Home Gjeo-Ekonomia Shqipëria nis kontigjentin e 2 të ushtarëve me mision pranë KFOR-it në...

Shqipëria nis kontigjentin e 2 të ushtarëve me mision pranë KFOR-it në Kosovë

Kontingjenti i 2-të me 30 efektivë nga Forca Tokësore, efektivë të Batalionit Komando, nga Regjimenti i Operacioneve Speciale (ROS) janë nisur në Kosovë për të shërbyer si pjesë e misionit të KFOR.

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i pranishëm në ceremoninë e përcjelljes e vlerësoi këtë moment për faktin se këta efektivë nisen në mision si përfaqësues të vendit në përpjekjet e Aleancës së NATO-s për t’i shërbyer sigurisë dhe paqes.

“Republika e Shqipërisë në vijimësi ka dëshmuar se është jo vetëm faktor paqeje dhe stabiliteti rajonal e më gjerë, por edhe një aleat serioz, i cili merr përsipër dhe mban barrën e detyrimeve dhe në kuadër të mbrojtjes kolektive të Aleancës”, u shpreh Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes theksoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj aspiratave të Kosovës, ndërsa theksoi se sfidat e sigurisë Shqipëri-Kosovë mbeten të përbashkëta.

“Mbështetja e Kosovës në aspiratat e saj kundrejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, duke kontribuar në forcimin e paqes dhe sigurisë, inkurajon zhvillimin e rajonit dhe frenon zgjerimin e influencës të vendeve të tjera që sfidojnë demokracinë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sfidat tona të sigurisë mbeten të përbashkëta, të pandashme dhe të gjithanshme. Ato vijnë nga çdo drejtim, dhe mund të cenojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe më gjerë. Ministria e Mbrojtjes vlerëson dislokimin dhe rritjen e prezencës së forcave të armatosura të vendeve aleate dhe partnere në Misionin e KFOR-it. Ky është një kontribut i madh i Aleancës për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Siç e nënvizoi dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, pak ditë më parë, trupat e KFOR në Kosovë janë të gatshme dhe të vendosura për të ndjekur detyrën e tyre në përmbushje të misionit për të ruajtur një mjedis të sigurt në Kosovë dhe në rajon”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.

Peleshi vlerësoi edhe efektivët e kontigjentit të parë, të cilët sipas tij kanë treguar vlera dhe standarde të larta morale dhe me profesionalizmin e tyre kanë fituar respektin dhe besimin e plotë të Komandës të operacionit dhe efektivëve të tjerë të Aleatëve të NATO-s.

30 trupat e kontigjentit të 2-të nga Forca Tokësore, efektivë të Batalionit Komando, nga Regjimenti i Operacioneve Speciale (ROS) do të shërbejnë në zonën e Pejës, krah kolegëve të tyre italianë dhe kroatë.

Share: