Home KRYESORE Ahmetaj u pagua nga inceneratorët/ Gazetari, kallëzim penal për dy prokurorët e...

Ahmetaj u pagua nga inceneratorët/ Gazetari, kallëzim penal për dy prokurorët e SPAK Braho dhe Nakuçi: Fshehën hetimet!

Gazetari Adriatik Doçi u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion për të depozituar një kallëzim penal, ndaj dy prokurorëve Klodian Braho dhe Ened Nakuçi si dhe ndaj ish zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj.

Kallëzimi ka të bëjë me hetimet për inceneratorin e Elbasanit, ku sipas gazetarit Doçi, dy prokurorët e SPAK kanë fshehur provat dhe kanë devijuar qëllimisht hetimet për të mos çuar përpara drejtësisë zyrtarin e lartë socialist dhe një nga firmëtarët e inceneratorit, Ahmetaj.

Në fashikullin e kallëzimit prej 26 faqesh, Doçi paraqet prova sesi shtetasi Klodian Zoto, i shpallur në kërkim nga këta dy prokurorë, ka përdorur kartën e tij bankare për të paguar udhëtimet ndaj Arben Ahmetajt dhe bashkëshortes së tij Erjola Hoxhës.

Këto prova janë gjetur në kompjuterin e sekuestruar të Klodian Zotos, ku nëpërmjet emaileve janë evidentuar rezervime hotelesh, kryesisht në suita për Ahmetajn, për të cilat gazetari thotë se janë shpenzuar mijëra euro.

“Jo vetëm Arben Ahmetaj ka lëvizur me Klodian Zoton në vende të ndryshme, që ngre dyshime të forta për favorizim dhe një skemë korrupsioni, por Klodian Zoto edhe ka paguar, me kartën e tij të kreditit, pushimet e Arben Ahmetajt nëpër hotele ku arrin deri në 2000 euro nata. Provat janë gjetur nga rikuperimi i tre kompjuterave, të Klodian Zotos, dhe nga telefoni i Klodian Zotos.”

Sipas Doçit, prokurorët Braho dhe Nakuçi, kanë trajtuar me dy standarde provat e siguruara nga e-mailet që kanë gjetur te kompjuterët dhe telefoni i Klodian Zotos në çështjen që lidhet me inceneratorin e Elbasanit.

Në dosjen e dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme nga gazetari thuhet se dy prokurorët kanë administruar si prova e-mailet e Klodian Zotos me Lefter Kokën dhe personat e tjerë të përfshirë nën hetim, por jo mesazhet dhe emailet e shkëmbyera mes Zotos dhe hoteleve për rezervimin e suitave për ish-zv.Kryeministrin Arben Ahmetaj.

Nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendim të datës 14.12.2021, na janë dërguar ndër të tjera:

Një njësi qendrore Kompjuterike e markës “THERMALTAKE” me kod hapje “Zotofamily”.

Në Kompjuterin (Njësi Qendrore) e sipërcituar, konstatohet i instaluar dhe konfiguruar programi Microsoft Outlook, ku janë konstatuar të dhënat (emaile) për disa llogari emaili : [email protected] , [email protected] e të tjerë.

Kallëzimi pretendon se mospërfshirja e Ahmetajt në hetime ka qenë e qëllimshme dhe akuzon dy prokurorët Klodian Braho dhe Ened Nakuçi për shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.

Kallëzimi kërkon nga gjykata që ndaj dy prokurorëve të caktohet masa e sigurisë arrest me burg për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin për prishjen e provave.

Share: