Home Gjeo-Ekonomia NATO bazë detare në Shqipëri, mediat britanike: Një paralajmërim i madh për...

NATO bazë detare në Shqipëri, mediat britanike: Një paralajmërim i madh për Putin

Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha lajmin se në Shqipëri do të ndërtohet një bazë e re detare e NATO-s. Ky lajm duket se ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave të huaja.

Ndërsa mediat britanike kanë shkruar lidhur me takimin e kryeministrit Rama dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Soltenberg. Takim i cili pritet të ketë në qendër të diskutimeve ndërtimin e kësaj baze në vendin tonë.

Sipas mediave britanike, ndërtimi i një baze të tillë në Shqipëri është një sinjal paralajmërimi për presidentin rus.

Shkrimi në median britanike:

Shqipëria i ka dërguar një sinjal paralajmërues presidentit rus Vladimir Putin përpara një takimi me NATO-n në lidhje me një bazë të re detare në vend.

Lajmi vjen pasi kryeministri shqiptar Edi Rama do të ulet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin. Lëvizjet e fundit panë që Shqipëria, një anëtare e NATO-s që nga viti 2009, filloi punën për shndërrimin e një baze ish-sovjetike në një bazë ajrore të NATO-s, duke çimentuar lidhjet e Tiranës me Brukselin. Rama do të takohet me Stoltenberg të mërkurën e kësaj jave për të diskutuar projektin pas një njoftimi që do të publikojë lajmin më 1 korrik.

Porti do të jetë i vendosur në Porto Romano, Durrës, 40 minuta nga kryeqyteti dhe do të përfshijë një seksion tregtar dhe një bazë detare ushtarake.

Financimi do të sigurohet si nga shteti shqiptar ashtu edhe nga NATO.

Shqipëria shpenzon aktualisht rreth 1.53 për qind të PBB-së së saj vjetore për mbrojtjen, shumë më pak se shifra minimale e sugjeruar prej 2 për qind.

Duke folur për planin, zoti Rama tha: “Ne do të kthehemi së shpejti në Bruksel për të vazhduar diskutimet në lidhje me propozimin tonë…për instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri në Durrës”.

Në maj, zoti Rama tha se qeveria e tij i kishte ofruar NATO-s bazën detare të Pashalimanit në jug të Shqipërisë.

E vendosur në jug të Vlorës, rreth 140 milje nga Durrësi, ajo ishte e vetmja bazë e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe gjatë viteve 1950 në një kohë kur regjimi komunist i Shqipërisë ishte në linjë me Moskën.

Pas rënies së komunizmit, ajo u rindërtua me ndihmën e Turqisë, e cila ruajti të drejtën e përdorimit të saj.

Marina shqiptare ende sot e përdor bazën për disa operacione dhe stërvitje.

Ky opsion duket se është paraqitur në favor të Porto Romanos.

NATO po transformon gjithashtu një ish-bazë ajrore ushtarake të epokës komuniste në Kuçovë, e njohur më parë si Qyteti i Stalinit.

Baza ajrore prej 350 hektarësh aktualisht është shtëpia e shumë MiG, Antonov dhe Yak-18 të epokës sovjetike dhe kineze të jashtë përdorimit. Rinovimi i bazës do të kushtojë rreth 40 milionë paund dhe do të bëhet funksional në vitin 2023.

Baza do të shërbejë si një depo për municionet, si dhe do të veprojë si një qendër furnizimi me karburant.

Aktualisht po punohet edhe për rikthimin e pistës dhe kullës së kontrollit në përdorim të plotë. Baza origjinale u ndërtua duke përdorur punën e të burgosurve nën regjimin e diktatorit komunist Enver Hoxha.

Pas gati 50 vitesh izolacionizëm, Shqipëria doli dhe u kthye drejt Perëndimit, duke iu bashkuar aleancës në vitin 2009 dhe duke shpresuar për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, megjithëse ka qëndruar në dhomën e pritjes së bllokut për mjaft kohë.

Sipas Globalfirepower.com, Shqipëria ka aktualisht 8000 personel aktiv në radhët e saj ushtarake. 500 personel rezervë janë gjithashtu në dispozicion. Ushtria ka rreth 76 automjete të blinduara. Asetet aktuale detare të Shqipërisë përbëhen nga 19 mjete lundruese, të cilat të gjitha përbëhen nga anije patrullimi me detyrë të përgjithshme./Opinion.al

Share: