Home Gjeo-Ekonomia “Kalimi në Angli 100% i sigurt”, trafikantët pazar me shqiptarët përmes TikTok-ut

“Kalimi në Angli 100% i sigurt”, trafikantët pazar me shqiptarët përmes TikTok-ut

Një numër i madh emigrantësh shumica e të cilëve janë nga Shqipëria vijojnë të futen në Britaninë e Madhe nëpërmjet kanalit të “La Manshit”.

Së fundmi mediat britanike kanë  publikuar një video, në të cilën “pazari” për trafikun e emigrantëve me gomone përmes kanalit të “La Manshit” nga ana e shqiptarëve bëhet hapur në rrjetin social Tik Tok.

Express.co.uk raporton se tashmë bandat shqiptare po ofrojnë udhëtime me minibus falas drejt bazave të tyre në Francë, nga ku bëjnë edhe nisjen e tyre drejt Britanisë së Madhe.

“Udhëtime çdo ditë nga Shkodra për në Dunkirk. Për më shumë info DM.

Një tjetër tha: Udhëtoni çdo ditë. 100 për qind e sigurt”.

Po sipas medias britanike njerëzit fillimisht ftohen që t’i dërgojnë mesazh faqes në mënyrë që të regjistrohen në listën për të udhëtuar drejt Britanisë.

“Pasi të regjistrohen, bandat i dërgojnë emigrantët nga Shqipëria te grupet e trafikantëve në Francë, ku ata mund të paguajnë deri në 5000 £ për person për të bërë udhëtimin 22 milje përgjatë Kanalit me gomone”, thuhet më tej në artikull.

Reklamat e Tik Tok premtojnë çmime që për shqiptarët konsiderohen si “të volitshme” dhe kalimi për në Angli “nuk ka qenë kurrë më i lirë”.

Ndërkohë sekretarja e Brendshme e Britanisë, Priti Patel tha se qeveria po punon për të trajtuar këtë “propagandë mashtruese në internet”.

“Postimet në mediat sociale të përdorura nga kontrabandistët kriminalë që promovojnë kalimet e paligjshme janë krejtësisht të papranueshme. Kjo qeveri tashmë po trajton këtë propagandë mashtruese në internet me forcat e zbatimit të ligjit, kompanitë e mediave sociale dhe qeveritë e huaja”, tha ajo.

Ndërkohë një rekord i ri prej 1,295 emigrantësh në ditë ishte ai që u regjistrua të hënën për kalimet e paligjshme në Kanal, duke rrëzuar nivelin e mëparshëm ditor me më shumë se 100.

Sipas një raporti të inteligjencës në Mbretërinë e Bashkuar, katër në 10 prej atyre që kalojnë kanalin janë shqiptarë.

Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International ka thënë se numri i lartë i kalimeve përmes kanalit të “La Manshit” po ndodh si pasojë e mungesës së rrugëve të sigurta dhe ligjore, duke i bërë thirrje qeverisë që të hapë rrugë më të sigurta për ata që kërkojnë azil./Opinion.al

Share: