Home KRYESORE Poezi nga Gladiols Jorbus

Poezi nga Gladiols Jorbus

Diellishta e përqafimeve

Trupi është tempulli
ku shpirtrat luten
për pakëz dritë.
Buzët e heshtura
pëshpëritin ëndrrat…
që ecin mbi tela me gjemba.
Amësimi i braktisur
në katakombet e qenies,
lutet – që të kundërmojë sërish
në diellishtën e përqafimeve.

Dashuria

Dashuria është një det i marrë lotësh.
Një trëndafil që s’vyshket kurrë.
Aromë turbulluese që tretet mbi buzë.
Lind në një vështrim.
Ndizet nga një psherëtimë.
Vishet me puthje.
Luan me zjarrin.
Fshihet pas një morie yjesh.
Hënës ia rrëfen dhembjet e saj.
Eh, dashuria!
Lëndon më shumë se vdekja!

Vjeshta

E përgjoj vjeshtën
kur gjethet i shtrin, mbi trupin e saj.
Mugujt braktisin pemët.
Zogjtë cicërijnë lamtumirë.
Tingujt e natës zgjaten.
Dhe të panjohurit
struken në dashuritë digjitale.
E shpirti nuk ndihet i vetmuar
si një degë e thatë,
e zhveshur, pa gjethe.

Vjeshtë, vjeshtë, vjeshtë…
Ëndrrat kundërmojnë aromën tënde.
Ditët e heshtura, monotone,
numërojnë rrezet e fundit të hënës
që pjalmojnë begonjat.
Qenia ime lehtas ecën
mbi hijet e së shkuarës.
Diku fryma ndalet
që të puthë një lot.

Share: