Home Gjeo-Ekonomia Zelensky do të flasë në parlamentin grek, kundër “Zgjidhja greke” dhe komunistët

Zelensky do të flasë në parlamentin grek, kundër “Zgjidhja greke” dhe komunistët

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do të flasë në parlamentin grek të mërkurën ose të enjten rreth orës 12:00, ka bërë me dije zëdhënësi i qeverisë greke Giannis Oikonomou mesditën e së hënës.

Fjalimin e tij në telekonferencë, janë ftuar ta ndjekin 300 deputetët e parlamentit grek, ndërsa do të ketë përkthim në greqisht dhe anglisht.Zelensky ka pranuar me kënaqësi ftesën që i ka bërë Kryeminstri Mitsotakis gjatë një bisede telefonike që ka pasur me të javën e kaluar,në të cilën kreu i qeverisë greke i ka theksuar liderit ukrainas, rolin e rëndësishëm që ka luajtur Odessa dhe rajoni i Detit të Zi në tërësi, në historinë e Revolucionit Grek.

Edhe partia më e madhe opozitare Syriza, duke e quajtur një lëvizje pozitive solidariteti, e ka mbështetur ftesën për fjalimin e presidentit ukrainas në parlamentin grek, e cila vjen pas disa fjalimeve të tij në disa parlamente të shteteve evropiane si Gjermania dhe Franca.

Të njëjtin qëndrim ka shprehur edhe “Lëvizja për Ndryshim” e socialistëve grekë, ndërkohë që Partia Komuniste Greke duket se do të abstenojë nga pjesëmarrja në fjalim. “Zelensky përfaqëson një qeveri reaksionare, të mbështetur nga kampi SHBA-NATO-BE dhe është përgjegjës, ashtu si Rusia, për dramën e popullit ukrainas.

Për vite me radhë kjo qeveri ka mbështetur dhe integruar organizatat naziste, ka persekutuar dhe burgosur komunistët, ka nxjerrë jashtë ligjit Partinë Komuniste të Ukrainës. Qëndrimi ynë është i qartë dhe ne do të bënim të njëjtën gjë nëse do të vinin Putin, Biden etj.

Edhe partia e djathtë parlamentare “Zgjidhja Greke” shprehu kundërshtime për fjalimin e zotit Zelensky në parlament. “Kryeministri, pa informuar liderët politikë si zakonisht, i bëri thirrje presidentit të Ukrainës që të flasë me telekonferencë në parlamentin grek. Zgjidhja Greke” pret me padurim shpjegimet e zotit Zelensky për marrëveshjen e mbrojtjes që ka nënshkruar me Turqinë shumë kohë përpara luftës, e cila është kundër interesave greke dhe sigurisë sonë kombëtare, si dhe qëndrimet e tij për sjelljen e shtetit ukrainas ndaj pakicës kombëtare greke” thekson deklarata e kësaj partie.

Zëdhënësi i qeverisë greke ka pohuar sot deklaratën e presidentit francez Macron, se Greqia është pjesë e operacioneve të përbashkëta greko-turke-franceze, për ata banorë që duan të largohen nga qyteti martir i Mariupolit. Disa ditë më parë kreu i diplomacisë greke ka njoftuar se do të udhëheqë një mision humanitar me ndihma për banorët e këtij qyteti.

Top Channel

Share: