Home KRYESORE Pas paralajmërimeve, ‘Rithemelimi’ tërhiqet nga protesta në ‘Bulevard’ në 6 dhjetor? Berisha:...

Pas paralajmërimeve, ‘Rithemelimi’ tërhiqet nga protesta në ‘Bulevard’ në 6 dhjetor? Berisha: Jemi kudo zotër në zona të tjera

Kur kanë mbetur 2 ditë nga zhvillimi i Samitit të BE-së në 6 dhjetor, Sali Berisha ka zbutuar tonet dhe për herë të parë nuk ka këmbëngul që protesta do të zhvillohet në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Në asnjë moment të fjalës së tij nga selia blu, Berisha nuk ka artikuluar fjalën ‘bulevard’, siç kishte bërë më herët. Sot ai thotë se demokatët do të protestojnë në “qytet” në “shesh”, janë “zotër në zona të tjera”, që mund të kuptohet si një tërheqje e Berishës, nisur edhe nga paralajmërimet e policisë për “mos tejkalim të vijëz së kuqe’.“Nuk ka rrugë që mund të bllokohet përveç zonës se ku mblidhen që ne nuk kemi ndërmend, jemi më të interesuar se Edi Rama për sigurinë e lidershipit europian dhe mbarëvajtjen e samiti, përndryshe ne jemi kudo zotër të qytetit në zona të tjera, mjerë Rama dhe Cuci dhe i them Ramës demokratët protestojnë në qytet, në shesh, por e dinë mirë që burimi i të zezave është në Surrel. Aty burojnë të zezat e këtij vendi, por prap vendimi është për të protestuar në qytet. Policia nëse është e porositur që të përballet me opozitën bën zgjidhjen e gabuar, opozita nuk ka betejë që nuk fiton”, tha Berisha\

Kjo “zbutje” vjen një ditë pas paralajmërimit të Policisë së Shtetit, që i përcaktuan Berishës një “zonë të kuqe” për protestën duke i thënë perimetri i sigurisë është i pacenueshëm.

“Kësaj radhe thjesht ka një zonë të kuqe ku do të zhvillohet samiti dhe s’mund të protestohet. Jashtë kësaj zone ne do të marrim gjithë masat që edhe protesta të zhvillohet”, tha dje ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

“Perimetri i Sigurisë është i pacënueshëm. Siguria e 32 delegacioneve shtetërore me liderët e tyre nga BE dhe e të gjithë personaliteteve VIP na imponon që të vëmë sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare mbi dëshirën gjeografike për të protestuar”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Policia e Shtetit ka prezantuar masa e marra në kuadër të samitit të BE-së, ku bëhet me dije se zbatimi do të nisë mesdita e së hënës më 5 dhjetor. Të gjitha akset e përcaktuara si perimetër i sigurisë do të jenë të bllokuara për parkimin e automjeteve apo edhe për qarkullimin e tyre.  Lëvizja në këmbe do të lejohet vetëm për banorët rezidentë në ato lagje që përfshihen në perimetrin e sigurisë.

360grade.al

Share: