Home Gjeo-Ekonomia BIRN: Mbyllja e shkollave turke në Tiranë, me kërkesë të Erdogan

BIRN: Mbyllja e shkollave turke në Tiranë, me kërkesë të Erdogan

Nga Blerina Gjoka

Këshilli i Ministrave vendosi të enjten mbylljen e institucionit arsimor parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”, i cili funksiononte si kolegj për vajza dhe djem dhe financohej nga fondacioni “Gulistan” i lakuar për lidhjet me klerikun turk Fetullah Gylen.

Vendimi u publikua në faqen zyrtare të Kryeministrisë pa asnjë shpjegim apo arsyetim.

Gati dy javë nga nisja e vitit të ri shkollor, qeveria shqiptare e detyron kolegjin “Mehmet Akif Ersoy” me aktivitet prej 26 vitesh në Shqipëri  që të plotësojë dokumentet për transferimin e nxënësve në shkolla të tjera, të mbulojë shpenzimet e këtyre procedurave dhe të  kthejë pagesat e kryera nga prindërit për shkollimin e fëmijëve.

Avokati i fondacionit “Gulistan”, Isuf Shehu tha se vendimi ishte arbitrar dhe do të kundërshtohej.

“Vendimi është i papritur, pasi fondacioni ishte njoftuar për një inspektim të ri nga Ministria e Arsimit dhe institucionet në varësi,” tha Shehu për BIRN. Ai këmbënguli se arsyet e dhëna nga qeveria përpara vendimit ‘nuk qëndronin’.

Vendimi i Këshillit të Ministrave për mbylljen e kolegjit ku studiojnë 160 vajza dhe djem vjen pas kërkesave të përsëritura të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan për mbylljen në Shqipëri të shkollave që ai i akuzon për lidhje me kundërshtarin e tij Gylen.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë në janar të këtij viti, Erdogan u shfaq i paduruar dhe e quajti lënduese faktin se lëvizja e kundërshtarit të tij politik kishte ende fushë veprimi në Shqipëri.

“Fakti që FETO është ende në gjendje të gjejë fushëveprimi në vendin mik dhe vëlla Shqipërinë, e lëndon thellë popullin tonë, bijtë e bijat e të cilit kanë rënë dëshmorë. Pritshmëria jonë më e sinqertë është që në periudhën që kemi përpara të ndërmerren hapa më konkretë, vendimtarë dhe hapa më të shpejtë kundër strukturimit të FETO në Shqipëri,” tha presidenti turk në një konferencë për shtyp me Ramën.

Kryeministria nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjes nëse vendimi për mbylljen e kolegjit “Mehmet Akif” ishte një nënshtrim ndaj kërkesave të përsëritura të presidentit turk,  Erdogan.

Në shtator 2020, qeveria mbylli edhe disa institucione të tjera arsimore fetare dhe laike të ngritura me financime turke.

Mbyllja brenda një dite e medreseve “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë dhe “Ali Korça” në Kavajë, si dhe institucionit parauniversitar “Memorial International School of Tirana”, që administrohej nga Shoqëria “Turgut Ozal Education” nuk pati një arsyetim publik, por agjencia turke e lajmeve “Anadolu Agency” i quante të lidhura me “strukturat e organizatës terroriste FETO”.

360grade.al

Share: