Home Approccio Italo Albanese Turizmi shqiptar sipas meje! Nga Adela Kolea

Turizmi shqiptar sipas meje! Nga Adela Kolea

Çështje komplekse kjo e konceptimit, mbarëvajtjes e administrimit të turizmit në Shqipëri.

Ka shumë nuanca e meriton një trajtim profesional edhe në kritikën konstruktive.
Se, sa për kritika denigruese, s’është nevoja them.

Parantezë:

Nuk justifikoj apo legjitimoj shumë abuzime apo shkelje normash flagrante, si etike, po ashtu shpërfillje të “çatisë” së luhatjes së çmimeve pa kriter në degën e turizmit shqiptar në vend.

➡️Por, duke konsideruar të gjitha këto, disa ankesa të turistëve italianë që has aty-këtu, më duken tipike italiane për llomotitje.

Nëse deri dje, Shqipërinë e konceptuan këto kategori turistësh, si parajsë low cost, si parajsë për trasgresion, si vend në anarki e të “lehtë” për t’ia konsumuar bukuritë natyrore, edhe ato monumente natyrore të mbrojtura si Syri i Kaltër etj, burime natyrore ku nuk duhet të bëhet banjo e italianët i kanë shkelur ato rregulla pa problem – kuptohet, se vetë shqiptari u ka lënë shesh që të bëjnë përshesh – apo të konsumojnë “datteri di mare”, produkte deti rreptësisht të ndaluara, pasi kur këto produkte shkëputen nga shkëmbinjtë nënujorë, shkatërrojnë definitivisht habitat-in nënujor, e pra, këtë trasgresion në Shqipëri, italianët ama ç’ia kanë lejuar vetes…

Pra, nëse sot vihen para shtrëngesash më të rrepta, edhe në kosto, të mos ankohen kot për “parajsën e munguar.”

Ajo qe e bukur por, duroi pak si duket…

Nëse italiani pohon se ka pasur rritje pa kriter çmimesh këtë vit, kjo nuk mohohet dhe e vërteton dhe vetë shqiptari, s’ka nevojë ta evidentojë i huaji.

➡️Që çmimet e turizmit shqiptar janë të ekzagjeruara për vetë shqiptarin e mesëm, edhe kjo, asgjë e re, pasi Shqipëria, e dimë që është ende në atë fazën konfuze të “gërshërës apo ashensorit social”, me diferenca të mëdha ekonomike e mundësi financiare thellësisht të ndryshme ndër shtresat e shtetasve të saj e kjo nuk shihet veç te shërbimi i turizmit por, në shumë sfera.

Ka akoma shumë ekuilibra e norma për të arritur Shqipëria, asgjë befasuese kjo fundja.

Unë objektivisht jam e para ajo që pohon se çobani i veshur si “agjent turistik”, herët a vonë do të të zhgënjejë.

Shqipëria ka nevojë për shkollim të mirëfilltë në degën e turizmit dhe politika të fuqishme në suport të kësaj fushe, potencial i mirëfilltë vendas.

Unë pushimet verore, plazhin e kam fjalën, e kam bërë përherë në Itali ç’është e vërteta.

Kam shkuar në një hotel në Jesolo, Venezia, Veneto, e pra, me reklamë të madhe, që na zhgënjeu totalisht për shërbimin skandaloz, çmimet absurde e ku për “fruta stine”, nënkuptonte 4 kumbulla me numërim.

E patëm braktisur menjëherë.

Tradita italiane e turizmit për ekselencë ndërkohë, me krahinën ku zakonisht shkoj çdo vit, Romagna, Riviera Romagnola, lidhet me injeksionin në “venë” të sensit të mikpritjes së turistit.

Madje janë të parët këta që e kanë konkretizuar edhe si degë fakulteti shkencat turistike.

Kanë një shprehje këta të zonës, qē thotë:
“S’e dimë nëse ka lindur më parë romagnolo (banori vendas), apo vetë turizmi si koncept!”
Aq të shkrirë në një janë së bashku.

Administruesit italianë të këtyre strukturave turistike, hotele, resorte etj, mbajnë kontakte rreptësisht të rregullta me klientët e tyre të besuar italianë apo të huaj, ndër vite të tërë.

U dërgojnë klientëve në shtëpi, kartolina urimi për Pashkë, Krishtlindje, Vit të Ri e përshëndetje të ndryshme përgjatë gjithë vitit – jo veç sezonalë, në verë – përtej ofertash, propozimesh të ndryshme për pushimet në strukturat e tyre, gjë që konsolidon raportin klient – sipërmarrës turistik e jo vetëm, krijohen edhe lidhje afektive apo mirësjelljeje.

Kaq kisha për ca “panaire ankesash” që i vërej të trumbetohen nga disa italianë, me mirëkuptimin nga një anë nëse kanë mbetur të zhgënjyer nga pritshmëritë turistike shqiptare dhe, nga ana tjetër, me ftesën që, krahasimet me turizmin italian si kulturë, etikë e kosto, është e kotë që i bëjnë në rastin shqiptar, pasi ky krahasim nuk mund të qendrojë, janë dy “njësi” komplekse më vete Italia e Shqipëria në këtë aspekt

Ndërkohë Italia vetë është e madhe, ka boll për t’u eksploruar.

Njoh italianë që s’janë larguar ndonjëherë as nga qyteti i tyre i banimit e neve na thonë “siete sempre in giro voi…”.

Ndaj, Italia vetë ka aq shumë hapësirë për t’u shijuar për pushime, të çdo tipologjie det, mal, liqen, kodër, fushë, lumë e për çdo “xhep.”

Share: