Home KRYESORE Vendi ku linda dhe kalova një pjesë të fëmijërisë time

Vendi ku linda dhe kalova një pjesë të fëmijërisë time

Nga Elisabeta Bajramaj

Kodra e Shqarthit është pika më e lartë e vendbanimit të fshatit. E si për ti shkuar përshtat kodrës fisi ndërtoi kulla të mëdha.

Vendi ku linda dhe kalova një pjesë të fëmijëris time, vendi që më tërheq si magnet për ta vizituar sa më shpesh të jetë e mundur. E sa herë vendos të kthehem u bëj ftesë edhe familjarëve të tjerë.

Ai i cili nuk më thotë kurrë jo dhe lë gjithçka për të më shoqëruar është babai. Teksa shikojmë shtëpitë kujtoj me babin dhe motrën rrëfimet e gjyshërve rrëfime që pasurohen herë pas here nga babi si dëshmitar në disa ndodhi.

Këto gurë i kam nxjerrë në filan vend dhe i kam gdhendur me duart e mia më kujtonte gjyshi, nuk kursehesha, doja një shtëpi të bukur dhe ashtu e bëra, shikoi këndet edhe dritaret edhe derën kryesore e në fakt ashtu ishte një shtëpi e bukur, akull e bardhë me kënde gurësh të gdhendur me dyer dhe dritare të lyera jeshile edhe me ca kangjella që babi i mori me vete për ti vendosur në shtëpin që jeton tani.

Shiko bija ime çdo gurë e dru në këtë shtëpi është larë me djersë balli. Këto kulla janë hapur për këdo që ka trokitur në derë, njësoj për të gjithë miq e hallexhinj, u është ofruar besë, strehim e ushqim nga burrat dhe gratë e këtyre shtëpive.

Nga braktisja po kthehen në rrënoja shtëpitë i them motrës dhe babait. E di vajzë e shoh por jam përpjekur ta mbaj edhe shtëpinë këtu ndërkohë që ndërtoja shtëpinë tjetër thot babi si i zënë në faj por ka kosto të lartë mirëmbajtja. Po plakem dita ditës, ka dy tre vite që as pemët si krasis dot më, janë kthyer në shkurre. Vërtitim sytë për’rreth dhe na pushton një trishtim njësoj si pamja e shtëpisë dhe e baçes.

Si për ta dëbuar atë trishtim që na kaploi babi na thotë: kam në plan të bëj diçka nuk do ta lë të bjerë jo. Pastaj hap qesen dhe këput ca rrush krejt bio, pastaj ca fiq, ca arra e thana.

Bëjmë edhe ca foto edhe largohemi duke e lënë shtëpinë tonë dhe të gjitha shtëpitë e braktisura të fisit në vetminë dhe mjerimin e tyre!

Share: