Home Gjeo-Ekonomia Bizenesmeni i kulinarisë flet për zjarrin në Dhërmi dhe për shumë pak...

Bizenesmeni i kulinarisë flet për zjarrin në Dhërmi dhe për shumë pak pushues!

Nga Altin Bamllari

Sot vendosa të bëj pak plazh në Dhrimadhes. Bosh. Në 54 çadra, vetëm 10 me pushues. Ditë e premte, 15 korrik. Askush s’po merr vesh kur fillon sezoni…

Nga deti fryn një erë e lehtë, nga mali ngrihen përpjetë shtëllunga tymi të bardhë. Zjarret livadhisin për qejfin e vet. Mbi to një aeroplan grek.

Dikush qesh e thotë se në vend të ujit ai po hedh benzinë. Turp! …Prit! Ai thotë që bën shaka. Ja, sa erdhën dhe dy çifte. Çadrat u bënë 12. Një burrë vjen të marrë lekët. 1 mijë. Jo shumë. Më tutje ka me 1500, 2000, 3000. Larmishmëri.

Me gjuhë televizori, diversitet. Çadra ka boll, det pafund, por njerëz pak. Dua të kuptoj arsyen. Pse ndodh kjo? S’e gjej dot. S’kam kë të pyes. Në sfond një muzikë si ekg zemre. Ky rritëm, që përsëritet pafundësisht e s’mbaron kurrë, m’i thërrmon krejt mendimet.

Tentoj të pyes komshinjtë tre çadra më tej, por një grua rome, që mezi mban të birin për dore, më pret hovin e më kërkon lëmoshë. Ndryshoj komplet kurs. Dua ta pyes atë. Po si? Një gjysmë përgjigje për pyetjen time e kam në kokë. Thjesht tentoj ta konfirmoj me romen që kam përballë. Do ta provokoj.

I ofroj një vend pune për 70 mijë në muaj, tani në çast. Ajo refuzon pa u menduar dy herë. -S’kam ku lë çunin, ma kthen shpejt e shpejt. I them 800. Përsëri një JO e prerë. Pastaj ia futa kot, 1 milion. Jo dhe Jo. Lëre, thashë me vete.

E gjeta! Muzika, më në fund, kishte ndalur. Në vend të saj po luhej heshtur refreni i këtij viti: “S’ka më njerëz”.

Tashmë era po frynte nga mali në drejtim të detit. Një shije tymi pushton bregun. Dëgjohet vetëm zhurma e motorit të aeroplanit grek.

Share: