Home Gjeo-Ekonomia Kraja: Ka synime që Kosova të bëhet Republikë Islamike 

Kraja: Ka synime që Kosova të bëhet Republikë Islamike 

Kryetari i Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, në RTK Prime ka folur për shumë çështje që preokupojnë shoqërinë tonë, me theks të shtuar raportin e institucioneve shtetërore me fenë, për arsimin dhe grevën, për dialogun Kosovë-Serbi, për Ballkanin e Hapur, për Shqipërinë dhe Malin e Zi, si dhe një sërë çështjesh tjera me interes.

Sa i përket çështjes së shamisë kjo qe problematizuar së fundi pak para se të fillonte viti shkollor, por ne  nuk reaguam, sepse, në esencë, asgjë nuk ndryshoi, mbeti ashtu siç ka qenë.

Kryetari i Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, sqaroi aktivitetin e kësaj akademie për çështje të caktuara, duke kritikuar seksionin e shkencave shoqërore, si obstruksioniste, duke neglizhuar çështjet aktuale që preokupohet shoqëria dhe shteti.

“Ata, në njëfarë forme, janë kthyer në një opozitë të vetvetes, por unë konsideroj se kjo çështje, pra  raporti i institucioneve të shtetit me fenë, do të duhej trajtuar edhe në nivelin akademik”, theksoi akademik Kraja.

Ndërsa foli për shaminë kryeakademiku Kraja veçoi dy gjëra: “Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kosova është përcaktuar si shtet laik, pra nuk është shtet sekular, por është shtet laik. Në shtetin laik, institucionet e fesë janë të ndara nga institucionet e shtetit. Feja nuk mund e nuk duhet asnjë ndikim mbi institucionet e shtetit, sikundër që ndodhë edhe e kundërta. Ndërkaq në shtetin sekular, shteti merr qëndrim neutral ndaj fesë dhe në rastin tonë, ne, duke qenë shtet laik, feja nuk ka punë në institucionet e shtetit. Por një gjë duhet theksuar se ne na mungon ligji për fenë që do të sqaronte mënyrën e veprimit që për këtë fajëson dy-tri legjislaturat e shkuara në Kosovë, që nuk e kanë proceduar dhe miratuar këtë ligj. Për shkak të mungesës së këtij ligji ne do të kemi problem edhe me Këshillin e Evropës, si dhe do të kemi probleme kur do të konkurrojmë për pranim në UNESCO”.

 Ai i bëri përgjegjës të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, sepse janë duke  manipuluar, ngase, sipas tij, ky ligj kërkon konsensus politik mes partive parlamentare, meqë shumica e partive bëjnë kalkulime elektorale.

Kraja ngarkoi edhe BIK-un për këtë punë, sepse në shumë raste ka qenë bllokuese e këtij ligji. “Bashkësia Islame bën përfaqësimin shpirtëror, jo përfaqësim politik”, sqaroi akademik Kraja.

Ndërsa si çështje e dytë, sipas Krajës, është se përdorimi i shamisë vendos problemin e identitetit. Sa herë që është mbivendosur identiteti fetar mbi atë kombëtar, neve na kanë prodhuar situata problematike në vend.

“Jo rastësisht probleme të tilla iniciohen në momente kritike për Kosovën. Nëse islammi politik futet në politikën e Kosovës ata kanë një llogari, sikundër edhe paritë politike që kalkulojnë me fenë edhe ato kanë llogaritë e veta”, tha akademiku Kraja.

Tutje, kryeakademiku Kraja theksoi se ka synime që Kosova të bëhet Republikë Islamike dhe kështu do të ndërrohej kahja e perspektivës Euroatlantike.

Akademik Kraja theksoi se trajtimi i kësaj çështjeje nuk ishte momenti i duhur politik ndërkombëtar./DardaniaPress

https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=616204
Share: