Home KRYESORE Spiunët e sigurimit në politikë, PS: Në shtator të miratohet kërkesa e...

Spiunët e sigurimit në politikë, PS: Në shtator të miratohet kërkesa e Autoritetit

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar se në sesionin e ri parlamentar në shtator është bërë e domosdoshme që të miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë ndërhyrjet ligjore që janë depozituar sipas propozimit të Autoritetit të Dosjeve.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Balla shkruan se duhet rishikuar çertifikata e pastërtisë të kujtdo që ka hyrë në politikë si shërbëtor i Sigurimit të Shtetit.

Ndër të tjera ai shkruan se gjithashtu në sesionin e ri do të duhet të adresohet edhe situata që prej një viti një sekretar partie i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë në Kuvend.

“Ngjitja e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, një shërbimi sekret terrori, në të gjitha majat e piramidës shtetërore, ka bërë të domosdoshëm miratimin sa më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, në sesionin e ri që nis në shtator, të ndërhyrjeve ligjore që janë depozituar tashmë sipas propozimit të Autoritetit të Dosjeve, për të rishikuar çertifikatën e pastërtisë të kujtdo që ka hyrë në politikë me përgjues në trup, si shërbëtor i Sigurimit të Shtetit. Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të adresojë gjatë sesionit të ri edhe situatën e papranueshme dhe absurde prej një viti se si një sekretar partie i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij. Ne nuk ia drejtojmë dot bishtin as non gratës as bashkëpunetorëve, por ne nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë të keqen të vazhdojë të bëjë moral me shpresën se do të hajë kokën e vet, madje absurdi të shkojë deri aty sa këta lloj të bërtasin për drejtësi, kur janë vetë ata që kanë hesapet më të mëdha me drejtësinë dhe Shqipërinë”, shkruan Balla.

Ky reagim i Ballës vjen pasi disa javë më parë Autoriteti i Dosjeve njoftoi se një politikan i lartë me inicialet I.M., rezultonte të ishte i përfshirë në Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit./Opinion.al

Share: