Home Gjeo-Ekonomia Stoltenberg: I takon Ukrainës të vendosë kushtet e negociatave me Rusinë

Stoltenberg: I takon Ukrainës të vendosë kushtet e negociatave me Rusinë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha sot se i takon Kievit të vendosë kushtet e pranueshme për negociatat që do të mund të çonin drejt fundit të luftës së Ukrainës kundër Rusisë.

Komentet vijnë ndërsa forcat ukrainase po shënojnë përparime të mëdha në fushën e betejës. Po sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy vizitoi Khersonin, ku festoi rimarrjen e kontrollit të qytetit jugor së bashku me banorët që për muaj të tërë jetuan nën pushtimin rus.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se i takon Ukrainës të vendosë se kur dhe si dëshiron të negociojë me Rusinë për t’i dhënë fund luftës.

“Ata po paguajnë çmimin më të lartë sa i përket vdekjeve dhe shkatërrimeve. Kështu që i takon Ukrainës të vendosë kushtet e pranueshme për ta. Ne na takon t’i mbështesim duke shtuar mundësinë e një rezultati të pranueshëm”, tha zoti Stoltenberg në një konferencë shtypi në Hagë.

Ai paralajmëroi se forca e Moskës nuk duhet të nënvlerësohet pavarësisht sukseseve të fundit të Kievit në fushën e betejës.

“Muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë. Qëllimi i Putinit është ta lërë Ukiranën në terr dhe pa ngrohje këtë dimër. Kështu që ne duhet të ruajmë drejtimin”, shtoi ai.

Komentet vijnë pas vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në qytetin e çliruar në jug të vendit, Kherson, në atë që shihet si disfata e tretë e madhe e presidentit rus Vladimir Putin që nga fillimi i luftës në shkurt.

“Po shohim ushtrinë tonë të fuqishme, që hap pas hapi po shtrihet në të gjitha territoret që përkohësisht janë të pushtuara. Sigurisht, është rrugë e gjatë dhe e vështirë. Kjo luftë mori heronjtë tanë më të mëdhenj. Jemi gati për paqe, paqe për gjithë vendin tonë”, tha ai.

Zoti Zelenskyy shprehu mirënjohjen e tij për NATO-n dhe aleatët e tjerë për mbështetjen e tyre në luftën kundër Rusisë, ndërsa shtoi se furnizimi me sistemin preciz të raketave “HIMARS” nga Shtetet e Bashkuara ishte jetik për përparimin e ushtrisë ukrainase.

Trupat ukrainase u futën në qendër të Khersonit të premten, pasi Rusia braktisi të vetmin kryeqytet rajonal që kishte kapur që nga fillimi i sulmit.

Rusia tha se ka tërhequr 30 mijë trupa nga Khersoni në anën tjetër të lumit Dnipro, pa humbur asnjë ushtar.

Ukrainasit nga ana tjetër thanë se trupat ruse u tërhoqën në mënyrë kaotike duke zhveshur uniformat, braktisur armët, ndërsa siç u tha, shumë humbën jetën duke ikur./VOA

Share: