Home Gjeo-Ekonomia Kurti kërkon nga KFOR-i që të garantojë lirinë e lëvizjes në veri

Kurti kërkon nga KFOR-i që të garantojë lirinë e lëvizjes në veri

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga serbët të largojnë barrikadat, ndërkohë ka shtuar se po presin KFOR-in për largimin e tyre.

Ne po presim. KFOR-i po kërkon pak kohë që të kryejë punë shpejtë, prandaj ne po presim. Unë besoj që ne po zgjidhim rrugën më të mirë të mundshme. Po del qëllimi i vërtetë i dorëheqjes së policëve të udhëhequr nga Beogradi. Po del që urdhri i Beogradit që të dorëhiqen serbët nga Policia në Kosovë është bërë në mënyrë që kur bandat të qëllojnë mbi uniformat e Kosovës të sigurohet që nuk ka serbë”-është shprehur Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla ka shtuar se Policia e Kosovës është e gatshme të ndërhyjë në largimin e barrikadave.“Policia e Kosovës ka kapacitetet e duhura që barrikadat të hiqen. Ajo bënë planet e saj operative dhe në momentin që ata e vlerësojnë të duhur, nëse barrikadat nuk hiqen ata do t’i marrin veprimet e duhura. Mos të harroj të them se gjithë kjo është duke ndodhur në bashkëpunim me partnerët tanë, KFOR-in e EULEX-in dhe shtetet e QUINT-it dhe shumë shpejt do të mbërrijmë në situatën ku nuk do të ketë barrikada”- tha Svecla.

Kurti ka akuzuar edhe Serbinë se kërkon luftë. “Serbia nuk po e fsheh që kërkon rikthim në Kosovë, në esencë kërkon që ta vazhdojë luftën. Luftën që e humbi dhe kapitullimin që e pranoi në Kumanovë në vitin 1999. Mohimi i shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë përbënë kërcënim të vazhdueshëm. Në veri të vendit paqja mbeti përherë e brishtë. Pakoja e Ahtisarit mbeti përherë e dhimbshme përkundër kundërshtimit me protesta popullore. Integrimi i vërtetë i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë e as pas një dekade dialogu”.

Kurti mes tjerash ka folur edhe për shtyrjen e zgjedhjeve që sipas tij erdhi për shkak se serbët janë të frikësuar për të marrë pjesë në votim. E ministri Xhelal Svelca nuk ka dhënë detaje se ku po mbahet Dejan Pantiq, ish – polici i arrestuar dje për të cilin serbët e veriut bllokuan rrugët.

Top Channel

Share: