Home KRYESORE Mbi spiunllëkun e Ilir Metës dhe komunistët e sigurimsat!

Mbi spiunllëkun e Ilir Metës dhe komunistët e sigurimsat!

Nga Mentor Kikia

Kjo puna e Metës që doli spiun pasi la presidencën, e pasi kishte qenë kryeministër, kryetar kuvendi, ministër i jashtëm e ca ministrira të tjera, është njësoj si dikush që ka marrë diplomën, ka bërë masterin, ka mbrojtur edhe doktoraturën dhe pastaj ti thonë: Po ti s’ke marrë një provim në vitin e parë të faktultetit?

Kjo është pjesa komike dhe qesharake e historisë.

Tani pjesa serioze dhe tragjike e historisë:

Mos na çani veshët më me dosje dhe sigurimsa. Të ishte për ti hapur dosjet duhej ti kishit hapur në 1993, për ta pastruar njëherë e mirë politikën nga kriminelët e komunizmit dhe Shqipëria të hapte një kapitull tjetër të historisë së saj politike.

Nuk e bëtë, sepse të gjitha partitë ishin të mbushur me të tillë. Pas 32 vjetësh nuk ka më sigurimsa. Ilir Meta nuk ishte fshehur në Argjentinë, nuk kishte bërë operacion hundën dhe nuk kishte lënë mjekër që të mos njihej, dhe e zbuluam sot. Ilir Meta, nëse meriton të ndëshkohet, meriton për ato që ka bërë ndërsa ishte në pushtet, “me zë dhe figurë”, jo për “misionin secret” natën e 8 dhjetorit 1990 qe supozohet.

Mos na çani më veshët me histori komunistësh dhe
dekomunistizimi. Të ishit për ta bërë, duhej ta bënit në 1993, kur PPSH(e sapo konvertuar në PSSH) duhej të shpallej e paligjshme. Nuk u bë, se ishit të gjithë pjellë e të njëjtës mitër. PD, pasi ka patur të gjitha pushtetet që i duheshin për ta dekomunistizuar Shqipërinë, kujtohet dhe propozon ligj për dekomunistizim në vitin 2022.

Të gjitha këto nuk u bënë atëherë kur duhej, siç bënë vendet e tjera ish komuniste në Lindje që përmbyllën një kapitull të historisë dhe lanë njëherë e mirë pas. Por ju i morët dosjet nëpër shtëpi e shantazhonit njëri-tjetrin, me “gjethi”, “fiku”, “plepi”…dhe vazhdoni ta tërhiqni zvarrë këtë vend e këtë popull.

Tani boll më!

32 vjet pas rënies(jo shëmbjes, kujdes) së komunizmit, tashmë këtu nuk ka më as sigurimsa dhe as komunistë në politikë.

Tani ka thjeshtë hajdutë dhe maskarenj.

Share: