Home KRYESORE Berisha: Jemi më të interesuar se Rama për mbarëvajtjen e samitit

Berisha: Jemi më të interesuar se Rama për mbarëvajtjen e samitit

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha pas votimit të tij në primaret e PD, u pyet nga gazetarët lidhur me protestën e të hënës, në të njëjtën datë me samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Berisha tha se mesazhi i këtij samiti është i jashtëzakonshëm, ndërsa pohoi se opozita më shumë se Rama është e interesuar për mbarëvatjen e tij. Ai tha se protesta do të mbahet jashtë zonës së samitit. “Jemi më të interesuar se Rama për mbarëvajtjen e samitit. Jemi zotër të kryeqytetit në zona të tjera”, pohoi Berisha.

“Samiti i 6 dhjetorit është një ngjarje e jashtëzakonshme, historike për arsyet që vijojnë:

Së pari, Europa i bën të qartë, duke u mbledhur në Tiranë, i bën të qartë Vladimir Putinit, se kjo zonë, ky territor është i saji dhe ekspansioni dhe ambiciet e tij në Ballkan janë totalisht të papranueshme.

I bën të qartë Edi Ramës se luhatjet e tij mes hegjemonizmit serborus me Ballkanin e hapur dhe neo-otomanizmit marrin fund. Kjo është tokë evropiane, e destinuar për anëtarësim në BE.

Nuk mund të mohohet se mesazhi i këtij samiti është i jashtëzakonshëm, ndaj e mirëpresim atë”, pohoi kreu i PD./Opinion.al

Share: