Home KRYESORE Agim Xhafka in memoriam për aktorin Fadil Hasa

Agim Xhafka in memoriam për aktorin Fadil Hasa

Si sot 4 vjet më parë shqiptarët përjetuan një dhimbje të madhe. U largua nga jeta humoristi Fadil Hasa. Në fakt kishte vite që ai nuk ishte aktiv mes nesh.

Nuk e dinte njeri se ç’halle kishte,ç’probleme kalonte,si jetonte e si kurohej. Përjashto shokët dhe farefisin. Por ja që dhimbja na përfshiu sapo mësuam gjëmën.

E atë cast bëra një paralele me mjekun Ilir, kirurgun që më operoi para shumë vitesh. Pandeha se aq e pata, po e mbyllja jetën në moshën 25 vjeç. Më kapi ankth e frikë bashkë. Më çuan urgjent në spital e pas dy orësh çela sytë dhe pashë përballë vëllain.

-Të shpëtoi doktor Iliri,-më tha.
Kaq dhe emri i tij jo vetëm hyri në familjen tonë si Jezusi,por unë gjithmonë ruaja e ruaj në mendje doktorin tim,shpëtimtarin tim.

Tani nuk e di në jeton ai fizikisht apo jo. Asnjëherë nuk kam pyetur të di për të, ama nga zemra nuk e heq kurrë,nga mirënjohja nuk e përjashtoj kurrë.

Kështu edhe Fadili. Dëm i bëri vetes dhe familjes me ikjen e tij. Ndërsa për ne Fadili siç ishte është. I gdhendur në batuta, në situata, në humore, në alegori,në nënkuptime.

Ai ka qënë doktori i jetës sonë në diktaturë. Në sëmundjet e asaj kohe Fadili si kirurg bëri të pamundurën të na sillte ca dritë,të hidhte ca rreze mbi terrin e tmerrshëm.

Fadili vdiq, ”doktor” Hasa gjallon te kujtimet tona. Nder që e njohëm, faleminderit që na u gjend.
Askush nuk e dinte në jetonte a s’jetonte. Por të gjithë e dinim se brenda nesh ishte dhe është Fadili.

Ai vendosi para 4 vjetësh të fluturojë lart, ne kemi vendosur ta mbajmë gjallë. S’ke si na ikën artist! Je i mbérthyer me pranga brenda kujtesës së kombit. Mos guxo,nuk ia del të shprangosesh prej zemrës sonë, prej gëzimit që na fale…

Share: