Home KRYESORE Është shumë me rëndësi, të dukesh i lumtur – por gjithqysh të...

Është shumë me rëndësi, të dukesh i lumtur – por gjithqysh të flasësh si i palumtur:

Ese e shkruar pa ndjenja nga Kimete Berisha

  1. Për t’u kompletuar fotografia e pushimeve, me kostume të lamjes, me shpinë kah deti dhe me bostan në prehër shkruhet nga një status i ndjerë mbi jetën dhe mbi vuajtjen.
    E lexova (dje) një legjendë në një foto nga plazhi luksoz, ku personi shihej i kënaqur, por fliste thuajse ishte – duke dhënë shpirt.
    Është shumë me rëndësi, të dukesh i lumtur – por gjithqysh të flasësh si i palumtur:
    Se, mund të keqkuptohesh, mund kujtojnë gjindja se ti je i pamençur nëse nuk e shfaq pak vuajtje…
  2. E vuajtja, çka është – oj bijë!
    Duke e shikuar në Iphone se çfarë ka veshur Shyhretja, gruaja ka harruar ta bëj gati drekën.
    Pastaj, burri nga xhelozia pse gruaja po e shikon ndonjë burrë tjetër, nervozohet, e fyen, e rrah dhe përfundon në polici.
    Më e dhimbshme se ofendimi dhe lëndimi është fati: gruaja ka Iphon por kur idhnohet me burrin kthehet te prindërit pleq.
    E çka kisha vepruar unë, të isha në vendin e asaj gruas?
    Ku kisha shkuar?
  • Së pari, duke e ditur me kë kam punë – në Iphon do të shikoja fustane tinëz.
    Por, meqenëse unë jam rritur dhe jam përkundur nën tingujt e makinës Singer (nanën rrobaqepëse), jam e ngopur me xhingla-mingla, prandaj sigurisht do t’i shikoja në Iphone vendet që do të doja t’i vizitoja.
    Ama – gjithmonë tinëz personit në fjalë.
    Tinëz, sepse do ta dija se s’do të kisha ku të shkoja…
    Kjo ndodh kur çdo gjë që ke dashur për veten tëndë është dashuria.
    Shqiptari e pranon se jeta ka fund – por nuk e pranon se dashuria ka fund (njerëzit duhet të të duan edhe pas vdekjes tënde – anipse i vdekuri nuk duhet, veç kush të rren).
  • E dyta – nuk do të kthehesha te prindërit
    (sepse, kur prindërit moçmohen, të trajtojnë ty si prind të tyre, ti më nuk ndjehesh si fëmijë, por ndjehesh si nanë e nanës tënde…
    Nuk i tregon asgjë që e pikëllon (sepse ke frikë i rritet shtypja e gjakut nga mërzia)…
    dhe e gënjen kah t’rrotullohesh, sepse vjen një ditë që rrena e mirëmban dashurinë:
    edhe kur s’je mirë – për prindin ‘je mirë’;
    edhe kur ke probleme – prindit i thua se ‘nuk ke probleme’!
  • A ke hëngër?
    Po.
  • A po nerth?
    Jo.
  • Kësaj i thonë dashuri supreme, anipse kurrfarë lumturie nuk ka në të.
    Lumturi është kur e çel zemrën, e nxjerr nga mendja mërzinë dhe e ndan me një shok (i cili preferohet të jetë i heshtur).
    Nuk ka të paguar nëse shoku gjithmonë (ama gjithmonë) të kupton, asnjëherë nuk të gjykon dhe nuk ta bën të madhe, nuk i rritë problemet, por që ka talent t’i zvogëlojë problemet me heshtje ose me fjalë.
  • E treta, do të isha dorëzuar në xhami ose në kishë, aty kisha lyp çare.
    Jam shumë e sigurt se besimtarët nuk të çojnë poshtë, sepse kanë frikë nga Zoti.
    Më i mirë (për mua) është një besimtar naiv se sa Volteri që qau nga frika prej Zotit, të cilit nuk i besoi…
    Problemi është se ka pak besimtarë, anipse krejt deklarohen besimtarë, nuk e ndjejnë vërtetë…
    Njeriu që beson në Zot dhe në fat – nuk çartet.
  1. Heshtja e mund lumturinë më të madhe, e shurdhon gjallërinë.
    Tani e dëgjoj veç një zog, që anipse prej se ekIston zogj-ëria, e këndon të njejtën këngë – s’bëhet monoton.
    Nga çokollada 100 për qind e zezë, e nxora ëmbëlsinë (se kur ti nuk ha ëmbël për 10 vite, pastaj e ndjen të ëmblit edhe te të hidhëtit edhe te të thartit…!
  2. E vuajtja, çka është ‘ajo’! A ka mundësi të zgjedhësh: të mos vuash!
    Vuajtja nuk është tregim që rrëfehet gjatë kohës që ndjehet.
    Tregimi lind nga vuajtja, por tek pasi që të konsumohet vuajtja, pasi që të kryhet vuajtja.
    Kushdo që tani është duke vuajtur duhet ta ketë të qartë se vuajtja harxhohet.
    ‘Dhe, zemra digjet e digjet, dhe papritur bëhet akull’.
    Dhe kur vjen dita dhe zemra bëhet akull, për disa ditë nuk e ke më të qartë se ‘a më e mirë vuajtja që djeg apo vuajtja që mërdhin’, se edhe kur ndjen shumë – edhe nuk ndjen hiç – është vuajtje.
    E kam zbuluar se ka vuajtje të zjarrtë dhe vuajtje të akulltë.
    Sipas meje, vuajtja e akulltë durohet më lehtë. Sepse, më lehtë i ngrin ndjenjat sesa që i shuan.
  • Kur ec rrugës dhe shikon secilin që kalon pranë teje – ti vuan zjarrtë – sepse gjithmonë kërkon dhe gjithmonë nuk gjen.
  • Kur ec rrugës dhe mban sytë për toke, ti vuan ftohtë – sepse ti e di se nuk do ta gjesh atë që kërkon, edhe nëse e kërkon pambarim.
    Pra, vuajtje ashtu – vuajtje kështu.
    Dallimi i vetëm është se kur vuan zjarrtë – ende pret, shpreson, ende nuk je dorëzuar, por veç e shtyn dorëzimin për më vonë – se s’do të kesh çare pa u dorëzuar.
    E kur vuan – akulltë, nuk pret asgjë, e di se njeriun veç zori e bën të ‘mirë’, dhe nuk vuan më pse nuk e gjen atë që e kërkon, por vuan pse ai që e kërkon – nuk ka ekzistuar kurrë, prandaj as sot nuk ekziston.
    Vuajtja e akulltë është inteligjente – me një mendim të zjarrtë – e shkrin.
    Vuajtja e zjarrtë është shpirtërore – me një mendim të ujtë e shuan.
  1. Ngrij ndjenjat: Merr pushim nga dashuria.
    Ti s’e di çfarë ndjenje është kjo 😋.
    P.S. Vazhdon nesër: Pushimet alla – shqiptare 2022
Share: