Home Gjeo-Ekonomia Takimi me Ramën/ Kurti: Ishte konstruktiv e pozitiv, diskutuam për tre tema

Takimi me Ramën/ Kurti: Ishte konstruktiv e pozitiv, diskutuam për tre tema

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dhënë detaje lidhur me takimin e zhvilluar ditën e djeshme në “Vilën 31” në Tiranë me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama.

Gjatë një konference për mediat kosovare, Kurti tha se, në takim u diskutua për tre tema që kishin të bënin me sulmet kibernetike, sfidat e energjisë dhe për procesin e Berlinit.

“Takimi i djeshëm ka qenë drekë pune me Edi Ramën dhe ka qenë shumë i mirë, konstruktiv e pozitiv dhe i nevojshëm për shkak të temave që i kemi diskutuar. Tema e parë e diskutimi tonë ishte siguria kibernetike. Isha shumë i interesuar të marr vesh më shumë për përvojën e tyre me sulmet e fundit kibernetike që kanë qenë shumë të dëmshme dhe kriminale. Sot e kemi themeluar agjencinë për sigurinë kibernetike me vendim të qeverisë në mbledhjen e sotme”.

“Sfidat e energjisë në javët e muajt në vijim në kuptimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të çmimeve të përballueshme ku ju e dini që KEK dhe KESh bashkëpunojnë ngushtë. Ne tash gjatë verës u kemi dhënë shumë energji elektrike në Shqipëri në mënyrë që ata të na ndihmojnë neve pastaj gjatë dimrit dhe kemi diskutuar për energjinë elektrike në përgjithësi, ata po i vendosin tarifat tash dhe e kemi njoftuar njëri-tjetrin se çka po ndodh në Kosovë e Shqipëri. E njoftova Ramën se ne jemi të parët në Ballkanin Perëndimor që e kemi marr këtë masën për shpërblimin për ata që kursejnë. Tema e tretë, folëm për përgatitjet në dritën e rifillimit të procesit të Berlint, sepse ju e dini që takimet e mëhershme të procesit të Berlinit janë bërë nga Angela Merkel, e tash do të bëhen nga kancelari i ri Olaf Scholz”, tha Kurti./Opinion.al

Share: