Home Gjeo-Ekonomia U bë Mitrovica si fshat japonez – këtu pashë veç të moshuar…

U bë Mitrovica si fshat japonez – këtu pashë veç të moshuar…

Nga Kimete Berisha

Kronikë në urë!
U bë Mitrovica si fshat japonez – këtu pashë veç të moshuar.
…kanë mbetur veç ata që nuk mund të largohen;
Ata që janë dorëzuar;
Ata që nuk kanë ku të shkojnë – se askush askund nuk i pret;
Ata që nuk presin më asgjë nga ky qiell;
Dhe ata që kënaqen me pak gjë.
I bëra 7 km këmbë, nuk lashë kë pa e shikuar në fytyrë – asnjë i qeshur, i gëzuar a i
i pispillosur.
Gjithnjë duke i harruar ata që nuk dalin me vite nga shtëpia.
Nga këtu janë larguar edhe familja e presidentjes.
S’e di pse letërsia dhe legjendat e kanë mbivlerësuar vendlindjen.
Vendlindja është e mirë veç për të vdekur
në të..
Dante Alighieri la amanet të varroset në vendlindjen që e përzuri.
Në gurin e varrit të tij, epitafi shkruan ‘Firenca, Nëna që më deshi pak’.
Ty, a të merr malli për vendlindje apo për dashuri!
A i viziton fushat ku le lozuar për shkak të fushave apo për shkak të lojës, apo për shkak të shokëve të lojës.
A e do lojën, a e do vendin e lojës apo ata me të cilët ke lojjtur!
Lojën e do.
Kur merr fund loja – shpërndahen shokët.
Sa më i vjetër aq më ‘i poshtër’ bëhesh, më egoist, të dhimbset edhe buzëqeshja ta japësh falas!
(E kam hetuar te vetja. Sa më e vjetër – më ‘e poshtër’)
Mbërrolesh, e shikon veç veten, pendohesh pse e ke derdhur dashurinë si kroi që nuk pushon kurrë…
se uji që derdhet, si dashuria – nuk kthehet më te ti.
Ti ke dhënë gjithçka – Ai ka dhënë gjithçka – Ata kanë dhënë krejt çka kanë pasur – e në fund janë braktisur nga të gjithë, sepse nuk kanë pasur të japin më.
Krye shpirti ka mbetur vetëm zhgënjimi.
Kur je i ri e jep shpirtin për dashuri, kur vjetërohesh ‘ia merr shpirtin’ me
ankesa, me pakënaqësi, me atë zbrazëtinë që nuk e mbush as urrejtja dhe hakmarrja më e madhe – secilit që të del përpara.
Prandaj, pleqëria është indiferente: pleqtë as nuk mërziten – as nuk gëzohen, shkaku se nuk janë protagonistë kryesor të ngjarjeve: do të mërziteshin vetëm nëse i qan ata, dhe do të gëzoheshin vetëm nëse gëzimi bën fjalë për ‘ta.
Kjo quhet urtësi dhe gjithmonë vjen me vonesë.
Qeveria Kurti e ka plakur Kosovën.
Të gjithë duan të ikin.
Më dhimbshëm se në çmendinën e Paolo Coehlos. Nga Çmendina e Veronikës, askush nuk do të largohet.
Për dallim nga pleqtë japonez, shqiptarët nuk jetojnë gjatë – sepse kanë kaluar shumë kohë duke i dashur të tjerët – dhe vonë janë mësuar ta duan veten, pak.
Atëherë kur të gjithë janë largur.
P.S. Era po fryen – fort.
Te ura e Ibrit.
Majtas një plak serb shet papuçe të zeza me kordele (thuajse këmba që largohet- mban zi) – djathtas një shqiptar shet papuçe të kuqe me rruaza (thuajse shqiptarët shkojnë veç për dasma).
Dikush po e rrëzon shtëpinë e vjetër.
Kujtimet dhëmbin veç kur bëhen pluhur.
Qentë e kanë pushtuar qytetin: çarshia treguan se pushtimi nga qentë është krim i organizuar.
Asgjë nuk ndodh as në teatër, as në klasën e muzikës, as në bibliotekë.
Në shtetin tonë veç librat nuk janë shtrenjtuar dhe miqësia ende kushton lirë.
Hoxha ta rikujton vdekjen sahat e dakik.
Këndon me zë shumë të lartë, e zëri i lartë është mendjemadhësi, sipas Zotit.
Mos fol me zë të lartë, ka porositur Pejgamberi dhe mos ec me mendjemadhësi.
Xhamia gjithmonë në alarm – ta nxjerr gjumin, ta këput mendimin, këputen ndjenjat si bishta të kapura me ngjitës në zemër…
Sa i lehtë ky profesion. Çfarë fati i bekuar nga Zoti të jesh kler fetar.
Këndon, ligjëron, mban vajs – asgjë kurrë nuk punon.
Më i lehtë se profesioni i valltarëve: Kurrë nuk e kam kuptuar pse shteti i paguan njerëzit të vallëzojnë, të këndojnë, të shkruajnë vjersha, dhe të luajnë në teatër.
Gati asgjë nuk kuptoj.
Ta pyes Elvis Naçin njëherë: Pse bën si Jesusi, e lutesh t’i falë Zoti të gjithë mëkatarët?
Pse lutesh t’i falë Zoti edhe vrasësit tonë!
Nuk e kuptoj këtë lutje. Kurrë nuk e kam kuptuar.
Kërkoj sqarim: Pse duhet të mëshirohet nga Zoti si njeriu i mirë si vrasësi (mëkatari).
Ti bëj keq sa të duash – se në fund Zoti të fal.
Unë Elvisin e kam mësuar se sikur të falte Zoti nuk do ta krijonte Ferin.
Tregojuni njerëzve drejt: se do ta paguajnë shtrenjtë secilin mëkat.
Kur u thua se Zoti i fal mëkatarët, pa dashur, i frymëzon të bëjnë edhe pak keq, dhe në fund, kur të lodhen dhe nuk kanë më trup e zemër të bëjnë keq – nisin e pendohen…
Sepse, ti po Ju thua se Zoti i fal.
Përpara, kur kaloja kah varrezat, e ndalja
muzikën në veturë dhe lutesha për të vdekurit.
Një ditë prej ditësh, e hetova veten duke gabuar. Sepse, aty ka njerëz të mirë dhe shumë të këqij.
Pastaj, e redaktova lutjen: ‘Prehuni në paqe – njerëz të mirë’.
Lutja nuk vlen për mëkatarët.
Por kjo paska ndodhur kaherë…Kur isha më e re, pra kur isha njeri më i mirë. Tash jam mbushur mend – lutem vetëm për veten.
Po dorëzohem.
Kaherë nuk jam lutur as për veten. Lutu sa të duash: kur s’e do s’e do s’e do.

Share: