Home KRYESORE Afera e inceneratorëve, Tabaku: Të përfshirë edhe 5 ministra

Afera e inceneratorëve, Tabaku: Të përfshirë edhe 5 ministra

Në aferën e inceneratorëve janë të përfshirë edhe 5 ministra me mandat deputeti. Kështu është shprehur deputetja demokrate Jorida Tabaku, në një intervistë televizive pasi dëshmoi për më shumë se 2 orë mbi këtë aferë në SPAK.

Tabaku theksoi se nuk do të merret me emra individësh, por thekson se janë zyrtarë që kanë kryer korrupsion dhe duhet të jenë para drejtësisë.

“Nuk dua të merrem me emra individësh, ka qenë dosje që e kam lexuar të plotë. Për mua janë zyrtarë që kanë kryer korrupsion dhe duhet të jenë para drejtësisë, por janë pak. Aq është pak, nëse i shkohet deri në fund në nivelin politik janë edhe 5 të tjerë të përfshirë në nivel ministrash me mandat deputeti politik dhe po ashtu në nivel teknik. Nëse i shkohet në fund hedhim një bazë shumë të mirë për të luftuar pandëshkueshmërinë që kanë patur institucionet tona. Për të thyer mitin e pandëshkueshmërisë. Për mua kjo është prova më e madhe e SPAK-ut. SPAK ka kryer disa hetime por nuk ka shkuar atje ku duhet”.

Sipas Tabakut SPAK duhet të kishte ecur më shpejt me hetimet pasi ka të gjithë informacionin me faktet dhe provat.

“Nuk jam e kënaqur nga ritmi i hetimeve të SPAK. Ka pasur mundësi për të ecur më shpejt por faktet dhe provat janë atje. SPAK i kanë të gjitha informacionet. PD ka inkurajuar SPAK të vijojë hetimin. PD nuk ka sulmuar asnjëherë SPAK, këtë e ka bërë qeveria sa herë ka qenë në vështirësi. Unë si denoncuese e aferës thjesht e kam inkurajuar të vazhdojë më shumë atje ku ka pushtet. Për deputetin Alqi Bllako informacioni është atje. Nuk e citoj dot dosjen për arsye hetimi, por të gjithë dëshmitë e komisionit hetimor ishin të përfshirë në atë dosje”-tha deputetja demokrate.

Share: