Home Gjeo-Ekonomia Tensionet në veri, Lista Serbe bën thirrje të mos pengohen EULEX-i dhe...

Tensionet në veri, Lista Serbe bën thirrje të mos pengohen EULEX-i dhe KFOR-i

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka kërkuar nga qytetarët në veri të lejohet lëvizja e KFOR-it dhe EULEX-it, duke thënë se “prania e tyre është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara më parë”.

KFOR-i dhe EULEX-i janë duke e monitoruar situatën në veri të vendit, ku, më 10 dhjetor, janë ngritur barrikada dhe janë bllokuar disa rrugë nga serbët lokal, pas arrestimit të një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Pantiq akuzohet se “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka konfirmuar se një shok bombë është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit.

Lista Serbe ka bërë thirrje drejt qytetarëve për “paqe dhe vetëpërmbajtje”, teksa Policia e Kosovës ka shtuar së fundi prezencën në veri, me qëllim të, siç është thënë “sigurimit të qytetarëve”.

“Të mos biem në provokime. Të gjithë kemi nevojë për paqen dhe vazhdimin e dialogut për t’u dhënë hapësirë negociatorëve të cilët do të arrinin zgjidhjen e kësaj situate me dialog dhe jo me lëvizje të njëanshme”, thuhet më tutje në këtë njoftim për media.

“Ne dëshirojmë që bashkëqytetarët tanë të arrestuar të lirohen, sepse të gjithë e dinë se këto janë akuza të sajuara, por gjithashtu kërkojmë që të parandalohet çdo depërtim i policisë së Kosovës apo njësive tjera në veri të Kosovës dhe Metohisë”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Policia e Kosovës ka raportuar gjithashtu për shtënie me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë.

Këto sulme i ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përmes një postimi në Twitter. Ai ka kërkuar që përgjegjësit të ndëshkohen.

“SHBA-ja i bashkohet EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrullë të EULEX-it mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari përmes sistemit kosovar të drejtësisë”, shkroi Hovenier në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova po punon me KFOR-in për ta adresuar situatën “shpejt dhe në mënyrë paqësore”, por ka cilësuar se për tensionimet e fundit në veri nuk ka “pretekst”.

Më 6 dhjetor u raportua për një sulm në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që po përgatitej për zgjedhje në veri – zgjedhje që të shtunën presidentja Vjosa Osmani i shtyu për në prill të vitit të ardhshëm.

Në atë pjesë të Kosovës ishin planifikuar zgjedhje pas dorëheqjes të përfaqësuesve të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë në fillim të nëntorit. Lista Serbe kishte kundërshtuar vazhdimisht mbajtjen e tyre.

Më vonë, më 8 dhjetor, u raportua edhe për plagosjen

Share: