Home Gjeo-Ekonomia Dita e Diasporës, VOA: Përfaqësues të saj i kërkojnë qeverisë shqiptare të...

Dita e Diasporës, VOA: Përfaqësues të saj i kërkojnë qeverisë shqiptare të drejtën e votës

Në Tiranë, përfaqësues të qeverisë dhe të diasporës shqiptare zhvilluan një tryezë të rrumbullakët në Ditën Kombëtare të Diasporës. Në këtë takim u diskutua mbi të drejtën e votës së diasporës, si dhe mbi nismën e qeverisë për një amnisti fiskale, e cila është kritikuar nga ndërkombëtarët.

Këshilli Koordinues i Diasporës shqiptare zhvilloi sot një takim të përbashkët me drejtuesit e qeverisë dhe institucione të tjera në Tiranë në Ditën Kombëtare të Diasporës, në përpjekje për të bashkërenduar veprimet në një seri fushash, si të drejtat njerëzore, përgjegjësit politike, investimet dhe çështje shoqërore.

Drejtuesi i Këshillit Koordinues, Mark Gjonaj, tha në tryezën e rrumbullakët se pasuria e Shqipërisë është populli shqiptar, që jeton brenda dhe jashtë vendit në 4 anët e botës, se pavarësisht nga largësia gjegrafike, ata i bashkon me atdheun dashuria për gjuhën, kombin, kulturën dhe trashëgiminë kombëtare.

Ai theksoi se diaspora nuk sheh ndonjë dallim midis shqiptarëve brenda apo jashtë vendit, dhe se nevojitet një bashkëpunim i fuqishëm për punë të mëdha.

“Roli i diasporës duhet të plotësohet dhe të njihet, ka ardhur dita e koha që Shqipëria autoritetet të na trajtojnë si partnerë dhe si pasuri e vlerëshme. Diaspora nuk është një eksperiment social, ose projekt. Asnuk jemi një bankë për para. Diaspora është një grup madhështor, me influencë, me fuqi dhe me shumë vlerë. Kërkesa e diasporës: Mbroni diasporën, sepse ne jemi një thesar kombëtar. Investoni tek ne, që ta mbajmë gjuhën, kulturën gjallë”, tha zoti Gjonaj.

Ai tha se Shqipëria mund ta tregojë sa e do diasporën, duke e lejuar të votojë në zgjedhjet e ardhshme, si një e drejtë, detyrë e përgjegjësi qytetare e saj, ndaj të mos vonojë më aktet nënligjore, sepse një e drejtë e vonuar, një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar.

Por ndërsa ai e përqëndroi fjalën tek e drejta e votës, kryeministri Edi Rama ia kushtoi pjesën më të madhe të fjalës së vet nismës për amnisti fiskale, e cila është kritikuar nga ndërkombëtarët, si një mundësi për pastrim parash nga bota e krimit ndërkombëtar.

Zoti Rama tha se diaspora shqiptare e tregon dashurinë dhe lidhjet me Shqipërinë përmes remitancave, ndërsa qeveria është e vendosur të bëjë amnistinë fiskale për të ligjëruar fitimet me punë të emigrantëve, një temë që ai i kushtoi pjesën më të madhe të fjalës së vet publike.

“Ne do ta bëjmë amnistinë fiskale me çdo kusht dhe me çdo të drejtë, që kemi për ta bërë. Kam shumë besim që edhe bashkësia ndërkombëtare, e sidomos Bashkimi Europian, me të cilin jemi tanimë në një partneritet të patjetërsueshëm, do ta kuptojë dhe nuk do të na pengojë”, tha zoti Rama.

Në fjalimet publike të zyrtarëve socialistë nuk u trajtua tema e votimit të emigrantëve, ndërsa në tryezën, që vazhdoi pa praninë e mediave, morën pjesë kryetari i KQZ-së si dhe ligjvënës pjesëtarë të reformës zgjedhore.

Por opozita u shpreh për këtë çështje. Ajo e vlerësoi diasporën si një pasuri për atdheun dhe shoqërinë, si dhe bëri thirrje që ajo të afrohet në bashkëpunim për ta ndërtuar Europën në Shqipëri.

Deputetja e Partisë Demokratike të opozitës, drejtuese e këshillit parlamentar të integrimit, Jorida Tabaku, thotë në një deklaratë se diaspora shqiptare është e treta mes më të mëdhave në botë dhe shqiptarët po largohen, gjë që nuk duhet lejuar më të ndodhë.

“Sot është shumë e domosdoshme që ne të kemi një ligj, i cili u mundëson atyre votën, në mënyrë që zëri tyre të dëgjohet dhe gjithashtu një mundësi për të afruar më shumë diasporën me shtetin shqiptar. Shqipëria ka nisur rrugën drejt BE përmes hapjes së negociatave, prandaj diaspora, si ambasadorja më e mirë e Shqipërisë, mundet dhe është e aftë që të japë ndihmesë për të ndërtuar Europën këtu”, theksoi zonja Tabaku.

Gjykata Kushtetuese vendosi disa ditë më parë pro të drejtës së emigrantëve për të marrë pjesë në zgjedhjet e Shqipërisë.

Pas një kërkese të organizatës Diaspora për Shqipërinë e Lirë, Gjykata u shpreh se kjo e drejtë e emigrantëve u shkel në zgjedhjet e prillit të vitit 2021 dhe se institucionet duhet të garantojnë brenda një viti ndryshimet ligjore që do të mundësojnë votimin e emigrantëve.

Sipas të dhënave statistikore, 1.68 milionë shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërisë, ose 37 për qind e popullatës së saj. OKB e ka renditur Shqipërisë si vendin e tretë në botë me numrin më të madh të popullsisë, që jeton jashtë territorit të saj, mbi 30 për qind e shtetasve. Këshilli Koordinues i Diasporës u krijua në dhjetor 2019 për të ndihmuar në tejkalimin e pasojave të tërmetit tragjik të vjeshtës së atij viti, por disa muaj më vonë erdhi edhe pandemia Covid19, e cila frenoi veprimtaritë e saj, ashtu si edhe gjithë botën. Riaktivizimi i saj pritet të sjellë zhvillime për vendin në shumë fusha.

Marrë nga VOA

Share: