kërkon të jetë pjesë e NATO-s nisur nga situata delikate e sigurisë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Autoritetet drejtuese të Kosovës po bëjnë thirrje për këtë qëllim duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri, referuar zhvillimeve tëditëve të fundit në kontinentin europian.

Autoritetet e Beogradit nga ana e tyre thonë, se i kanë të njohura synimet e Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, jo më larg se dy ditë më parë tha se “ka dëgjuar për këtë ide rreth gjysmë viti më parë nga shërbimet e sigurisë serbe dhe se kjo është ide e lobiistëve shqiptarë, e disa politikanëve nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-së, që t’i detyrojnë vendet e BE-së, që janë anëtare të aleancës dhe që nuk e kanë njohur Kosovën, t’a bëjnë këtë”.

Kosova aplikoi për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe në vitin 2012, katër vjet pasi shpalli pavarësinë e saj nga Serbia dhe të njëjtin vit që përfundoi edhe mbikëqyrja e Kombeve të Bashkuara mbi Kosovën. Në vitin 2016, qeveria e Kosovës bëri përpjekje për të forcuar bashkëpunimin e saj me NATO-n, por ishte Spanja ajo që doli shprehimisht kundër saj. Në vitin 2017, megjithatë, NATO pranoi ta forcojë bashkëpunimin e saj me Kosovën, por vetëm midis forcës paqeruajtëse të KFOR-it dhe zyrës ndërlidhëse dhe ekipit këshillues të NATO-s në Prishtinë.

NATO dëshiron që Siguria e Kosovës t’i përmbahet mandatit të saj origjinal nga viti 2009, e cila e përkufizon atë si një forcë e katastrofës emergjente, për shkak të pikëpamjeve të shteteve anëtare të aleancës që nuk e njohin. Çdo shtet anëtar i NATO-s ka të drejtën e vetos, gjë që e bën të pamundur që Kosovës t’i jepet një Plan Veprimi për Anëtarësim i cili përcakton hapat e nevojshëm që një vend të bëhet përfundimisht një anëtar i plotë i NATO-s.

Forcat e Sigurisë së Kosovës janë zhvilluar në përputhje me standardet e NATO-s, dhe kanë treguar ndërveprimin e tyre shumë efikas gjatë stërvitjeve në terren multilateral me ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s, të tilla si stërvitja e përbashkët Defender Europe-21 e udhëhequr nga Ushtria Amerikane së bashku me aleatë të ndryshëm të NATO-s në fillim të këtij viti.

Ka qenë Kongresi Amerikan, ai që në vitin 2016 në kuadër të “Defense Authorization Act”, i bëri thirrje Administratës që të punojë me Republikën e Kosovës për t’a përgatitur në hyrjen e Programit të Partneritetit për Paqe (PfP), në kuadër të NATO-s”. Nëpërmjet atij vendimi, Kosova edhe njëherë u rikthye në kontekstin euroatlantik dhe çështja shqiptare vijoi të jetë pjesë e agjendës ndërkombëtare dhe e aleatëve tanë strategjikë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe kësaj here treguan sesa rëndësi i japin përparimit të vlerave universale, duke shpërfillur një nga ironitë e kohës e cila këtë përkrahje shpesh e përkthen si një shprehje e aspiratave hegjemoniste dhe dëshirës së Amerikës që të shpërndajë peshën e saj përreth si një superfuqi.

Në fakt, më së shumti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është çelur dhe përhapur epoka e triumfit të të drejtave njerëzore, e vlerave të lirisë, drejtësisë, sigurisë dhe bashkëjetesës së popujve në shkallë të gjerë, pavarësisht kombësisë, racës, fesë apo bindjeve të ndryshme. Roli i Amerikës në krijimin e organizatave e institucioneve të përbashkëta të karakterit politik, ekonomik, e ushtarak, u ka krijuar kushte shteteve të mëdha dhe atyre më të vegjël të koordinohen dhe të ndërveprojnë bashkërisht.

Në këtë kontekst, në botën e sotme garanci e madhe për shtetet e vogla siç është Kosova, përbën vetëm NATO, e cila si një fuqi e padiskutueshme garanton jo vetëm sigurinë e këtyre shteteve, por dhe stabilitet dhe zhvillim demokratik kundër regjimeve dhe individëve që duan t’u kundërvihen tendencave historike për emancipimin e pandërprerë demokratik të shoqërisë njerëzore.

Problemet e sigurisë përbëjnë një fakt që është i përbashkët si për shtetet e vogla, ashtu edhe ato të mëdha. Për këto të fundit ky program nuk është vënë në dyshim që prej qindra vjetësh, ndërsa mbijetesa e shteteve të vogla vazhdon të zgjidhet në radhë të parë nga vetë këto shtete. Përjashtim nga ky rregull përbën deri më sot mbrojtja që, u ishte ofruar shteteve të vogla në Evropën Perëndimore gjatë Luftës së Ftohtë e në vazhdim nga NATO. Rasti i luftës në Kosovë dhe garancia që u ofron NATO shteteve fqinjë me Kosovën dhe Serbinë, dhe frenimi i Serbisë në aventurat e saj me shtete të tjerë fqinj, tregon se, së paku në drejtim të sigurisë së jashtme edhe shtetet e tjera të Evropës edhe pse nuk janë anëtare të NATO-s, janë të mbrojtura prej saj.

Hyrja e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe në kuadër të NATO-s, është rrjedhojë logjike e gjithë asaj çfarë kanë bërë NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe për të gjithë shqiptarët në Ballkan. Kosova me pozicionin e saj natyror konsiderohet si, zemra gjeopolitike e Gadishullit të Ballkanit dhe një rajon me rëndësi gjeostrategjike. Ajo shihet si nyja nëpërmjet së cilës kontrollohen të tëra boshtet natyrore të Ballkanit, pasi edhe zona më kritike e Gadishullit ndodhet brenda trekëndëshit gjeografik Kralevo-Shkup-Sofje, trekëndësh në të cilin përfshihet edhe Kosova.

Për rëndësinë strategjike që ka Kosova ish Presidenti amerikan Bill Klinton është shprehur “Kosova është një vend shumë i vogël, por ajo shtrihet pikërisht në vijën ndarëse të Evropës Azisë dhe Lindjes së Mesme, është shenja ndarëse ndërmjet Islamizmit dhe Kristianizmit, pranë aleatëve tanë turq dhe grekë në jug, aleatëve të rinj Hungarisë Polonisë dhe Republikës Çeke në veri”. Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërtuar bazën më të madhe ushtarake në rajon, e cila mban emrin e heroit të luftës së Vietnamit James Leroy Bondstël, dhe konsiderohet si një investim që, të paktën deri tani ka kushtuar 300 milion dollarë.

Aktualisht, Kosova është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që nuk e ka nënshkruar Programin e PfP-së, teksa fqinjët si: Shqipëria (1994) dhe Maqedonia e Veriut (1995) ishin ndër të parat që e nënshkruan PfP-në, më pas këtij programi i’u bashkangjit edhe Kroacia (2001). Raundi i fundit i nënshkrimit të PfP-së, me shtetet e Ballkanit Perëndimor u arrit në Samitin e Rigës në vitin 2006, ku Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia iu bashkëngjitën Programit.

I bazuar në bashkëpunimin praktik dhe angazhimin ndaj parimeve demokratike që janë baza e vetë Aleancës, qëllimi i PfP-së është që, të rrisë stabilitetin, të zvogëlojë kërcënimet ndaj paqes dhe të ndërtojë marrëdhënie të sigurta e të fuqizuara, ndërmjet vendeve partnere individuale dhe NATO-s, si dhe ndërmjet vetë vendeve partnere. Thelbi i programit PfP-së, është partneriteti i formuar individualisht ndërmjet çdo vendi partner dhe NATO-s, i përshtatur sipas nevojave individuale dhe i zbatuar bashkërisht në nivelin dhe ritmin e zgjedhur nga secila qeveri pjesëmarrëse.

Baza formale për Partneritetin për Paqe është Dokumenti Strukturor, i cili cakton detyrat e veçanta për çdo vend partner. Secili partner merr përsipër një numër angazhimesh të gjithanshme politike për të mbrojtur shoqëritë demokratike, për të ruajtur parimet e të drejtës ndërkombëtare, për të përmbushur detyrimet sipas Kartës së OKB-së, Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Aktit Final të Helsinkit, marrëveshjeve për kontrollin e armëve, heqjen dorë nga kërcënimet ose përdorimi i forcës kundër shteteve të tjera, respektimin e kufijve ekzistues dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore.

Merren gjithashtu angazhime të veçanta për të nxitur transparencën në planifikimin e mbrojtjes dhe buxhetit kombëtar, për të vendosur një kontroll demokratik mbi Forcat e Armatosura dhe për të zhvilluar kapacitetin për veprime të përbashkëta me NATO-n, për ruajtjen e paqes dhe operacionet humanitare. Dokumenti Bazë mishëron gjithashtu një angazhim të aleatëve për t’u këshilluar me çdo vend partner i cili percepton një kërcënim direkt ndaj integritetit të territorit të tij, pavarësisë politike ose sigurisë një mekanizëm të cilin, për shembull, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e vunë në përdorim gjatë krizës në Kosovë.

Vendet partnere zgjedhin veprimtaritë individuale të bazuara në aspiratat dhe aftësitë e tyre. Këto u propozohen aleatëve në një Dokument Prezentues. Më pas hartohet bashkërisht një Program Individual Partneriteti i cili pranohet nga NATO dhe çdo vend partner. Këto programe dyvjeçare hartohen nga një listë e gjerë veprimtarish, sipas interesave dhe nevojave të veçanta të çdo vendi. Bashkëpunimi përqendrohet veçanërisht në punët që kanë lidhje me mbrojtjen, reformën e mbrojtjes dhe administrimin e pasojave të reformës së mbrojtjes, por virtualisht prek çdo fushë të veprimtarisë së NATO-s, përfshirë politikën dhe planifikimin e mbrojtjes, marrëdhëniet civilo-ushtarake, edukimin dhe stërvitjen, mbrojtjen ajrore, sistemet e komunikimit dhe informacionit, administrimin e krizave dhe planifikimin e emergjencave civile. Partneriteti për Paqe (PfP) ishte një iniciativë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) që, nga viti1994 pas Samitit të Brukselit. Kjo iniciativë u konsiderua si hap i rëndësishëm strategjik, i cili mundësonte kushte të volitshme për një bashkëpunim të ndërsjellë në mes NATO-s dhe shteteve që dolën nga Pakti i Varshavës, si dhe shteteve të tjera post-komuniste të Evropës.

Që nga fillimi i kësaj iniciative, roli i Programit të PfP-së, ka qenë dhe mbetet vendimtar në përcaktimin e proceseve të ardhshme të integrimeve Euroatlantike. Përvoja e dy dekadave të fundit, ka dëshmuar se, ky hap është konsideruar si gjysma e rrugëtimit drejt anëtarësimit të plotë në NATO.

Si rezultat i kësaj qasjeje, NATO ka shtrirë veprimtarinë e saj përtej përpjekjeve për ruajtjen e sigurisë në territoret e shteteve anëtare, duke bashkëpunuar më shumë në aspektin e sigurisë në nivelin rajonal dhe global. Prandaj, me të drejtë mund të thuhet se PfP-ja, i paraprinë anëtarësimit përfundimtar në NATO.

Deri tani, Kosova është njohur nga pjesa më e madhe e shteteve anëtare të OKB-së, ku përfshihen shumica dërmuese e vendeve më të fuqishme demokratike perëndimore. Megjithatë, ende janë disa shtete të rëndësisë kyçe të cilat nuk e njohin Kosovën. Mes këtyre vendeve vlen të përmenden, dy anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia dhe Kina, si dhe pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, katër prej të cilave janë gjithashtu anëtare të NATO- s; Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia. Refuzimi i tyre për të njohur Kosovën, ka ngadalësuar rrugën e saj drejt proçesit integrues rajonal dhe Euroatlantik, pavarësisht nga përpjekjet e qeverisë së Kosovës.

Në rastin e integrimit në NATO, problemi kryesor konsiston në qëndrimin e katër anëtarëve të NATO-s, të lartpërmendur që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës. Refuzimi i tyre për ta njohur Kosovën zyrtarisht mund të vështirësojë marrëdhënien kontraktuale në mes NATO-s dhe Kosovës.

Ndërkohë që, praktikisht vlen të theksohet se përmes pjesëmarrjes së këshilltarëve të KFOR-it, Rumania dhe Greqia kanë mbështetur përpjekjet për konsolidimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Nga ana tjetër, Spanja dhe Sllovakia drejtpërsëdrejti nuk i mbështesin përpjekjet për konsolidimin e FSK-së, teksa nuk kanë shfaqur ndonjë tendencë për ta bllokuar procesin. Tërheqja e kontingjentit sllovak dhe atij spanjoll nga misioni i KFOR-it, ka rezultuar se ka të bëjë më tepër me problemet e tyre të brendshme dhe reduktimet buxhetore në sektorin e mbrojtjes. Gjatë dhjetë viteve të prezencës në Kosovë, Spanja ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në misionin e KFOR-it, ku në total shërbyen disa mijëra ushtarë spanjoll, ndërsa në vitin 2000, NATO- ja emëroi si udhëheqës të misionit të KFOR-it, spanjollin Gjeneral-lejtnant Juan Ortuno.

Rishikimi i qasjes së NATO-s ndaj Kosovës patjetër që do të shkojë drejt zëvendësimit gradual të rolit të saj aktual, e që ushtrohet përmes pranisë direkte fizike, në favor të një mbështetje më të theksuar ndaj institucioneve të Kosovës. Programi PfP-së është dëshmuar si një instrument i rëndësishëm që përdoret nga NATO-ja për të mbështetur vendet në zhvillim në ndërtimin e sektorit të sigurisë bazuar në praktikat demokratike. Mbështetja e instrumenteve të transformimit përmes PfP-së do të përforcojë edhe kapacitetet e shoqërisë civile.

Përgjatë viteve fushëveprimi i KFOR-it në Kosovë është transformuar në mënyrë të konsiderueshme dhe mbi të gjitha u reduktua numri i personelit ushtarak. Aktualisht KFOR-i ka rreth 3700 trupa në terren dhe planifkimi për reduktim e mëtejshëm të personelit të KFOR-it, radhitet ndër pikat e para në agjendën zyrtare të NATO-s. Kjo pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë në tërë territorin e Kosovës, me përjashtim të pjesës veriore. Me fjalë të tjera, nevoja për praninë e KFOR-it dhe rolin e tij, duhet të fokusohet vetëm në pjesën veriore përderisa në pjesët tjera të Kosovës çështjet të ndërlidhura me sigurinë, veçanërisht ato të sigurisë publike, janë nën autoritetin e Policisë së Kosovës. Reduktimi i trupave është evidentuar edhe në diskursin ndërkombëtar dhe në dokumente, duke theksuar se misioni i KFOR-it, është i përkohshëm dhe se prania e tij në Kosovë duhet të rishikohet në përpjesëtim me gjendjen e sigurisë dhe dorëzimin e përgjegjësive tek institucionet vendore të sigurisë. Deri atëherë, roli i KFOR-it pritet të jetë thelbësor në mbështetjen e proçesit të ndërtimit të kapaciteteve të institucioneve vendore, veçanërisht të Forcave të Armatosura të Kosovës.

FSK-ja, si pararendëse e Forcave të Armatosura të Kosovës, përfaqëson një force të sigurisë që është themeluar rishtazi, aktualisht e mandatuar me një mision civil “për të përmbushur funksionet e sigurisë që nuk i përkasin policisë ose organizatave tjera të zbatimit të ligjit”, dhe konsiderohet të jetë pasardhëse e pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Efektivat e FSK-së në baza vullnetare janë profesionistë me strukturë të uniformuar dhe të armatosur lehtë, ndërsa struktura e tyre e hierarkike bazohet tërësisht në sistemin ushtarak të NATO-s. Në tërësi, proçesi i rekrutimit, trajnimit dhe ndërtimit të kapaciteteve të FSK-së është udhëhequr nga NATO.

Megjithatë, mandati aktual i FSK-së do t’i nënshtrohet rishikimit, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ndryshimet e ardhshme të misionit të Forcave të Armatosura të Kosovës do të këshillohen dhe monitorohen nga NATO. FSK-ja ka shënuar bashkëpunim në nivel bilateral dhe multilateral duke demonstruar pjekurinë e Kosovës për t’u anëtarësuar në programe të rëndësishme siç është PfP-ja.

Ky bashkëpunim nuk është shtrirë vetëm në nivel rajonal, por edhe përtej tij. FSK-ja ka nënshkruar Marrëveshjen mbi Statusin e Forcave (SOFA) me Shtetet e Bashkuara, e cila padyshim paraqet një nga arritjet më të mëdha për FSK-në. Deri më tani, bashkëpunimi bilateral dhe multilateral i FSK-së me NATO-n dhe shtetet jo-anëtare të NATO-s është ushtruar kryesisht në kontekstin e shkëmbimit të përvojave dhe, më konkretisht, disa vende kanë ofruar trajnime dhe mbështetje për konsolidimin e FSK-së. Nga hulumtimet e kryera rreth kësaj qasje është evidentuar bashkëpunim i ngushtë dhe platforma për ngritjen e kapaciteteve të vendosura me Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Turqinë, Britaninë e Madhe, Slloveninë, Gjermaninë, Danimarkën, Suedinë si dhe vende tjera.

Programi i PfP-së në kuadër të NATO-s, padyshim që do të jetë një ngjarje me shumë rëndësi për popullin e Kosovës, ndërkohë që do të përkthehet në detyra konkrete për qeverinë, institucionet dhe shoqërinë civile, për të përmbushur jo pak reforma përmes këtij Programi, duke e shndërruar Kosovën një vend të sigurive të besuara dhe të gatshme për t’u qasur në kohën e duhur, duke e sintonuar çdo hap drejt integrimit euroatlantik.

Share: