Home KRYESORE Silueta e Ilirit! Nga Alfred Lela

Silueta e Ilirit! Nga Alfred Lela

Silueta e Ilirit është një sanduiç
Një kanion në lumë, një ngushtzënie në hartë, si Skrapari mes Beratit dhe Korçës.
Një gjeografi që don të dalë nga vetja e të bëhet histori. Në këtë mes, silueta e Ilirit është e Metës, por dhe e Skraparit.

Nëpër këtë tejzgjatje ngrihet tezgjahu që thur ëndrrën e Ilirit,
Që e bën me krahë poshtë shtangave të politikës.
Që i jep shtat kur tërbimi nuk e rrit, por e zvogëlon njeriun.

Silueta e Ilirit, si një monedhë ilire, këmbehet me gjithçka dhe asgjë,
në pazarin e gjësë së gjallë apo të vdekur.
Ajo interferon me metal detector-in e ‘çunave të Tironës’,
Por në fund merr një fitore, jo në tavolinë, por në rrugë.
…sepse është siluetë që vjen nga antropologjia.

Siluetën e tij mund ta shesësh dhe ta blesh, por jo ta kesh përherë.

Ajo është një king maker që rri në mes.
Një eminencë gri e ngjyrave, që përthith kontrastin e spektrit, dhe bën me të një bojë për të gjitha pragmatizmat.

Silueta-ngjalë e Ilir Metës nuk trembet prej asgjëje,

As prej hudhrave, të cilat i ka totem për syun e keq.

…sepse është siluetë që ka sy për Qabe,
dhe, ashtu niset, me yllin e karvanit nga Skrapari në Mekë nga Moska në Tiranë.

Kjo siluetë sypatrembur.
Ky dervish me shtiza e valle, dhe me dashin e kurbanit të baba Tomorrit në shpinë.

Share: