Home Gjeo-Ekonomia Leverdia ekonomike e prodhimit të drithërave

Leverdia ekonomike e prodhimit të drithërave

Sot, ndodhemi përballë situatash të rënduara në lidhje me sigurimin e ushqimit mbarënjerëzor.

Nga analiza ekonomiko-financiare, llogaritet që të ardhurat neto nga shitja e prodhimit të grurit prej një ha në zonat fushore ku rendimenti shkon nga 65-70 kv/ha janë të larta. Nga shitja e prodhimit të grurit me një çmim prej 50 lekë/kg realizojmë të ardhura deri në 350000 lekë.

1. Vlerat kulturore

Drithërat, apo cerealet sikundër emërohen sot gjithandej rruzullit, paraqiten me një avantazh tepër të lartë, si në aspektin ekonomik, kulturor, dietik e deri në atë strategjik.

Në këtë grup bimësh, specia e grurit është më superiore, jo vetëm për nga sipërfaqja që mbillet, por edhe nga diversiteti i lartë bio-gjenetik, niveli produktiv dhe cilësitë kimiko-teknologjike. Konsiderohet si bima primare “magjike” midis katër specieve që njeriu ushtron aktivitetin e vet.

Edhe në librat e shenjtë, ajo është quajtur jo vetëm si bimë ushqyese por edhe bekim prej Zotit e që është përdorur në çdo ceremoni mistiko-fetare.

Sot, mbi 80% e popullsisë së globit ushqehet me grurë dhe nënproduktet e tij, duke zhvendosur ndjeshëm orizin. Përdorimi për ditë e më tepër i grurit në racionet ushqimore, po “shkelmon” fort sindromën e miopisë, veçanërisht në popujt e kontinentit aziatik dhe afrikan.

Duke marrë në konsideratë sipërfaqen mbjellëse, evoluimi i prodhimit të kësaj bime ka qenë i mahnitshëm krahasuar me bimë të tjera të këtij grupi. Kjo, falë vëmendjes së njeriut në përmirësimin gjenetik dhe agroteknikën e saj.

Në fillim të shekullit XX, rendimenti në shkallë botërore nuk i kalonte 8.6 kv/ha. Pas 30 vjetësh, ai u rrit me 4-5 kv/ha dhe në fund të vitit 1990, rendimenti i kaloi 30 kv/ha. Sot ka rajone të tëra ku realizohen 90 kv/ha prodhim kokërr.

Edhe vendi ynë është përfshirë në rajonet me indekset më të larta të rritjes së rendimentit: ku nga 7 kv/ha para vitit 1940, në vitin 1990 rendimenti arriti në 35 kv/ha.

2. Vlera dietike

Gruri është specia bimore me sipërfaqen mbjellëse më të madhe në rruzullin tokësor, përafërsisht me 250 milionë ha. Nuk ka “copë toke” që nuk “uzurpon” kjo bimë, duke filluar nga Afrika, Amerika, Azia, Europa e deri në Australi dhe Zelandën e Re.

Me grurë ushqehet shumica e popullsisë së globit, falë vlerave të larta dietike që posedon kokrra e grurit dhe konkretisht; proteina deri në 13%, karbohidrate 65-70%, kripëra minerale 1.5-2%, lipide 1.6-2% dhe celulozë 2-2.5%.

Vetë fakti që kjo bimë është kultivuar rreth 8000 vjet p.e.s. në rajonet fertile të Mesopotamisë, Turqisë dhe Palestinës, tregon qartë forcën dhe vitalitetin në shëndetin e njeriut.

Kokrrat e grurit kanë vetinë të ruhen për një kohë të gjatë, pa shumë shpenzime dhe procese përpunuese, duke garantuar si vlerat agronomike, ashtu edhe ato kimiko-teknologjike.

Struktura anatomo-morfologjike dhe fiziko-kimike e kokrrës së grurit iu vjen në ndihmë të gjithë përpunuesve dhe teknologëve në aktivitetin e tyre ekonomiko-financiar, pa përmendur këtu deri në prodhimin e etanolit dhe të maltit për prodhim birre.

Niveli i lartë i proteinës në kokërr i jep vlera prodhimit të bukës, pastave për prodhim asortimentesh tipike si makarona, fidhe, bullgur dhe lloje të tjera gatimesh prej pastave.

Buka e prodhuar prej grurit me përmbajtje të lartë proteine dhe gluteni ka vlera të larta proteinike.

Prej embrionit të grurit, industria ushqimore prodhon vajra bimore mjaft të shëndetshme me vlera të larta të acideve yndyrore të pangopura. Industria e prodhimit të bukës përfiton rreze të lartë buke dhe mjaft cilësore, sidomos në aspektin e vëllimit të bukës.

Prej miellit cilësor përftohet bukë poroze me vëllim më të madh, e cila ruhet për një kohë më të gjatë pas pjekjes, duke mos u thërrmuar gjatë prerjes.

Në cilësinë e kokrrës së grurit, përveç faktorit gjenetik, ndikojnë dhe kushtet e ambientit dhe niveli i agroteknikës që aplikohet. Vendi ynë përfshihet në rajonet gjeografike me ndriçim diellor optimal në kultivimin e bimëve. Prania e energjisë diellore, pasi formohet kokrra e deri në pjekje, ndikon në rritjen e nivelit të proteinës, duke i dhënë kokrrës një pamje qelqore.

Por edhe kujdesi gjatë kultivimit ka vlerën e vet në rritjen e prodhimit dhe përmirësimit teknologjik të kokrrës. Vëmendje të veçantë, kultivuesit duhet t’i kushtojnë plehërimit azotik, i cili ndikon drejtpërdrejt te ky parametër.

3.Vlera ekonomike

Gruri në ndryshim nga bimët e tjera ka aftësinë t’i përshtatet një areali tepër të gjerë dhe të larmishëm ndaj ambientit.

Ai mund të kultivohet deri në lartësitë 1500 m mbi nivelin e detit. Në vendin tonë ai është kultivuar deri në 1300 m nga niveli i detit. Duke qenë se kërkesat e tij veçanërisht për ujë janë më të pakta se bimët e tjera perimore dhe industriale, ai rrok tokat e papreferuara për bimët intensive.

Sot, ndodhemi përballë situatash të rënduara në lidhje me sigurimin e ushqimit mbarënjerëzor. Nga analiza ekonomiko-financiare, llogaritet që të ardhurat neto nga shitja e prodhimit të grurit prej një ha në zonat fushore ku rendimenti shkon nga 65-70 kv/ha janë të larta.

Nga shitja e prodhimit të grurit me një çmim prej 50 lekë/kg realizojmë të ardhura deri në 350000 lekë. Nga analiza e kostos, shpenzimet për këtë aktivitet llogariten si më poshtë:

1.Shpenzime materiale (farë, plehra, pesticide) – 58000 lekë

2.Shpenzime mekanike – 38000 lekë

3.Shpenzime të tjera – 2000 lekë

Totali i shpenzimeve – 98000 lekë.

Fitimi neto nga ky aktivitet llogaritet nga diferenca midis të ardhurave dhe shpenzimeve dhe që konkretisht është 252000 lekë.

Kostoja e prodhimit nga ky aktivitet për një kg grurë shkon 14 lekë/ kg. Në qoftë se prodhimi i grurit do t’i nënshtrohet procesit teknologjik të bluarjes, pra prodhimit të miellit me rreze 70%, atëherë do të përftonim 4900 kg miell.

Nisur nga çmimi në treg sot i miellit, të ardhurat monetare nga shitja e miellit do të arrijnë në vlerën 343000 lekë.

Në variantin e prodhimit të miellit, fitimi do të shtohet nga shitja e himeve ku sot, me çmimin prej 30 lekë/kg kultivuesi, do të marrë dhe një të ardhur monetare prej 63000 lekë.

Në total, fitimi neto i fermerit nga varianti bluarje do të arrijë në 308000 lekë.

Ky arsyetim ekonomiko-financiar vlen dhe për kultivuesit e zonave kodrinore, por me fitime më të vogla, ndërkohë kur këto tipe tokash në zonat kodrinore nuk janë fort të përshtatshme për kulturat perimore dhe ato intensive.

Duke mos i lënë ngastrat e tokës pa mbjellë, ne mbrojmë tokën nga fenomeni shkatërrues i erozionit, por njëkohësisht përmirësojmë strukturën mekanike të tokës, rritim pjellorinë dhe kthejmë tokat më të përshtatshme dhe për kulturat e tjera bujqësore me kërkesa më të larta për pjellori./ Monitor

Share: