Home Gjeo-Ekonomia Sikur kryeministri Rama të vizitojë Filatin, Janinën dhe Margëlliçin

Sikur kryeministri Rama të vizitojë Filatin, Janinën dhe Margëlliçin

Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga ROLAND QAFOKU

Vizita e kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis në Dropull, Himarë dhe Finiq shoqërohet me dilemën nëse mes Greqisë dhe Shqipërisë ka reciprocitet. Çdo të ndodhte nëse kryeministri Edi Rama do vizitonte disa fshatra dhe zona në Greqi ku jetojnë me shqiptarë me prejardhje arvanistase, çamë autoktonë dhe emigrantë të larguar pas vitit 1990? Si do pritej në Greqi një vizitë e kryeministrit shqiptar nga shteti dhe shoqëria greke nëse ai do konsumonte të njëjtën agjendë si homologu grek në Shqipëri.

Vizita e kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis të enjten e 22 dhjetorit në Dropull, Himarë dhe Finiq u fut në historinë e marrëdhëënieve mes Greqisë dhe Shqipërisë si një gur kilometrik mjaft të rëndësishëm. Ajo tregoi për Shqipërinë sa sa evropianiste është në këtë raport me vendin fqinj, sa demokratik është shteti shqiptar dhe mbi të gjitha sa pak ngarkesë nacionaliste ka shoqëria shqiptare ndaj minoritarëve, veçanërisht atyre grekë në vendin tonë. Por sapo Mitsotakis e la tokën shqiptare, pyetja dhe dilema e madhe për ne shqiptarët është: A ka reciprocitet në marrëdhënieve mes dy shteteve? A bën shteti grek të njëjtën sjellje dhe të njëjtën mënyrë pritjeje siç bëri shteti shqiptar për një kryeministër grek? A sillet edhe shoqëria greke në të njëjtën mënyrë si shoqëria shqiptare për atë se si u zhvillua kjo vizitë dhe çfarë solli ajo? A e trajton njësoj media greke një ngjarje të këtij lloji siç bëri edhe media shqiptare?

A ekziston mundësia që Edi Rama të kryejë një vizitë zyrtare në Greqi me të njëjtën natyrë, qëllim dhe me të njëjtën agjendë? Nëse po, a do të bënte të njëjtën gjë kryeministri i Greqisë, ashtu siç bëri kryeministri i Shqipërisë? Pra, sikur një ditë Edi Rama të zbatonte pak a shumë një agjendë si ajo e homologut Mitsotakis duke shkuar në disa fshatra dhe qytete të territorit grek me popullsi me orgjinë shqiptare si do të pritej ajo?

Historianët seriozë grekë e pranojnë se në Greqi ndodhen 3 milionë shtetas greke me prejardhje arvanitase. Fakt është gjithashtu se në Greqi ndodhet një numër jo i vogël pasardhës të popullsisë autoktone çame. Dhe ajo që është më e evidentuara në Greqi ndodhen rreth 1 milionë shqiptarë të emigruar pas vitit 1990. Për simbolikë, kujtojmë se nëna e kryeminstrit Kyriakos Mitsotakis ishte greke me orgjinë shqiptare arvanitase dhe këtë e ka bërë publike vetë bashkëshorti i saj, babai i kryeministrit aktual që edhe ai që kreu një vizitë në vitin 1989 në Shqipëri.

Të imagjinojmë një moment sikur Edi Rama të kryejë të njëjtat veprime gjatë një vizite në Greqi nëpërmjet të njëjtës agjendë si ajo e kryeministrit të Greqëisë Kyriakos Mitsotakis në tokën shqiptare. I marrim me radhë:

1. Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis vizitoi Derviçanin, Himarën dhe Finiqin për disa orë duke takuar minoritarët grekë që i quajti gabimisht etnikë, por që në realitet kanë krijuar komunitetin e tyre nga dy grupime: Nga bujq grekë që erdhën në zonën e Gjirokastrës si emigrantë ekonomikë në shekullin e 16 dhe 17-të dhe nga banorët shqiptarë të zonës së bregdetit që duke kryer tregti më zonat greke po të bregdetit u bën popullsi bilingue (dy gjuhësh).
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të vizitojë Filatin, Janinën dhe Margëlliçin dhe të deklarojë për herë të parë atje se në këto zona dhe në të gjithë Greqinë ka një komunitet shqiptar prej afër 4 milionë banorë që janë pjesë e arvanitase, të çamëve dhe të shqiptarëve emigrantë pas vitit 1990.

2. Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis udhëtoi drejt zonave me minoritet grek në Shqipëri me një helikopter ushtarak i ushtrisë greke dhe i shoqëruar nga një truprojë personale. Helikopteri u ul në fushën e sportit të Himarës dhe po andej u largua pas vizitës drejt Greqisë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të udhëtojë drejt Filatit, Janinës dhe Margëlliçit me helikopterin e ushtrisë shqiptare “Cugar” dhe të ulej në sheshin kryesor të Filatit, në një fushë aviacioni në Janinë dhe në një shesh në Margëlliç. Prej aty Rama të bëjë publikë faktin se Parlamenti grek sapo kishte miratuar heqjen e ligjit të luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë të vendosurr më 10 nëntor të vitit 1940. Po me helikopterin Cugar të ushtrisë shqiptare, Rama u kthye në Shqipëri.

3. Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis gjatë vizitës së tij në Derviçan, Himarë dhe Finiq kishte për sfond flamurin e Greqisë, Shqipërisë dhe të BE. Binte në sy që në Derviçan flamuri i Greqisë ishte më i madh se sa ai i Shqipërisë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë vizitës së tij në Filat, Janinë dhe Margëlliç të ketë në sfond flamurin e Shqiëprisë, Greqisë dhe BE-së. Madje flamuri i Shqiëprisë të jetë shumë më i madh se sa ai i Greqisë.

4. Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis ishte shoqëruar në këtë vizitë nga një shpurë me ithtarë të teorive pa asnjë bazë të Vorio Epirit si Pirro Dhima dhe Fredi Bejleri. Ndërkohë në Derviçan ishte i shoqëruar nga homologu shqiptar Edi Rama, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka dhe disa deputetë të kuvendit të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama në vizitën e tij në Filat, të shoqërohet nga vëllezërit e njohur gazetarë Enkel dhe Saimir Demi që kanë rrënjët nga kjo qytezë. Ndërsa gjatë vizitës në Janinë dhe Margëlliç të shoqërohet nga Rudina Xhunga gazetaren e parë që arriti të futet në vitin 2007 dhe të filmojë në një fshat shqiptar me çamë. Bashkë me të të jetë edhe Marin Mema që ka relizuar disa reportazhe në atë zonë dhe që ka kaluar jo pak peripeci ng apala greke deri shpallje non grata.

Në dallim me Fredi Bejlerin që është i implikuar në ngjarjen e rëndë të vitit 1994 në kazermën e Peshkëpisë, Rudina Xhunga dhe Marin Mema kanë bërë thjesht punën e tyre si gazetarë profesionistë ndonëse janë përndjekur, kërcënuar dhe rrezikuar edhe jetën nga mbetej të shovinizmit grek teksa ishin në tokën greke. Ndërkohë në Filat kryeministri Edi Rama të shoqërohet edhe nga homologu grek Kyriakos Mitsotakis, nga ministri i Jashtëm Nikos Dendias si dhe disa deputetë të parlamentit grek dhe të deklarojë për popullsinë me orgjinë shqiptare duke cituar vetëm historinët e huaj perëndimorë.

5. Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis mbajti një fjalim në sheshin e Derviçanit dhe të njëjtën gjë bëri edhe kryeministri i Shqipërisë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të mbajë një fjalim të shkurtër në Filat dhe bashkë me të të flasë edhe kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis.

6. Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis deklaroi në Derviçan se minoriteti grek në Shqipëri është urë bashkëpunimi mes dy popujve fqinjë dhe se me kryeministrin Edi Rama Greqia dhe Shqipëria kanë frymë bashkëpunimi shumë të ngushtë. Mitsotakis shtoi se problemet që preukupojnë këtë minoritet do futen në rrugën e zgjidhjes.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të deklarojë në fjalën e tij gjatë vizitës në Filat se popullsia e mbetur çame atje dhe emigrantët ekonomikë shqiptarë janë një urë bashkëpunimi mes dy popujve fqinj. Rama të shtojë se problemet që preukupojnë këtë popullsi qa nisin që nga çështjet e pronës dhe gjuhës do futen në rrugën e zgjidhjes si një e drejtë themelore kombëtare dhe ndërkombëtare.

7. Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis gjatë vizitës së tij deklaroi para minoritarëve grekë se rruga për integrimin e Shqipërisë nuk do të jetë e lehtë, por do jetë e shpejtuar sepse Shqipëria ia vlen të bëhet pjestare e Europës. Ai iu drejtua minoritarëve se do kishin dobi nga ky zhvillim dhe ti ndihmonte ata.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të deklarojë në fjalën e tij gjatë vizitës në Filat se falenderonte Greqinë për mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe se mes dy vendeve kishte nisur një erë e re marrëdhëniesh reciproke që niste që nga fitimi i të drejtave të popullisë çame të shpërngulur me dhunë nga Greqia. Kjo popullsi do fitonte të drentën të rimerrnin pronën e tyre të të parëve dhe të dëmshpërbleheshin për vrasjet dhe grabitjen e pronave që u ka bërë shteti grek pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

8. Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis deklaroi në Himarë se ishte duke e futur në rrugë çështjen dhe projektet mjedisore për lumin e Vjosës, i cili buron nga Janina, por përshkon një rrugë të gjatë në Shqipëri dhe është i vetmi lum i madh në Europë që nuk ka diga. Mitsotakis tha qeveria greke dhe shqiptare synojnë ta mbrojnë atë. Sipas tij, këto janë projekte të cilat përfundimisht do të dalin në dobi të të dy popujve.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të deklarojë në fjalën e tij gjatë vizitës në Janinë se qeveria e tij po bashkëpunonte me atë të Greqisë për projektin madhor për lumin Vjosa si një lum i vetëm në Evropë pa diga. Një lum që buron në Janinë, një tokë autoktone shqiptare por që bashkë me shumë toka të tjera iu dhanë Greqisë padrejtësissht në vitin 1913 nga Fuqitë e Mëdha.

9. Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis takoi në pedonalen e Himarës disa banorë minoritarë grekë dhe më pas vizitoi dhe një shkollë në gjuhën greke. Nxënësit dhanë edhe një shfaqje për nderi të tij me këngë dhe valle greke.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të takojë në rrugë shqiptarë të Çamërisë, shqiptarë emigrantë pas vitit 1990 si dhe disa grekë me orgjinë arvanitase dhe të bisedojë me ta shqip. Më pas Edi Rama të vizitojë ndonjë ambjent ku zhvillohen kurse të gjuhës shqipe duke u deklaruar banorëve se ka marrë premtimin se shumë shpejt aty do hapet një shkollë në gjuhën shqipe. Ndërkohë të rinj shqiptarë të japin një koncert me këngë dhe valle shqiptare. Mes tyre të kërcehet edhe vallja e Osman Takes, një nga mrekullitë e folklorit çam shqiptar.

10. Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis deklaroi në fjalimin e tij në Himarë se Shqipëria është e detyruar të respektojë të drejtën e minoritarëve grekë për vetëvendosje.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të deklarojë nga Filati se Greqia është e detyruar të respektojë të drejtën e shqiptarëve, çamëve dhe atyre me prejardhje arvanitase për vetëvendosje duke krijaur komuna të veçanta që drejtohen dhe administrohen nga shqiptarë me prejardhje çame. Rama të deklarojë gjithashtu se ka nisur të marrë udhë zgjidhja e çështjes së pronave të pasardhësve të çamëve të dëbuar me dhunë nga shtëpitë dhe trojet e tyre.

Share: