Home Gjeo-Ekonomia Shpëtoni sezonin turistik, asgjë nuk ka mbaruar!

Shpëtoni sezonin turistik, asgjë nuk ka mbaruar!

Nga Dritan Gremi

Duket se nga të dhënat dhe raportimet e fundit në terren ky sezon turistik në jug të vendit nuk po shkon ashtu siç duhet, ndërsa thuajse të gjithë po e deklarojnë të vdekur e të dështuar.

Mediat, analistët e sektorit dhe gjithë opinioni publik, tashmë kanë mbaruar analizën e tyre të thellë dhe të gjithë së bashku me një zë të vetëm, po e drejtojnë gishtin mbi shkakun kryesor të kësaj krize, e cila sipas tyre i atribuohet abuzimit me çmimet e larta dhe mungesës së shërbimit.

Po a është ky momenti për të bërë analiza të tilla dhe a është kjo ajo që na nevojitet sot?

A thua nuk mund të bëjmë më asgjë për të shpëtuar sadopak nga ajo çka mund të shpëtohet? Është njëlloj si të shohësh shtëpine tënde që digjet dhe të besh sehir, duke mos reaguar, duke mos tentuar të bësh asgjë për të shpëtuar të paktën, atë që mundet akoma të shpëtohet.

Por ndërsa disa kritikojnë e shkruajnë në rrjetet sociale, më keq akoma, disa të tjerë fërkojnë duart e gëzojnë. Gëzojnë për “zjarrin” që ka rënë e po djeg shtëpinë e tyre! Po, po, tamam kështu, Vlorën, Sarandën, Dhërmiun, Himarën, jugun e bukur të Shqipërise, që deri dje e drejtonin vetë, e që mund ta drejtojnë sërish nesër.

Operatorët tanë turistikë ky realitet i ri i gjeti komplet të papërgatitur, duke i goditur si rrufeja në qiell të hapur.

Ishin mësuar ndryshe, keq në mendimin tim. Jetonin gati – gati në një botë të tyren, surreale do thoja, e cila nuk reflekton në asnjë pjesë të saj realitetin e botës në të cilën jetojmë.

E pikërisht për këto zgjedhje të tyre të gabuara këtë vit u braktisën! E përsëris, për gabimet dhe zgjedhjet e tyre, që nuk lidhen vetëm me çmimet, por për mendimin tim edhe me 1000 problematika të tjera. Ky është tregu, kjo është jeta dhe në jetë gjithçka paguhet.

Megjithatë në një klimë si kjo, nuk është momenti për të bërë analiza. Le t’i lëmë analizat e t’i bëjmë në nëntor. Ky nuk është as momenti për të qarë. Qaramanët nuk më pëlqejne dhe nuk i duhen askujt. Në këtë moment duhet forcë për t’u ngritur në këmbe e për të vepruar.

Duhet reagim i shpejtë dhe i fortë, sepse asgjë nuk ka mbaruar. Jeni akoma “në lojë”, mbase jo për ta fituar, por për të marr një rezultat më të mirë se disfata totale.

Nga ana tjetër, kemi përballë Ministrinë e Turizmit, e cila në këto momente është krejtësisht inekzistente.

Me heshtjen e saj totale duket se i ka kthyer shpinën jugut, duke ju drejtuar tashmë brigjeve të Adriatikut, ose me saktë duke propaganduar të vetmin territor që me sa duket po i reziston krizës, Qerretin.

E dashur zonja ministre, ju lutem ngrihuni dhe bëni dicka, reagoni! Asgjë s’ka përfunduar ende, ka akoma shpresë që ky sezon të rekuperohet pjesërisht. Mblidhni në një tryezë të përbashkët gjithë operatorët dhe unionet turistike, grupet e interesit dhe jepuni kurajo te reagojnë! Ka akoma edhe 10 ditë korriku, ndaj asgjë s’ka mbaruar.

Në mendimin tim, të gjithë operatorët kryesorë të turizmit, bashkë me grupet e interesit duhet të mbledhin një tryezë të përbashkët e të përgatisin një strategj të shpejtë, me një ofertë turistike “agresive” “last second”, e cila të konkurojë bindshëm jo vetëm rajonin, por edhe më gjerë.

Ekziston një target turistësh të cilët akoma nuk e kanë zgjedhur destinacionin se ku do t’i kalojnë pushimet e tyre. Nuk janë shumë, por nuk janë as pak. Ose thënë ndryshe, janë aq shumë sa që mund të mbushin 1000 herë jugun e Shqipërisë, (lexoni statistikat për lëvizjet e turistëve në botë, si dhe kur i zgjedhin destinacionet e tyre).

Duhet të jetë një ofertë, që pikë së pari i bën të gjithë bashkë; pronarë hotelesh, restorantesh, beach baresh (të cilët menaxhojnë njëkohësisht edhe shezlongët e famshëm dhe çadrat), agjencitë e zyrat turistike dhe së fundmi Ministrinë e Turizmit, e cila ka detyrën që t’i mbledhë pikërisht të gjithë aktorët rreth një tavoline dhe t’u thotë: Reagoni, bëni dicka!

E dyta duhet të merrni një risk mbi vete, të shtyni sezonin turistik të këtij viti deri në nëntor, kjo për të marrë kohë e për të fituar atë, që humbët në Qershor e Korrik. Bëjeni, do ishte dhe një test i mirë për vitet e ardhshme.

Më besoni, kohëve kur sezonet zgjasnin 1 muaj e gjysmë u ka ardhur fundi. Sezonet në jug të vendit duhet dhe mund të zgjasin të paktën 5 muaj, nëse sigurisht hidhet në treg një ofertë e ekuilibruar.  Në mendimin tim, brenda 7 ditësh mund të formulohet dhe të hidhet në treg një super ofertë turistike. Sot ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe mënyrat për të promovuar. Tashmë operatorët turistikë duhet te mësohen qe të lënë mënjanë një buxhet të caktuar për promocionin. Të mos harrojmë që reklama është shpirti i biznesit.

E pra të dashur operatorë turistikë, mos u dorëzoni, është një lojë që mund të luhet akoma deri në minutën e fundit. Asgjë nuk ka mbaruar!

Share: