Home KRYESORE Kujdes si i trajtoni fëmijët prindër! Një histori e vërtetë që dhemb...

Kujdes si i trajtoni fëmijët prindër! Një histori e vërtetë që dhemb edhe sot!

Nga Altin Bamllari

Po ha darkë dhe në tavolinën ngjitur një çift i ri i ka “shpallur luftë” fëmijës së vet. Viktima është një vogëlushe diku te 5-6 vjeç. Sigurisht që vajza i ka provokuar me tekat e saj, por ajo që më bën përshtypje janë armët që përdorin prindërit.

Në fakt, jo se më bën dhe aq. Dikur, për fat të keq, i kam përdorur edhe unë. E ëma e bombardon me murtajë, i ati e qëllon me plumb. Si? Në të dyja rastet baruti është fjala.

Mami

-Idiote! Qelbësirë! E kap fort nga krahu. -Ulu! Ta përplasa kokën pas tavoline.

Vajza e plagosur mbush sytë me lot dhe vështron të ëmën gati për mëshirë. Pasi ndesh në egërsinë e saj të rreptë, kthen kokën nga i ati për ndihmë dhe buza i dridhet lehtë.

Babi

-Mos më shih ashtu! Mami ka të drejtë. Pse bën si budallaqe? Herë tjetër s’do të të marrim me vete.

E vogla është gati të shpërrthejë në vaj, por syçkat e saj ndeshen për një çast me të miat dhe ajo rri ashtu pa lëvizur si një skulpturë.

Dy pikat e lotit, gati për të rënë, i kanë ngrirë poshtë qepallave. Goja rrumbullake, gjysmë e hapur, shpreh dobësi dhe ajo duket sikur gjithë shpresat i ka varur te një i panjohur.

-Të lutem xhaxhi, më shpëto! – thotë ajo me vete.

Për prindërit diçka nuk shkon dhe kthejnë kokën nga unë. Ç’hipokritë! Nga agresorë të dhunshëm, më buzëqeshin me embëlsi, njëlloj siç bëja vetë dikur!

Po më imitojnë, mendova. Njerëzit janë vërtet majmunë. Nuk ua kthej buzëqeshjen, por përmes syve të vajzës zhytem thellë në kohë. E shoh veten fëmijë, pastaj baba. Askush s’e merr vesh që po qaj heshtur për të dy.

Përballë, e vogla është çelur!

Share: