Home Gjeo-Ekonomia Reportazhi i “Le Figaro”/ Si po jetohet në Beograd agresioni rus

Reportazhi i “Le Figaro”/ Si po jetohet në Beograd agresioni rus

Nga Beogradi për “Le Figaro” Milica Cubrilo/ Përktheu për Lapsi.al T Çela

Nikola Tesla është aeroporti i vetëm evropian i cili vazhdon të sigurojë lidhjen ajrore me Rusinë: dy fluturimet direkte të Air Serbia, nisen dhe kthehen nga Moska çdo ditë. Që nga 21 marsi, nën presionin e Evropës dhe Ukrainës, frekuenca do të bjerë në një fluturim ditor, vajtje-ardhje ndërsa të premten do të vazhdojë të ketë dy fluturime.
I mëdyshur mes Lindjes dhe Perëndimit, Beogradi po bën shumë pirueta në skenën diplomatike, të shndërruar në një fushë të minuar. Ndërsa këmbëngul në besimin e tij tek e drejta ndërkombëtare dhe respekti për “sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, refuzon ti bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

Vërtet, Serbia e mbështeti rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të 2 marsit, ku u dënua pushtimi rus, por njeriu i fortë i Beogradit ka sqaruar se ky vendim u mor “pasi teksti nuk përmendte sanksionet”. Ai kujtoi se Rusia nuk i’u bashkua embargos kundër Serbisë gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi në vitet 1990.

“Ne presim nga vendet kandidate të BE-së që ata ti harmonizojnë qëndrimet me politikën e jashtme të Bashkimit dhe sanksionet, duke iu bashkuar një komuniteti ndërkombëtar të civilizuar, të bazuar në sundimin e ligjit”, këmbënguli më 15 mars, zëdhënësi i BE-së Peter Sano.

Duhet pranuar se Beogradi gjendet në një pozicion delikat. Vendi është kandidat për integrim në Bashkimin Evropian, BE-ja është ekonomikisht partneri kryesor i saj, por qeveria nuk mund të rrezikojë të humbasë mbështetjen e Moskës, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për çështjen e ndjeshme të Kosovës. Serbia nuk dëshëron gjithashtu ta vërë në dyshim furnizimin me pajisje ushtarake dhe veçanërisht me gazin rus, nga i cili vendi varet tërësisht.

Luaj kartën e neutralitetit

Mbi të gjitha, kur kanë mbetur më pak se tre javë nga zgjedhjet – presidenciale, legjislative dhe ato të pjesshme lokale të 3 prillit, qeveria ka interes të luajë kartën e neutralitetit. Së pari sepse pakënaqësia ndaj NATO-s, e cila bombardoi Serbinë për 78 ditë me radhë gjatë luftës së Kosovës, në vitin 1999, mbetet shumë e fortë. “Një pjesë e madhe e shoqërisë analizon konfliktin në Ukrainë përmes prizmit të vitit 1999, si një lloj hakmarjeje ndaj Perëndimit. Kjo ndjenjë është rezultat i propagandës pro-ruse që ka ndërmarrë Partia Përparimtare Serbe (SNS) që kur erdhi në pushtet.”
beson politologu Dushan Spasojeviç. 

Kështu, shtypi tabloid, nën urdhrat e regjimit, nuk hezitoi të merrte anën e Kremlinit që nga fillimi i pushtimit: “Ukraina sulmon Rusinë”, ishte titulli i
“Informer” , e cila specifikonte se “amerikanët dhe britanikët duan luftë me çdo kusht”. Në anen tjeter, grupet e ekstremit të djathtë, si p.sh Patrulla e Popullit (Narodna Patroñla), organizuan në Beograd dy mitingje në mbështetje të Rusisë. Në 4 dhe 11 mars, aty u valvitën flamuj serbë, rusë si dhe “Z”-ja, simbol i forcave pro-ruse. Aty u kënduan himnet e të dy vendeve duke brohoritur: “NATO Kriminale”, “Rusët dhe Serbët janë vëllezër”, “Krimeja është Rusi; Kosova është Serbi”.
Ndërsa opozita, është treguar e kujdesshme që të mos mbajë anën e agresorit në Ukrainë: “Qytetarët e Serbisë e dinë mirë se ç’janë tmerret dhe absurditetet e luftës. Ne bëjmë thirrje për paqe dhe për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë”, thotë Dragan Gjilas i  koalicionit të qendrës së djathtë ‘Liri dhe Drejtësi”.  

Pak a shumë të njëjtin qëndrim ka dhe ish-presidenti Boris Tadiç, i cili ka krijuar një koalicion rreth Partisë së tij Socialdemokrate. Ai e konsideron luftën si një “agresion”, “faj të Putinit”, por nga ana tjetër i quan “sanksionet e pakontrolluara ndaj Rusisë, gabime që të kujtojnë kohën e makartizmit”.

Rusët kundër Putinit

Vetëm përfaqësuesit e koalicionit të ri të ekologjistëve të majtë “Moramo” i janë bashkuar demonstratave të organizuara kundër luftës, në Beograd dhe në Novi Sad, nga lëvizjet paqësore si “Gratë me të Zeza”, apo nga komuniteti i vogël ukrainas që gjendet në Serbi. “Jo luftës”, “Nuk e duam diktaturën”, thërrisnin disa qindra demonstrues në datat 6, 13 dhe 16 mars. Disa qytetarë rusë të vendosur në kryeqytetin serb, të cilëve i janë bashkuar edhe bashkëatdhetarët e tyre që kanë mbërritur ditët e fundit, marshuan me një flamur ukrainas disa dhjetëra metra të gjatë ku binte në sy slogani: “Putini nuk është Rusia!” 

Simbol i kësaj ndarjeje të thellë të popullssë është edhe një pikturë murale e Putinit që shfaq në qendrën historike të Beogradit në fillim të pushtimit rus: ajo restaurohet pareshtur dhe më pas zhgaravitet çdo ditë, në varësi të demostruesve të secilit kamp.

Le Figaro/ Lapsi.al

Share: