Home KRYESORE KUSH ËSHTË ARMIKU I NJERIUT SOT?

KUSH ËSHTË ARMIKU I NJERIUT SOT?

Nga Zana Tako

Është xhelozia, që nuk të le të duash,
është lakmia, që të largon nga dashuria,
është hipokrizia, që të përqesh pa dashuri,
është inati, që shpirtin ta tjetërson pa kurrfarë bukuri.

Në jetë njeriu mëson, por shumë shpejt harron!
Harresa është si gërma (i) pa pikë,
por nëse duam t’i vemë pikat mbi (i),
nuk duhet të harrojmë si njeriu!

Me jetën nuk mund të luash,
se jeta nuk hipën mbi kolovajze,
ta tundë inati, xhelozia,
lakmia dhe pabesia!

Nëse duhet të duash,
është urdhër prej qielli!
Nëse nuk duhet të mbash inat,
është urdhër jo prej xhelozisë!
Nëse duhet të përqafosh në dashuri,
është vetë dashuria që na mëson në urti!

Njerëzimi po zbaton rregullat e njeriut, me të cilat ka nxjerrë jetën në pazar. Ata që duan ta blejnë quhen pazarçinj! Ata që duan ta vrasin, quhen vrasës e jo heronj!

Kemi parë shumë, por ende nuk dimë se çfarë do të shohim! Kjo nuk quhet dije për njeriun, sepse njeriu rren, e rrenën e ka fort për zemër!

Kemi dëgjuar shumë, por ende nuk dimë se çfarë do të dëgjojmë! E përsëri kjo dije nuk është në dorën e njeriut!

Por njeriu mendon se di edhe atë që nuk e di, e kjo mendjemadhësi e njeriut, është dhuratë për të nga armiku i tij, që nuk e do njeriun por e shkatërron atë!
Sot rregullat e njeriut sundojnë botën!

Duaje veten tënde….Respektoje veten tënde……!

Por a mund të duash veten, pa dashur më parë Zotin tënd që të krijoi? A mund të respektosh veten tënde, pa zbatuar më parë rregullat që Zoti yt të dhuroi me krijimin?

A mund të duash, pa dashur më parë Zotin tënd që të dhuron dashuri pa kushte?

Njeriu prish e Zoti ndreq!
Me njeriun nuk mund të fitosh dot asnjë betejë, por me Zotin, njeriu shpall lavdinë e Hyjit të gjallë, duke i fituar të gjitha betejat e jetës!

ZANA TAKO 30 Dhjetor 2022

Share: