Home Approccio Italo Albanese Zucchero, kantautori italian, “Sheqer” për antonomazi. 🎼🎤🎸🎩

Zucchero, kantautori italian, “Sheqer” për antonomazi. 🎼🎤🎸🎩


Di Adela Kolea

  • Emrin “Zucchero” – “Sheqer”, ia pati vënë mësuesja e shkollës fillore.

Ai është një nga kantautorët më të aftë që kemi këtu në Itali dhe nga të preferuarit e mi.
Nga më të njohurit artistë italianë në arenën ndërkombëtare.

Ka lindur në zonën rrotull nesh, Reggio Emilia.
Koincidenca deshi të jenë me origjinë nga lokalitete të afërta, ai dhe Giuseppe Verdi e me gjithë ndryshimet epokale apo ato të stilit e zhanrit muzikor përkatës, si emërues të përbashkët ata të kenë dy gjëra të ngjashme:
muzikën dhe kapelen, tip borsalino.
Elementë dallues këta për të dy, ikonikë.

Ndalem shpesh në analizimin e teksteve të këngëve të tij, që i bëjnë kompeticion të ashpër edhe vetë muzikës së tij brilante.

Tekstet e këngëve të tij janë secili, i kushtuar dikujt apo diçkaje që ai ka hasur përgjatë gjithë jetës së vet, autobiografikë pothuajse të gjithë.
Nuk lindin nga rastësia, janë të kërkuar.

Duke nisur që nga emri i artit “Zucchero” – “Sheqer”, se ai në realitet quhet Adelmo Fornaciari.

Emrin “Zucchero” – “Sheqer”, ia pati vënë mësuesja e shkollës fillore.

Ajo e thërriste:

“Sei dolce come lo zucchero!” – “Je i ëmbël si sheqeri!”, sepse ai ishte fëmijë shumë i urtë e i ëmbël.

E ky zgjodhi Zucchero-n si emër arti, madje i ka sjellë fat të ëmbël në karrierë,- thotë…

Më ka bërë përshtypje çdo tekst kënge e tij, sepse pasqyrojnë çdo fazë të tij të jetës, me momente të lumtura a të hidhura.

P.sh qeshë ndalur veçanërisht te kënga e tij “Chocabeck”.

“Chocabeck” është një neologjizëm i sjellë prej tij.

Nuk ekziston në fjalorin italian të gjuhës.
Është bashkimi i dy termave në dialektin e vendlindjes së tij, Reggio, “cioca” (çukit) e “bec” (sqepi).

Ishte një term që ai e mban mend nga fëmijëria.
I ka mbetur kjo fjalë e ngulitur, se e përdorte i ati.
Si person shumë të ashpër e kujton të atin, autoritar e të ftohtë.

Edhe për muzikën e kitarrën, e ka mbështetur e ëma por, jo babai.

E ajo e tyre, familje e varfër.

Kur i ati i përmendte “chocabeck”, donte të thoshte se nëse në pjatë “çukiste zogu”, atë ditë në pjatë, ai nuk do të kishte gjë për të ngrënë, përveç nja dy thërrimesh, madje, nëse dëgjohej zhurma e vrazhdë e sqepit në pjatë, do të thoshte që edhe vetë thërrimet qenë mbaruar.
Ndaj ai titulloi albumin “Chocabeck”.

Zucchero ka pasion kapelet, kryesisht borsalino.
I ka mbetur ky pasion nga gjyshi i vet nga i ati, Roberto.

Ai ka mbi 400 kapele, që i blen kudo nëpër botë, edhe në tregjet e rrobave të përdorura e i stilizon e personalizon në status symbol të vetin.

Share: