Home Gjeo-Ekonomia Dollari kalon për herë të parë Euron në kursin e këmbimit me...

Dollari kalon për herë të parë Euron në kursin e këmbimit me Lekun

Dollari amerikan ka kaluar për herë të parë Euron në kursin e këmbimit kundrejt Lekut.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan u këmbye të martën me 117.86 Lekë, në rritje të ndjeshme me 0.74 pikë krahasuar me ditën e hënë. Ndërkohë, Euro zbriti në vlerën e 117 Lekëve, 0.17 pikë më pak krahasuar me një ditë më parë.

Ky moment simbolik është i lidhur direkt me ecurinë e kursit të këmbimit mes Euros dhe Dollarit Amerikan në tregjet ndërkombëtare. Kursi i Lekut kundrejt shumicës së valutave të tjera të huaja përcaktohet direkt nga ecuria e kursit të Euros kundrejt këtyre monedhave. Duke qenë se volumet e këmbimit të valutave të tjera në tregun shqiptar janë shumë të vogla dhe duke qenë se pozicionet e sektorit bankar mbahen kryesisht në Euro, edhe kursi i këmbimit të lekut ndaj tyre reflekton, në përmasa pak a shumë proporcionale, ecurinë e kursit të këmbimit ndaj Euros.

Në tregjet ndërkombëtare kursi Euro-USD po shënon vlerat më të ulëta historike. Monedha europiane ka rënë sërish poshtë nivelet të barazisë dhe këmbehej të martën me 0.99 USD. Mbiçmimi i Dollarit ndaj Euros në muajt e fundit po ndikohet nga disa faktorë. Rezerva Federale Amerikane po ndërmerr një shtrëngim të shpejtë monetar, nëpërmjet rritjeve të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit.

Banka Qendrore Europiane po lëviz shumë më ngadalë në këtë drejtim. Hendeku në normat e interesit përgjithësisht është një faktor me rëndësi në kursin e këmbimit mes valutave kryesore. Një arsye tjetër që po e ndikon negativisht Euron është perspektima e zymtë ekonomike, e lidhur sidomos me pasiguritë energjetike.

Varësia e madhe nga Rusia dhe pritshmëritë për kufizime në furnizimin me gaz natyror priten të shkaktojnë probleme të mëdha dhe ndoshta kufizime të energjisë për shumë vende europiane gjatë muajve të ardhshëm.

Këta faktorë po reflektohen në rënie të kursit të Euros ndaj valutave më të rëndësishme Botërore, rënie që po reflektohet edhe tek kursi i Lekut kundrejt këtyre valutave.

Megjithëse pesha e Dollarit në ekonominë dhe këmbimet tregtare të vendit nuk është e krahasueshme me Euron, monedha amerikane është e rëndësishme kur bëhet fjalë për çmimet e lëndëve të para dhe sidomos të karburanteve. Forcimi i dollarit ndaj lekut shtrenjton importin e këtyre lëndëve dhe ndikon në çmime më të larta të tyre për konsumatorët shqiptarë.

Ndërkohë, kursi i këmbimit Eur-Lek për momentin duket në nivele të qëndrueshme, pranë nivelit të 117 lekëve. Gjatë muajit Gusht, rënia e mëtejshme e Euros u frenua nga kërkesa e lartë e lartë e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Kjo kërkesë balancoi ofertën sezonale të lidhur me turizmin, duke bërë që kursi i këmbimit të mos shënonte luhatje shumë të mëdha gjatë këtij muaji. Sipas burimeve nga tregu, në ditët e fundit volumi i blerjeve të KESH ka ardhur në rënie dhe efekti i këtij faktori në tregun valutor këtë javë është zbehur./Monitor

Share: