Home Gjeo-Ekonomia Tensionet në veri të Kosovës, Ndihmëssekretarja e SHBA-së: Dorëheqja e serbëve mund...

Tensionet në veri të Kosovës, Ndihmëssekretarja e SHBA-së: Dorëheqja e serbëve mund të përshkallëzojë tensionet në terren

Ndihmëssekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Karen Donfried bëri thirrje që të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa të sigurta. Pas tensioneve të krijuara në veri të Kosovës.

Ajo theksoi se SHBA-të po shpenzojnë kohë dhe vëmendje në Ballkanin Perëndimor dhe se zhvillimet e fundit në Kosovë janë arsye për shqetësim.

Donfried tha se duhet të vazhdohet puna me marrëveshjet mes dy vendeve, që janë nënshkruar në Bruksel, përfshirë edhe fillimin e bisedimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas saj, dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje, por rrit mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve në terren.

Ne po shpenzojmë shumë kohë dhe vëmendje edhe për Ballkanin Perëndimor dhe konkretisht për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dhe ju pyetët konkretisht për veriun e Kosovës. Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit janë një shkak i vërtetë për shqetësim dhe po vënë në rrezik përparimin e rëndësishëm të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Ne besojmë se të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshme dhe ato të paqeruajtësve ndërkombëtarë në terren.

Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet të cilat tashmë i kanë nënshkruar përmes procesit të dialogut, duke përfshirë fillimin e negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ne besojmë se dialogu ka dëshmuar se është një mekanizëm i rëndësishëm dhe fleksibël për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ne u bëjmë thirrje palëve të përfitojnë plotësisht nga kjo. Dhe Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përkushtuara për të mbështetur atë dialog të lehtësuar nga BE”, tha ajo.

Top Channel

Share: