Home Gjeo-Ekonomia Kosova në fushatë për të mbrojtur njohjet

Kosova në fushatë për të mbrojtur njohjet

Diplomatët kosovarë kanë intensifikuar takimet me homologët e tyre që vijnë nga shtetet që Serbia pretendon se kanë tërhequr njohjen e Kosovës. Në fillim të janarit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pretendoi se nëntë shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës dhe se janë në pritje të një shteti të dhjetë, pa specifikuar se për cilin shtet bëhet fjalë.

Sipas tij, Kosovën e kanë çnjohur: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini, Libia, Guniea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet.

Më 16 janar, ministri i Jashtëm i Togos, deklaroi në Beograd se shteti i tij ka tërhequr njohjen e Kosovës. Është e paqartë nëse Vuçiç ka aluduar në Togon si shteti i dhjetë, në pretendimin e tij për çnjohjen e Kosovës. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se çnjohja e Kosovës nga Togos “ka ndodhur në vitin 2019”.

“Kosova do ta fitojë betejën e saj sot, ashtu siç e ka fituar në 1999. Me mençuri, trimëri, guxim, sakrificë e përplot miq e aleatë anembanë botës së lirë dhe demokratike. Dhe Serbia përsëri do të humbasë, siç ka humbur 1999, sepse e vërteta gjithmonë fiton mbi gënjeshtrën”, ka shkruar ajo në Facebook.

Përveç Togos, MPJD ka hedhur poshtë këto pretendime të Serbisë përmes një reagimi zyrtar. Zyrtarët kosovarë po ashtu kanë bërë publike takimet e tyre me përfaqësuesit e disa prej shteteve, që gjenden në listën e prezantuar nga Vuçiçi, si pjesë e përpjekjeve për të hedhur poshtë pretendimet e liderit serbë.

Që kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, Serbia e ka kundërshtuar atë dhe ka tentuar që të bindë shtetet që të mos e njohin Kosovën, ose të tërheqin njohjen. Pavarësisht se Serbia shpesh ka njoftuar për tërheqjen e njohjes, ekspertët kanë thënë se sipas normave ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare nuk mund të tërhiqen njohjet.

Serbia ka nisur fushatën për çnjohje që nga viti 2017. Ndërkaq, që nga pavarësia, tenton të bllokojë Kosovën që të anëtarësohet në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Më herët, Serbia kishte pretenduar se Kosovën e kishin çnjohur këto shtete: Sao Tome dhe Principe, Surinami, Guinea Bisao, Burundi, Liberia, Papua Guineja e Re, Lesoto, Komonuelthi i Dominikës, Grenada, Unioni i Komoreve, Ishujt Solomon, Madagaskari, Palau, Togo, Republika Qendrore e Afrikës, Gana, Siera Leone dhe Nauru.

Serbia është varur shumë në ndihmën e Rusisë, kur bëhet fjalë për pengimin e Kosovës në anëtarësimin në organizata dhe mekanizma të ndryshëm ndërkombëtar.

Rusia – një prej pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – së bashku me Kinën, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe mbështesin Serbinë.

Që nga 1 shkurti i vitit 2021 – kur Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhëniet diplomatike – Kosova nuk është njohur nga asnjë shtet tjetër. Dhe pavarësisht pretendimeve të Serbisë, autoritetet në Kosovë nuk kanë ndryshuar numrin e njohjeve, duke thënë se janë 117 shtete që e njohin pavarësinë e saj./Kosovapress

360grade.al

Share: