Home KRYESORE Motive poetike nga Gladiola Jorbus

Motive poetike nga Gladiola Jorbus

Flutura origami

Në letrat e rrudhosura
formësohet uragani i zemrës.
Sa shumë dhembje të ëmbla!
Si refren melodioz
i dashurisë së munguar.
Lodrojmë në erërat e fatit
si flutura origami.
Përkulur dhe palosur
nga gishtërinj ëndërrimtarë.
Lotojmë për gjethet e vyshkura
dhe psherëtimat e humbura.
Jemi letra me vlerë
të përndezura me ngjyra akuareli.
S’ guxojmë të prekemi!
Nga frika se padashur
mund të zbehim
aureolën e ëndrrave.


Horror vacui

Si retë e plogështa
të një pasditeje të dhimbshme…
…zbrazëtia fluron në ajër.
Dhe universi i pafund
është përgjysmuar nga moti i akullemë.
Trishtimi ngjyrë indigo
shfaqet si preludi i një lamtumire të gjatë.
Ëndrrat u shembën si idhuj dështakë
në horizontet e zbrazura.
Boshësi… pa tinguj jete.
Në labirintin abstrakt të fatit
enden kurthe plot gjemba e hije,
sa vetë Dedalusi do të zihej në to.
Lëkurë e plagosur nga mijëra zhgënjime
që kafshojnë dhe fshihen.
Përtej udhëkryqit nuk shihet asgjë.
Horror vacui.

Borås, 28/07 – 2022

Share: