Home Gjeo-Ekonomia Zelensky, njeriu i vitit 2022 dhe një histori 95-vjeçare e përzgjedhjeve nga...

Zelensky, njeriu i vitit 2022 dhe një histori 95-vjeçare e përzgjedhjeve nga revista “Time”

Nga ROLAND QAFOKU

Revista “Time” shpalli “Njeriun e vitit” 2022 Volodymyr Zelensky-n, presidentin e Ukrainës. Dhe më tej vijon me okelion: Shpirti i Ukrainës. Është nga ato raste që personazhi “Njeriu i vitit” nuk kontestohet. Zelensky fitoi zemrat e gjithë botës mbarë për mënyrën se si motivoi popullin e Ukrainës ndaj sulmit luftarak nga Rusia.

Historia e “Njeriut të Vitit” për revistën amerikane “The Time” është traditë që nga viti 1927, vetëm 4 vjet nga themelimi. Prej atij viti, është një traditë që nuk ka ndalur dhe nuk e kopjon kush. Në galerinë e personazheve të shpallur për vlerat janë kryesisht ata që kanë shënjuar dhe ndikuar më shumë në 365 ditët e një viti kalendarik që nisin me pilotin amerikan Charles Lindbergh që në vitin 1927 me një monoplan fluturoi nga New Yorku në Paris duke u bërë njeriu i parë që kapërceu Atlantikun.

Lista vijon me krerë shtetesh, mbretër, papë, shpikësa, regjisorë, gra e deri te aktivistë të lëvizjeve civile. Çudia është se mes atyre që vlerësohen dhe jo, ka nga ata që kjo revistë i cilëson turpe të saj. Kështu, “Time” shpalli në vitin 1939 dhe vitin 1942 si “Njeriu i vitit” Josif Stalin-in.

Në vitin 1938 shpalli “Njeriu i vitit” kancelarin e Gjermanisë Adolf Hitler. Dhe kur pa? Pikërisht atë vit kur nisi të zbatohej në terren çmenduria e tij për të pushtuar botën. Një zgjedhje për të cilin kërkoi falje disa vite më vonë dhe cover-t i vendosi një kryq.

Zgjedhjet kontroverse vijuan në vitin 1957 me sekretarin e Partisë Komuniste të BRSS Nikita Khruchev që ne e njohim Krushov dhe në 1979 me kreun e pushtetit iranian Ayatollah Khomeinin. Gjithsesi, në 95 vjet shumë mbeten zgjedhje të shënuara. Presidenti amerikan Franklin Delano Roosevelt u shpall në vitin 1941 për mënyrën se si menaxhoi situatën pas sulmit japonez në bazën “Pearl Harbour”.

Presidenti tjetër amerikan Harry S. Truman në vitin 1945 për urdhrin e hedhjes së bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki të Japonisë. Në 1947 sekretari i shtetit George Marshal për planin me mbiemrin e tij në ndihmë të Evropës. Në 1949 u shpall Winston Churchill, çuditërisht si lider i opozitës britanike dhe nuk u shpall gjatw Luftës së Dytë Botërore kur kishte merita të padiskutueshme. Në vitin 1961 zgjedhja e presidentit amerikan John Kennedy ishte e njënuar dhe pakontestueshme për atë që ai bëri duke shpëtuar botën nga një luftë e sigurtë bërthamore.

Në vitin 1987 dhe 1989 u përzgjodh lideri rus Mikchail Gorbachev për kontributin e tij në rrëzimin e komunizmit. Gorbachev është i vetmi “Njeri i vitit” që “Time” e cilësoi si njeriu i dekadës pikërisht për angazhimin e tij në një proces që ndikoi në gjysmën e globit. Për të ardhur deri në ditët e sotme, kur në 2022 Volydymir Zelensky bëhet i pari drejtues i një shteti pa peshë të madhe politike në botë, por që për mënyrën se si funksionoi pas sulmit të Rusisë u bë qendra e gravitetit të botës.

Në një farë mënyre, me këtë paradë revista “The Time” ka shkruar historinë. Një media që në fakt mbetet një institucion i nivelit klasit A.

Share: