Home KRYESORE Berisha: Zhurma që Himara është minoritet, absurditeti më i madh historik

Berisha: Zhurma që Himara është minoritet, absurditeti më i madh historik

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e sotme për mediat u pyet nga gazetarët në lidhje me vizitën e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në jug të vendit.

Berisha tha se kreu i qeverisë greke mund të vizitojë çdo zonë të Shqipërisë, por theksoi se zhurma që Himara është minoritet, është absurditeti më i madh historik.

“Së pari, kryeministri i Greqisë, i një vendi partner, mik, mund të vizitojë çdo zonë të Shqipërisë, qoftë si zyrtar, qoftë si qytetar privat. Këtu duhet të jemi të çliruar nga çdo kompleks. Mund të vizitojë Himarën dhe çdo zonë tjetër. Por, zhurma se Himara është minoritet është absurditeti më i madh historik. Askush më shumë se himariotët nuk janë larë në gjak për identitetin e tyre kombëtar shqiptar. Himara ka një realitet të pamohueshëm, se një pjesë e fshatrave flasin edhe shqip edhe greqisht. Qyteti, si çdo port, është i miksuar, shqiptarë kryesisht, por edhe grekë, venecianë. Por këto, as gjuha, as mikstura, nuk e bëjnë Himarën gjë tjetër përveçse bastion i shqiptarizmit. Himara, e njohur në histori, së bashku me malësitë e Alpeve dhe Sulin, kanë pasur kodet dhe kanunet e tyre. Ajo çka mund të them unë është kjo: patrikana duhet të shpallë një ndjesë publike ndaj himariotëve se në fakt, në periudhën kur ata qëndronin ndaj Portës, patrikana flirtonte edhe në kurriz të tyre. Gjë që i detyroi ata t’i drejtohen Vatikanit dhe të bëjnë një modifikim në besimin e tyre, të mbeten ortodoksë të afërt me ritin katolik. Pra, në këtë kontekst, kryeministri i Greqisë mund të vizitojë çdo zonë, por Himara me të gjithë historinë dhe dokumentet e saj është shqiptare, përfshi edhe ato fshatra që janë bilingualë. Flasin edhe shqip, edhe greqisht”, u shpreh Berisha.

Share: